Feja nuk është detyrim sepse po të ishte detyrim do të krijonte ndjekës hipokrit

Të thuash që shteti ka për obligim zbatimin e fesë kjo i bie që duhet njerëzit të detyrohen në besim dhe aplikim të ligjeve që ndoshta nuk janë në tërë vullnetin e njerëzve. Kjo nënkupton hipokrizi dhe ndjekës që i frikohen ligjit dhe më pas ndjekin dhunshëm mësimet që nuk i duan. Kurani nuk ka sjellë asnjë normë apo rregull që kërkon zbatimin e tyre dhunshëm.

Përkundrazi, që nga çështja e besimit dhe organizimi i jetës personale është krejtësisht vullnet dhe dëshirë e individit. “Nuk ka dhunë në fe” është citati Kuranor, që më së shumti komentohet dhe interpretohet, por ndjekësit dhe komentuesit e këtij citati në të njëjtën kohë duan të krijojnë ndjekës që me detyrim përfillin mësimet fetarë. Besimi është bindje e brendshme që askush e askujt nuk mund t’i jap me dhunë e imponim apo me çfarëdo forme të joshjes. Besimi dhe dashuria për Zotin është dhe buron nga bindja dhe besimi në madhështinë dhe ekzistimin e Krijuesit.

Të përfillësh Fjalën e Zotit është krejtësisht personale dhe me bindje. Ai nuk adhurohet e as nuk besohet për hirë të askujt. Ai adhurohet e besohet sepse e meriton dhe se është Zot i botëve. Të besosh Zotin, të dërguarit e Tij e botën tjetër është çështje e fshehtë midis njeriut e Zotit e kjo nuk sjellë dobi poqesë imponohet apo besohet me joshje të të mirave materiale. Besimi në botën tjetër është krejtësisht e brendshme dhe se shpërblimi në atë botë është në Fuqinë e Zotit. Për hirë të askujt nuk mund besohet diçka, ajo besohet për hirë të bindjes, realitetit dhe ekzistimit. Ndaj kushdo që tenton të zmadhojë mirësitë e Zotit vetëm për joshje dhe ndjekje, nuk mund të paraqes realisht të vërtetën, sepse mirësitë e Zotit janë sekrete dhe Vetëm Ai është që shpërblen.

Assesi nuk është në të drejtën e asnjë institucioni, qoftë shtetëror, fetar apo të shoqërisë në tërësi, që të detyroj njerëzit në zbatimin e mësimeve fetare, cilado mësime qofshin ato. Në kuadër edhe të kësaj duhet të shihet edhe madhështia e muajit Ramazan. Ramazani ka synim bindjen dhe shpirtëroren si dhe mposhtjen e hipokrizisë e dhunës.

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

+ 45 = 48