Deklarata e plotë e Abu Dhabit: Bota të rizbulojë vlerat e paqes,drejtësisë dhe mirësisë

Në emër të Zotit, që i ka krijuar të gjitha qeniet njerëzore të barabarta në të drejta, detyra dhe dinjitet, dhe që u ka bërë thirrje të jetojnë së bashku si vëllezër e motra, për të populluar Tokën, dhe për të bërë të njohura vlerat e mirësisë, dashurisë dhe paqes;

Në emër të jetës së pafajshme njerëzore që Zoti e ka ndaluar të vritet, duke pohuar se cilido që vret një person, është si ai që vret gjithë njerëzimin, dhe se kushdo që shpëton një person, është si ai që shpëton gjithë njerëzimin;

Në emër të të varfërve, atyre të lënë pas dore, dhe të atyre më në nevojë, të cilët Zoti na ka urdhëruar t’i ndihmojmë, si një detyrë që kërkohet nga të gjithë njerëzit, veçanërisht nga të pasurit

Në emër të jetimëve, vejushave, refugjatëve, dhe atyre që janë larguar nga shtëpitë dhe vendet e tyre; në emër të të gjitha viktimave të luftërave, persekutimit dhe padrejtësisë; në emër të të dobëtve, atyre që jetojnë me frikë, të burgosurve të luftës dhe të torturuarve në çdo pjesë të botës, pa asnjë dallim;

Në emër të popujve, që e kanë humbur sigurinë, paqen dhe mundësinë për të jetuar së bashku, duke u bërë viktima të shkatërrimit, fatkeqësisë dhe luftës;

Në emër të vëllazërisë njerëzore, që përfshin të gjitha qeniet njerëzore, i bashkon ato dhe i bën të barabarta;

Në emër të kësaj vëllazërie, të përçarë nga politikat e ekstremizmit dhe të ndarjes, nga sistemet e përfitimit të pakufizuar finnciar, apo nga prirjet ideologjike plot urrejtje që manipulojnë veprimet dhe të ardhmen e burrave dhe grave;

Në emër të lirisë, që Zoti u ka dhënë të gjitha qenieve njerëzore, duke i krijuar ata të lirë, dhe duke i dalluar ata me këtë dhuratë;

Në emër të drejtësisë dhe mëshirës, ​që janë ​themelet e begatisë dhe gur-themeli i besimit;

Në emër të të gjithë personave me vullnet të mire, të pranishëm në çdo pjesë të botës;

Në emër të Zotit dhe të gjithçkaje të deklaruar deri tani; Al-Azhar Al-Sharif dhe myslimanët e Lindjes dhe të Perëndimit, së bashku me Kishën Katolike dhe katolikët e Lindjes dhe Perëndimit, shpallim miratimin e një kulture të dialogut si rrugë; bashkëpunimin e ndërsjellë si një kod sjelljeje; dhe mirëkuptimin reciprok si metodë dhe standard.

Ne, që besojmë tek Zoti dhe në takimin përfundimtar me Të, dhe Gjykimin e Tij, në bazë të përgjegjësisë sonë fetare dhe morale, dhe përmes këtij dokumenti, i bëjmë thirrje vetes, udhëheqësve të botës si dhe arkitektëve të politikës ndërkombëtare dhe ekonominë botërore, të punojnë fort për të përhapur kulturën e tolerancës dhe të jetesës së bashku në paqe; për të ndërhyrë në rastin më të parë, për të ndalur derdhjen e gjakut të pafajshëm, dhe për t’i dhënë fund luftërave, konflikteve, prishjes së mjedisit dhe degradimit moral dhe kulturor që po përjeton aktualisht bota.

Ne u bëjmë thirrje intelektualëve, filozofëve, figurave fetare, artistëve, profesionistëve të medias, dhe burrave dhe grave të kulturës në çdo pjesë të botës, që të rizbulojnë vlerat e paqes, drejtësisë, mirësisë, bukurisë, vëllazërisë njerëzore dhe bashkëjetesës, për të konfirmuar rëndësinë e këtyre vlerave si ‘kamerdare shpëtimi’ për të gjithë, dhe për t’i promovuar kudo ato.

Kjo Deklaratë, duke marrë shkas nga një analizë e thellë e realitetit tonë bashkëkohor, duke vlerësuar sukseset e tij, dhe në solidaritet me vuajtjet, fatkeqësitë e saj, beson fuqishëm se një ndër shkaqet më të rëndësishme të krizës së sotme të botës moderne, është një ndërgjegje njerëzore e denatyruar, e distancuar nga vlerat fetare, dhe një individualizëm dominant, i shoqëruar nga filozofitë materialiste që hynizojnë njeriun, dhe që vënë në plan të parë vlerat material, në vend të parimeve supreme dhe hyjnore.

