“Familjet e shqiptarëve të ISIS-it në Siri, rruga e gjatë për në shtëpi”

Të paktën 85 fëmijë që kanë lindur në Siri nga gra me shtetësi nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ndodhen në një kamp të drejtuar nga kurdët. Kështu e nis “Balkan Insight” artikullin me titull “Familjet e luftëtarëve shqiptarë të ISIS përballen me rrugën e gjatë të kthimit në shtëpi”, referuar një investigimi të BIRN.

Lavdrim Muhaxheri, një luftëtar i njohur i Shtetit Islamik nga Kosova, i cili e deklaroi veten si komandant i shqiptarëve që luftonin për grupin militant në Siri dhe Irak, u shpall i vdekur në 2017-ën.

Dy vjet më vonë, fëmijët e tij në Siri fryt i marrëdhënies me një grua shqiptare nga Tirana po jetojnë në një kamp të drejtuar nga kurdët, sipas gjetjeve të një hetimi të BIRN.

Të dy fëmijët janë në mesin e të paktën 85 fëmijëve në kampin ‘Al Hol’ të grave me etni nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Të paktën 27 kanë lindur në Siri, ndërsa shumë prej tyre e kanë humbur një prej prindërve. Tre fëmijë të lindur nga një grua kosovare raportohet se kanë vdekur bashkë me nënën e tyre, ndërsa katër gra kosovare kanë vdekur, sipas listave të siguruara nga BIRN.

Aktualisht, një grup prej 108 gra dhe fëmijë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut duan të kthehen në Ballkan dhe të largohen nga kampi Al Hol.

“Rruga e shtëpisë për këto gra dhe fëmijë duket më e ndërlikuar nga sa mund të imagjinohet. Autoritetet në të tre vendet e Ballkanit janë ngurrues për t’i parë ata të kthehen dhe deri tani nuk kanë një plan se si mund të riatdhesohen.” -thuhet në artikull.

Kampi Al Hol është ngritur në disa tenda në provincën siriane të El-Hasakah. Sipas Kombeve të Bashkuara, aktualisht në të janë rreth 73,000 njerëz. Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, rreth 65 për qind e njerëzve në kamp janë fëmijë nën moshën 18 vjeç dhe rreth 27% janë gra. Refugjatët e zhvendosur brenda vendit dhe refugjatët irakianë përbëjnë shumicën, por rreth 15 % janë të ashtuquajturat shtetas të vendeve të treta.

Shumë nga gratë shqiptare dhe fëmijët e tyre janë të dëshpëruar dhe kërkojnë të kthehen  shtëpi. “Ata na kanë nën mbikëqyrje dhe jemi të rrethuar nga tela dhe ushtarë”, dëgjohet një fëmijë duke i treguar një të afërmi në Shqipëri, në një regjistrim audio të siguruar nga BIRN. “Nuk mund të flas shpesh, por ju lutemi flisni me shtetin tonë që të vijnë dhe të na marrin.”

Elodie Schindler, zëdhënëse për Evropën dhe Azinë Qendrore në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, tha se gratë dhe fëmijët në kampe kërkonin mbrojtje të veçantë. Shindler tha se shumë fëmijë ishin pa shtetësi zyrtare, nuk kishin qasje në shkollim dhe ishin të riskuar nga abuzimet dhe sëmundjet.  “Këta fëmijë janë viktima që nuk duhet të ndëshkohen për mëkatet e prindërve të tyre … Shumë prej tyre nuk kanë ushqim të mjaftueshëm. Ata duhet të trajtohen më mirë. ” tha Schindler për BIRN.BIRN i kërkoi ministrive të brendshme të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut  nëse ata kishin identifikuar dhe kontaktuar qytetarët e tyre në kampe. Ministria shqiptare nuk u përgjigj. Kosova nuk pranoi të komentojë, ndërsa ministria e brendshme e Maqedonisë Veriore tha se kishte identifikuar katër gra maqedonase dhe shtatë fëmijët e tyre. “Ata kanë vendosur kontakte me qëllim të marrjes së dokumenteve dhe lehtësimin e transportit nga Siria në Maqedoninë Veriore,” tha një zëdhënës në ministrinë.

Në kampin Al Hol, janë gjithësej 108 persona nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Sipas investigimit, Shqipëria numëron 52 persona në total, nga të cilët 41 fëmijë, 13 prej tyre të lindur në Siri, dhe 11 gra. Nga Kosova në këtë kamp janë 48 persona, nga të cilët 38 fëmijë dhe 10 gra, 14 prej fëmijëve kanë lindur në Siri, ndërsa Maqedonia e Veriut numëron 8 persona gjithësej,nga të cilët 6 fëmijë dhe dy gra.

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

+ 3 = 4