Feja duhet të jetë në shërbim të kombit, jo kombi në shërbim të fesë

Shkruan: Mr. Besart SHALA

Sipas fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, kombi është bashkësi e qëndrueshme njerëzish, e formuar historikisht në bazë të bashkësisë së gjuhës, të territorit, të jetës ekonomike dhe të formimit psikik, që shfaqet në bashkësinë e kulturës.

Identeti ynë kombëtar shqiptar ka luajtur rol qenësor në rrugëtimin tonë për liri dhe mëvetësi.

Shqiptarët edhe pse heterogjen sa i përket besimeve fetare, ky diversitet dhe këto dallime gjithmonë janë shkrirë karshi interesit kombëtar.

Rilindasit tanë edhe pse të konfesioneve të ndryshme fetare, përherë kanë vënë idealet kombëtare para çdo gjëje tjetër, edhe para besimeve të tyre.

Si besimtar që ishin, ata kuptuan se ishte vullnet dhe caktim i Zotit që ne të krijoheshim shqiptar, që të flisnim shqip dhe të ishim mëkëmbës të trojeve tona arbërore.

Duke u nisur nga kjo, kombi dhe vendi gjithnjë janë trajtuar nga rilindasit si dhurata më e çmuar nga Zoti. Për këtë edhe gjithë mundi, dashuria dhe sakrifica e tyre u orientua në ruajtjen me xhelozi të kombit, vendit, kulturës, gjuhës dhe traditës.

Identiteti kombëtar gjithnjë ka qenë në rend të parë meqë ishte një njësi unifikuese për mbarë popullin shqiptar

E gjithë dashuria dhe sakrifica e shqiptarëve pa dallim religjioni u materializua në flamurin kuq e zi me shqiponjën dy krenare, flamur ky që simbolizon dashurinë dhe krenarinë e shqiptarëve me kombin e atdheun, dhe historinë e lavdishme të popullit nëpër shekuj.

Feja dhe udhëzimet qiellore janë zbritur në tokë për të udhëzuar njeriun, për ta formuar atë dhe për ta bërë të dobishëm për shoqërinë. Me fjalë të tjera, udhëzimet qiellore, pëkatësisht feja, ka zbritur për dobinë e njeriut dhe për të qenë në shërbim të tij kurse njeriu si qenie shoqërore ka për obligim shërbimin e tij ndaj kombit dhe atdheut.

Feja nuk është këtu që të instrumentalizohet në mënyrën siç po ndodh sot, ku si rrjedhoj e këtij fenomeni, shqiptarët janë duke u ballafaquar me një tendencë të çkombëtarizimit të tyre nga ana ideologjive dhe rrymave të huaja fetaro-politike, tendencë kjo e kamufluar me petkun fetar.

Qëllimi i gjithë kësaj është zhveshja e shqiptarëve nga ndjenjat kombëtare, dhe tjetërsimi i traditës sonë me kultura të tjera.

Një qasje dhe mendësi e tillë do të ishte përçarëse dhe asgjesuese për shoqërinë shqiptare, e cila është njohur për diversitetin fetar dhe tolerancën ndërfetare.

Për këtë arsye çdo lloj pikëpamjeje që e çrregullon raportin mes kombit dhe fesë, do të ishte shkatërruese për rendin dhe shoqërinë shqiptare, e po ashtu do e cenonte edhe interesin mbarë kombëtar.

Qasja zhvlerësuese ndaj identitetit kombëtar në raport me identitetin fetar, dhe ideja se shqiptarët duhet të jenë ekskluzivisht në shërbim të fesë, në prapavi ka të fshehur qëllimin dominimin e huaj mbi popullin dhe vendin tonë.

Manipulimi me ndjenjat fetare të popullit përmes doktrinave të devijuara fetare të cilat propagandojnë se kombi është i pavlerë dhe se nacionalizmi është mëkat, mëtohet t’i shkrij popujt në një ideologji dhe të bashkuar nën një flamur.

Në këtë ide nuk ka asgjë fisnike dhe fetare, thjeshtë është një tendencë manipuluese për të realizuar qëllimet e huaja gjeo-politike dhe oreksin e tyre për dominim ndaj shqiptarëve, duke e synuar zhbërjen e shteteve tona që më aq mund e sakrificë u krijuan.

Zoti kur e ka krijuar njeriun i ka dhënë edhe vullnetin e lirë. Ai mund ta trashëgoj fenë nga paraardhësit e tij apo të zgjedh atë sipas bindjes së tij personale, dhe për këtë nuk e gjykon askush. Mirëpo nëse njeriu punon për ideale e interesa të huaja, dhe kundër kombit dhe vendit të vet, atëherë ai merr epitetin e tradhtarit.

Njëherit njëri ndër figurat më të shquara të rilindjes kombëtare shqiptare, Naum Veqilharxhi thotë se: “Nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që e shtynë njeriun ta mohoj kombin e vet”.

Ideali kombëtar ka mbajtur shqiptarinë gjallë, ngaqë po t’i shikonim besimet fetare, do të gjenim elemente të përbashkëta edhe me pushtuesit, dhe sot nuk do të ishim të lirë.

Kur kemi kombin, popullin dhe vendin e lirë, atëherë edhe në orientimin fetar do të jemi të lirë.

Kur ta duam kombin dhe vendin, atëherë do të thotë se po e çmojmë edhe dhuratën e Zotit të bërë ndaj nesh.

Nuk kemi nevoj ta ndërrojmë kombësinë për tu bërë besimtar të mirë.

Besimtar i mirë është ai që ruan amanetet që Zoti ia ka lënë, e ato janë vendi, familja dhe kombi të cilit të gjithë i takojmë.

Postime te ngjajshme