Duro dhe ki mirëkuptim për tjetrin!

Kur njëri bëhet zjarr, tjetri le të bëhet ujë!E kishin pyetur një herë një njeri të mençur se si mund të sigurohet qetësia dhe rehatia në familje. Ai është përgjigjur: “Për çdo një të marrë duhet të ketë një të urtë. Nëse në shtëpi hidhërohet burri, gruaja nuk i përgjigjet me të njëjtin stil, por pret t’i kalojë burrit hidhërimi. E kur të hidhërohet gruaja, edhe burri bën durim dhe pret t’i kalojë asaj hidhërimi. Kësaj i thonë: për çdo të marrë një i urtë. Sepse njeriu kur hidhërohet bëhet si i marrë, si i çmendur. Njeriut të marrë i urti i përgjigjet me qetësi, e jo me të njëjtin ton. Kjo e siguron qetësinë në familje. Përndryshe, ajo futet në një lëmsh që s’i gjendet fundi asnjëherë”.

Fjalët që i thotë njeriu në rast të hidhërimit e të zemërimit mund të jenë shumë shkatërrimtare. Nga goja e tij mund të dalin fjalë për të cilat ai më vonë do të pendohet shumë, fjalë që nuk ka pasur ndoshta ndërmend t’i thotë. Edhe sikur t’ia falë tjetri gabimin, fjalët e rënda dhe të pavend nuk harrohen kurrë. Prandaj proverbi popullor thotë: “Gozhdën mund ta shkulësh, mirëpo vrimën që ajo lë pas, nuk e mbyll dot”.

Bashkëshortët në veçanti duhet të kenë mirëkuptim dhe durim të madh në momentet kur ndjenjat e trullosin mendjen. Duke vepruar me qetësi dhe me maturi, evitohen shumë situata të pakëndshme që mund të lindin nëse veprohet ndryshe, krijohen më pak situata për të cilat njeriu do të duhej të pendohej.

Shumë herë nuk përputhen madje as edhe tabiatet, shprehitë e shijet e dy vëllezërve a motrave që janë rritur bashkë në një familje. E çka të thuhet për dy persona që janë rritur në dy familje të ndryshme, në dy rrethana dhe kushte të ndryshme, siç janë burri dhe gruaja? Edhe sikur të jenë njohur dhe takuar shumë herë para martesës, ata do ta njohin më mirë njëri-tjetrin vetëm pasi të kenë kaluar disa muaj bashkë në martesë. Zaten edhe fërkimet e para dhe serioze midis bashkëshortëve lindin pas disa muajsh, kryesisht në vitin e dytë të martesës. Ndër arsyet kryesore për nisjen e këtyre fërkimeve dhe zënkave është problemi se kush i cakton rregullat në shtëpi dhe kush i vë konturat e jetës familjare: burri, gruaja, apo familja e burrit. Në këtë fazë të jetës bashkëshortore ata e shprehin dhe e shfaqin plotësisht vetveten, me të gjitha vetitë, tiparet bile edhe me veset që i kanë dhe të cilat deri atëherë mund t’i kenë fshehur dhe kamufluar nga njëri-tjetri. Është e njohur se kamuflimi nuk zgjat deri në pafundësi. Prandaj, pikërisht në këtë fazë kur ata e shpalosin plotësisht vetveten, dalin në pah dobësitë e tyre. Në fakt këto janë dobësi normale njerëzore. Secili njeri ka pikat dhe anët e tij të dobëta, mirëpo duke qenë të mahnitur e të magjepsur nga njëri-tjetri, si pasojë e dashurisë, ata i kanë zmadhuar dhe ekzagjeruar anët e tyre të mira aq shumë, saqë tani i kap paniku dhe tmerri kur nisin t’i vërejnë pikat e dobëta te tjetri. Në këtë moment atyre u bien këmbët në tokë, e vërejnë se janë njerëz realë, normalë dhe me dobësi e gabime. Pikërisht në këtë pikë kërkohet durimi, maturia dhe mirëkuptimi kundrejt njëri-tjetrit.el-hikmeh.net#foltash

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

+ 66 = 71