Ndërsa njohim hapat pozitivë të qytetërimit tonë modern në fushën e shkencës, teknologjisë, mjekësisë, industrisë dhe mirëqenies, sidomos në vendet e zhvilluara, ne dëshirojmë të theksojmë se lidhur me përparime të tilla historike, të mëdha dhe të vlerësuara sikurse janë, ekziston si një degradim moral, i cili ndikon në veprimin ndërkombëtar, dhe në një dobësim të vlerave dhe përgjegjësisë shpirtërore.

E gjitha kjo kontribuon në një ndjenjë të përgjithshme të zhgënjimit, izolimit dhe dëshpërimit, që i çon shumë njerëz të bien pre ose e një vorbulle të ekstremizmit ateist, agnostik ose fetar, ose e një ekstremizmi të verbër dhe fanatik, të cilat tek e fundit inkurajojnë forma të varësisë dhe vetë-shkatërrimit individual ose kolektiv.

Historia dëshmon se ekstremizmi fetar, dhe mungesa e tolerancës kombëtare kanë prodhuar në botë, qoftë në Lindje apo Perëndim, atë çka mund të quhet  si shenjë e një “Lufte të Tretë Botërore, që po zhvillohet pak a shumë”.

Në disa pjesë të botës, dhe në rrethana tejet tragjike, këto shenja kanë filluar të shfaqen me dhimbje, si në ato situata ku nuk dihet numri i saktë i viktimave, vejushave dhe jetimëve.

Gjithashtu, ne shohim rajone të tjera që po përgatiten të bëhen teatro të konflikteve të reja, me shpërthime të tensionit dhe përdorimin e armëve dhe municioneve, dhe gjithçka në një kontekst global të lënë pas dore nga pasiguria, zhgënjimi, frika nga e ardhmja, dhe kontrolli nga interesat e ngushta ekonomike.

Gjithashtu, pohojmë se krizat e mëdha politike, situatat e padrejtësisë dhe mungesës së shpërndarjes së barabartë të burimeve natyrore – nga të cilat përfitojnë vetëm një pakicë të pasurish, në dëm të shumicës së popujve të tokës – kanë gjeneruar dhe vazhdojnë të gjenerojnë shumë persona të varfër, të sëmurë dhe të vdekur.

Kjo çon nga ana tjetër në kriza katastrofike, pre e të cilave kanë rënë vende të ndryshme, pavarësisht burimeve të tyre natyrore dhe një rinie vitale që kanë këto kombe. Përballë krizave të tilla, që shkaktojnë vdekjen e miliona fëmijëve, nga varfëria dhe uria, ka një heshtje të papranueshme në nivel ndërkombëtar.

Në këtë kontekst, është e qartë se si familja, si bërthama themelore e shoqërisë dhe njerëzimit, është e domosdoshme për t’i sjellë fëmijët në këtë botë, për t’i rritur, edukuar dhe pajisur me një formim solid moral dhe siguri të brendshme. Të sulmosh institucionin e familjes, ta shohësh atë me përbuzje, apo të dyshosh në rolin e saj të rëndësishëm, është një nga sjelljet të të keqija të epokës sonë.

Ne rikonfirmojmë ndërkohë rëndësinë e zgjimit të vetëdijes fetare, dhe nevojës për ta ringjallur këtë vetëdije në zemrat e brezave të rinj, nëpërmjet edukimit të shëndoshë dhe respektimit të vlerave morale dhe mësimeve të drejta fetare.

Vetëm në këtë mënyrë, ne mund të ballafaqohemi me prirjet individualiste, egoiste, konfliktuoze, dhe të adresojmë në të njëjtën kohë radikalizmin dhe ekstremizmin e verbër, në të gjitha format dhe shprehjet e tij.

Qëllimi i parë dhe më i rëndësishëm i feve, është besimi në Zot, nderimi i tij, dhe ftesa ndaj gjithë burrave dhe grave për të besuar se ky univers, varet nga një Zot që e qeveris. Ai është Krijuesi që na ka formuar me mençurinë e Tij hyjnore, dhe na ka dhënë jetën si dhuratë, për ta mbrojtur këtë të fundit.

Është një dhuratë që askush nuk ka të drejtë ta rrëmbejë, kërcënojë ose manipulojë për t’ja përshtatur vetes. Në fakt, të gjithë duhet ta mbrojnë këtë jetën si një dhuratë, që nga fillimi dhe deri në fundin e saj natyral.

Prandaj, i dënojmë të gjitha ato praktika që janë kërcënim për jetën si genocidi, aktet e terrorizmit, dëbimi, trafikimi i qenieve njerëzore, aborti dhe eutanazia. Po ashtu, dënojmë politikat që promovojnë këto praktika.

