Emërtimi i ditës xhuma dhe zanafilla e saj

Emërtimi i ditës xhuma dhe zanafilla e saj.

Emri [El-Xhumuah] në arabisht, apo [E Xhuma] në shqip, është emër islam, sepse ky emër nuk ka qenë njohur para islamit.

Emri i hershëm i xhumasë tek arabët ka qenë [El-Urubeh] siç është edhe emri [E Premte] te shqiptarët.
Ensarët (siç quhen banorët myslimanë të Medinës në kohën e profetit -alejhi selam-) kanë qenë të parët në islam që kanë falur xhumanë dhe po ata e kanë quajtur atë [El-Xhumuah] që do të thotë bashkim dhe grumbullim, sepse njerëzit në këtë ditë mblidhen për të përkujtuar Allahun e madhëruar.

Muhamed bin Sirini (dijetar i madh në kohen e tabi’inëve i vdekur në vitin 110H -Allahu e mëshiroftë-) thotë: «Banorët e Medinës para ardhjes së profetit alejhi selam dhe para se të bëhej detyrë xhumaja, ishin ata të cilët e quajtën këtë ditë [e xhuma].

Ensarët në atë kohë, thanë: Hebrenjtë kanë një ditë në të cilën bashkohen në çdo shtatë ditë dhe po ashtu edhe të krishterët. Të bëjmë dhe ne një ditë në të cilën të përkujtojmë Allahun, të falemi dhe ta falënderojmë Atë.

Ata thanë: dita e shtunë është e hebrenjve. Dita e diel është e të krishterëve. Atëherë të caktojmë ditën El-Urube -sepse ata e quanin ditën e xhuma, El-Urube-.

Kështu, ata u mblodhën në shtëpinë e Es’ad bin Zurara dhe ai atë ditë ua fali namazin dhe i këshilloi. Ata e quajtën atë ditë [el-xhumuah] (dita e grumbullimit). Ata kur u mblodhën te Esad bin Zurara, ai u theri atyre një dele dhe ata hëngrën me të dy vakte, sepse ishin pak.

Allahu për këtë rit, zbriti më pas ajetin: “Kur të thirret për në namaz ditën e xhuma shpejtoni për në përkujtimin e Allahut”» e transmeton Abdurrazaku me zinxhirë të saktë.

Ibn El-kajim -Allahu e mëshiroftë- në lidhej me këtë ngjarje thotë:
“Ky ishte fillimi i xhumasë. Pastaj, kur profeti -alejhi selam- emigroi dhe arriti në afërsi të Medinës, qëndroi në Kuba (vend afër Medines) te fisi Beni Amr bin Auf, siç tregon historiani i njohur Ibn Is’haku -Allahu e mëshiroftë-.

Ai qëndroi atje; ditën e Hënë, ditën Martë, ditën e Mërkurë dhe ditën e Enjte dhe aty themeloi xhaminë e tyre (xhaminë e Kubasë).

Ai pastaj (dmth: në paraditen e xhumasë pas të Enjtes), doli prej tyre (në drejtim të Medines) dhe e zuri koha e faljes së xhumasë te fisi Beni Salim bin Auf dhe e fali atë në xhaminë e asaj lugine.
Ajo xhuma ka qenë xhumaja e parë që ka falur i dërguari i Allahut -alejhi selam- në Medine para se të themelohej xhamia e Medines” shih librin Zad El-Mead: 1/362.

Një tabi’in i njohur që quhet Ebu Seleme bin Abdurrahman bin Auf -Allahu e mëshiroftë- i vdekur 94 apo 104 sipas hixhretit, na tregon për fjalët e hytbes së parë të profetit -alejhi selam- në Medine dhe thotë:

“Në hytben e parë që ka mbajtur profeti -alejhi selam- në Medine, ai u ngrit mes njerëzve, e falënderoi Allahun, i çoi lavdi Atij dhe tha:
O njerëz, bëni vepra të mira për vetët tuaja! Dijeni se pasha Allahun ndonjërin prej jush ka për ta kapluar kllapia (e orës së fundit të dynjasë) dhe do ta lejë bagëtinë e tij pa bari. Pastaj do ta pyes Zoti i tij pa përkthyes dhe pa pengesa mes tij dhe Atij dhe do ti thotë: A nuk të ka ardhur profeti im dhe ti përcolli porositë e mia?! A nuk të dhash pasuri dhe të mbulova me mirësitë e mia?! Atëherë çfarë ke punuar për veten tënde?

Ai do të vështrojë nga e djathta dhe e majta (për të parë se çfarë mund të sjellë) dhe nuk do të shohë asgjë. Pastaj do të vështrojë përpara dhe nuk do të shohë gjë tjetër veç xhehenemit.

Kush ka mundësi ta ruaj veten e tij prej zjarrit qoftë edhe me një gjysmë hurme (sadaka), le ta bëjë atë! Dhe kush nuk ka as aq, atëherë me një fjalë të mirë, sepse vepra e mirë shpërblehet me dhjetë të mira si ajo, deri në shtatë qind fish.

Selami qoftë mbi ju dhe mbi të dërguarin e Tij! Gjithashtu dhe mëshira e Allahut dhe begatia e Tij!” e transmeton Bejhakiu me zinxhir të saktë deri te Ebu Selemja -Allahu e mëshiroftë-.

Dr.Abdullah Nabolli.
/http://udhaebesimtareve.com/

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

30 − = 29