Për më tepër, ne deklarojmë me vendosmëri, se fetë nuk duhet të nxisin kurrë luftë, qëndrime plot urrejtje, armiqësi dhe ekstremizëm, dhe as nuk duhet të nxisin dhunë ose gjakderdhje. Këto realitete tragjike, janë pasojë e një shmangie nga mësimet fetare.

Ato vijnë nga manipulimi politik i feve, si dhe nga interpretimet e bëra nga grupime fetare, të cilat gjatë historisë kanë përfituar nga fuqia e ndjenjës fetare në zemrat e burrave dhe grave, me qëllim që t’i bëjnë këta të fundit të veprojnë në një mënyrë që ska asgjë të përbashkët me të vërtetën e fesë.

Kjo bëhet me synimin e arritjes së objektivave dritëshkurtëra politike dhe ekonomike. Prandaj, i bëjmë thirrje të gjithë të interesuarve, të mos i përdorin fetë për të nxitur urrejtje, dhunë, ekstremizëm dhe fanatizëm të verbër dhe të mos përdorin emrin e Zotit për të justifikuar veprat e vrasjes, dëbimit, terrorizmit dhe shtypjes.

Ne e kërkojmë këtë në bazë të besimit tonë të përbashkët në Zot, i cili nuk i krijoi burrat dhe gratë që të vriteshin apo luftonin njëri-tjetrin, dhe as të torturoheshin apo të përçmoheshin në jetën dhe rrethanat e tyre. Zot i Plotfuqishëm, nuk ka nevojë të mbrohet nga askush, dhe nuk dëshiron që emri i tij të përdoret për të terrorizuar njerëzit.

Ky Dokument, në përputhje me dokumente të mëparshme ndërkombëtare, që e kanë vënë theksin tek rëndësia e rolit të feve në ndërtimin e paqes botërore, mbështet këto hapa:

Bindjen e fortë, se mësimet autentike të feve, na ftojnë të mbetemi të rrënjosur në vlerat e paqes; të mbrojmë vlerat e mirëkuptimit të ndërsjellë, vëllazërinë njerëzore dhe bashkëjetesën harmonike; të rivendosim mençurinë, drejtësinë dhe dashurinë; dhe të rizgjojmë vetëdijen fetare tek të rinjtë, në mënyrë që brezat e ardhshëm të mbrohen nga sfera e mendimit materialist, dhe nga politikat e rrezikshme të lakmisë dhe indiferencës së shfrenuar, të cilat bazohen në ligjin e forcës dhe jo në forcën e ligjit;

Liria është e drejtë e çdo personi:çdo individ, gëzon lirinë e besimit, mendimit, shprehjes dhe veprimit. Pluralizmi dhe diversiteti i feve, ngjyra, gjinia, raca dhe gjuha, janë të dëshiruara nga Zoti në mençurinë e Tij, nëpërmjet të cilit Ai krijoi qeniet njerëzore.

Kjo mençuri hyjnore, është burimi nga i cili rrjedh e drejta për lirinë e besimit dhe liria për të qenë ndryshe. Prandaj, fakti që njerëzit janë shpesh të detyruar t’i përmbahen një feje apo një kulture të caktuar, duhet të refuzohet, ashtu si imponimi i një mënyre kulturore të jetesës që të tjerët nuk e pranojnë;

Drejtësia e bazuar tek mëshira, është rruga që duhet ndjekur për të arritur një jetë dinjitoze, në të cilën çdo qenie njerëzore ka të drejtë;

Dialogu, mirëkuptimi dhe promovimi i kulturës së tolerancës, pranimit të të tjerëve dhe të bashkëjetesës paqësore, do të kontribuonte ndjeshëm në reduktimin e shumë problemeve ekonomike, sociale, politike dhe mjedisore, që rëndojnë kaq shumë mbi një pjesë të madhe të njerëzimit;

Dialogu midis besimtarëve, nënkupton bashkimin në hapësirën e gjerë të vlerave shpirtërore, njerëzore dhe të përbashkëta sociale, dhe nga këtu, duke transmetuar virtytet më të larta morale që synojnë edhe fetë. Kjo gjithashtu do të thotë të evitohen diskutimet joproduktive;

Mbrojtja e vendeve të lutjes – sinagogat, kishat dhe xhamitë – është një detyrë e garantuar nga fetë, vlerat njerëzore, ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Çdo përpjekje për të sulmuar këto vende, apo për t’i kërcënuar me sulme të dhunshme, bombardime apo shkatërrime, është një devijim nga mësimet e feve, si dhe një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare;

Terrorizmi, është një akt mjeran dhe kërcënon sigurinë e njerëzve, qoftë në Lindje apo në Perëndim, në Veri apo në Jug dhe përhap panik dhe pesimizëm, por kjo jo për shkak të fesë, edhe kur terroristët e instrumentalizojnë atë. Por për shkak, në vend të një grumbulli interpretimesh të pasakta të teksteve fetare dhe të politikave të lidhura me urinë, varfërinë, padrejtësinë, shtypjen dhe krenarinë.

Kjo është arsyeja, përse është kaq e domosdoshme të ndalohet mbështetja e lëvizjeve terroriste të nxitura nga financimi, ofrimi i armëve dhe strategjisë, dhe nga përpjekjet për t’i justifikuar këto lëvizje edhe duke përdorur median. Të gjitha këto, duhet të konsiderohen si krime ndërkombëtare, që kërcënojnë sigurinë dhe paqen botërore. Ky terrorizëm, duhet të dënohet në të gjitha format dhe shprehjet e tij;

Koncepti i qytetarisë, bazohet në barazinë e të drejtave dhe detyrave, sipas të cilave të gjithë gëzojnë drejtësi. Prandaj është thelbësore, që në shoqëritë tona të krijojmë konceptin e qytetarisë së plotë, dhe të hedhim poshtë përdorimin diskriminues të termit ‘pakicë’, që nxit ndjenjat e izolimit dhe inferioritetit.

Marrëdhëniet e mira midis Lindjes dhe Perëndimit, janë të padiskutueshme të nevojshme për të dyja. Ata nuk duhet të neglizhohen, pasi vetëm kështu  secili mund të pasurohet nga kultura e tjetrit, nëpërmjet shkëmbimit dhe dialogut të frytshëm.

Është gjithashtu e rëndësishme, të forcohet lidhja e të drejtave themelore të njeriut, për të ndihmuar në sigurimin e një jete dinjitoze për të gjithë burrat dhe gratë e Lindjes dhe Perëndimit, duke shmangur politikën e standardeve të dyfishta;

Për këtë qëllim, me anë të bashkëpunimit të ndërsjellë, Kisha Katolike dhe Al-Azhar, shpallin dhe premtojnë ta përcjellin këtë dokument autoriteteve, liderëve me ndikim, njerëzve të fesë në mbarë botën, organizatave të duhura rajonale dhe ndërkombëtare, organizatave të shoqërisë civile, institucioneve fetare dhe mendimtarëve kryesorë.

Më tej ata zotohen, që t’i bëjnë të njohura parimet e përfshira në këtë Deklaratë në të gjitha nivelet rajonale dhe ndërkombëtare, duke kërkuar që këto parime të përkthehen në politika, vendime, tekste legjislative, kurse studimi dhe materiale që do të shpërndahen.

Al Azhar dhe Kisha Katolike, kërkojnë që ky Dokument të bëhet objekt i hulumtimit dhe reflektimit në të gjitha shkollat, universitetet dhe institutet studimore, duke ndihmuar kështu edukimin e gjeneratave të reja, për të sjellë mirësi e paqe tek të tjerët, dhe për të qenë kudo mbrojtës të të drejtave të të shtypurve.

Në përfundim, aspiratat tona janë:

Kjo Deklaratë, mund të përfaqësojë një ftesë për pajtim dhe vëllazëri midis të gjithë besimtarëve, në fakt midis besimtarëve dhe jobesimtarëve, dhe midis të gjithë njerëzve me vullnet të mirë;

Kjo Deklaratë, mund të jetë një apel për çdo ndërgjegje të drejtë, që hedh poshtë dhunën e mjerueshme dhe ekstremizmin e verbër; një apel për ata që çmojnë vlerat e tolerancës dhe vëllazërisë, të cilat nxiten dhe inkurajohen nga fetë;

Kjo Deklaratë mund të jetë gjithashtu një dëshmi e madhështisë së besimit në Zot, që bashkon zemrat e ndara dhe e lartëson shpirtin njerëzor;

Kjo Deklaratë, mund të jetë një shenjë e afërsisë midis Lindjes dhe Perëndimit, midis Veriut dhe Jugut, dhe midis të gjithë atyre që besojnë se Zoti na ka krijuar për të kuptuar njëri-tjetrin, bashkëpunuar me njëri-tjetrin, dhe jetuar si vëllezër e motra që e duan njëri-tjetrin.

Kjo është ajo që ne shpresojmë dhe po përpiqemi të arrijmë, me synim arritjen e një paqe universale, që të gjithë ne mund ta gëzojmë në këtë jetë.

Abu Dhabi, 4 shkurt 2019

 

Përktheu:Alket Goce
/gazetamendimi.com/

Postime te ngjajshme