Dashuria, paqja dhe toleranca sipas Islamit

Islami si fe hyjnore dhe e fundit e ardhur prej Zotit si parim për njerëzimin ka paqen. Këtë parim të fuqishëm e kemi për detyrë t’ua ofrojmë dhe predikojmë të tjerëve, në shkolla, universitete, mediume, libra, në shtëpi dhe kudo që kemi mundësi ta sqarojmë këtë. Përmes kësaj i jepet një grusht çdo përpjekjeje për agresion, dhunë dhe jotolerancë.
Planprogramet mësimore si dhe punimet shkencore duhet të jenë të mbështetura në këtë parim madhor. Kjo është rruga e suksesit dhe avancimit të besimit në Allahun xh.sh. dhe metodë e bashkëpunimit tonë ndërmjet nesh dhe me jomuslimanët. Allahu thotë: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi, këshillë të mirë dhe polemizo me atë që është më e mira.” (Nahl, 125)
Gjithashtu, Kur’ani sugjeron Pejgamberin a.s: “Sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do të shkapërderdheshin prej teje.” (Ali Imran, 159) .

Islami ndalon dhunën dhe luftimin e grave, të moshuarve, fëmijëve si dhe dëmtimin e pronave. Kjo është forma sesi veproi i Dërguari dhe udhëheqësit e drejtë pas tij. “O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat) e All-llahu është i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” (Huxhurat, 13)

Nëpërmjet këtij ajeti, Kur’ani na mëson se është parim themelor që të gjithë njerëzit janë vëllezër e të cilët rrjedhin prej një babe e prej një nëne dhe se urtësia e krijimit dhe ndarjes në popuj dhe fise është lehtësimi për t’u njohur dhe afruar njëri me tjetrin. Për të bashkëpunuar në forma të ndryshme të jetës:ekonomisë, politikës e tregtisë, etj. Njohja mes njerëzve është e domosdoshme pa marrë parasysh dallimet në çështjet e besimit, sepse, fundja, secili ka rrugëtimin e vet të lirë derisa nuk cenon të drejtën e tjetrit. Kur’ani urdhëroi që debati mes njerëzve të jetë në formën më të mirë duke respektuar bindjet e tjerëve: “Ithtarët e librit mos i polemizoni ndryshe (kur i thirrni në fenë tuaj) vetëm ashtu si është më së miri, përveç atyre që janë mizorë dhe thuajuni: “Ne i besuam asaj që na u zbrit dhe që u zbrit juve dhe se Zoti ynë dhe Zoti juaj është një, dhe se ne i jemi dorëzuar Atij.” (Ankebut, 46)

Në këtë ajet shohim rregullin të cilin e vendosi Krijuesi për besimtarët gjatë polemizimit dhe dialogut me jomuslimanë, në veçanti me të krishterët dhe çifutët. Ajeti tjetër që forcon këtë dëshmi është: “Thuaju (o i dërguar): “‘O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: të mos adhurojmë, pos All-llahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos konsiderojmë njëri – tjetrin zotër pos All-llahut!” E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (besuam një Zot)!” (En’am, 64)

Si dhe ajeti tjetër: “All-llahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; All-llahu i do ata që mbajnë drejtësinë. All-llahu ju ndalon t’u afroheni vetëm atyre që ju luftuan për shkak të fesë, që ju nxorën prej shtëpive tuaja dhe që ndihmuan dëbimin tuaj; ju ndalon të miqësoheni me ta. Kush miqësohet me ta, të tillët janë dëmtues të vetvetes.” (Mumtehine, 8-9) Të gjithë këto ajete dhe të tjerë dëshmojnë përkushtimin paqësor dhe të mëshirshëm që ka Libri islam ndaj besimeve të tjera. Parim i Kur’anit është mirësia, drejtësia dhe paqja, pa dallim bindje dhe religjioni.

Popujt kanë bindjet, traditat dhe idetë e tyre të cilat sipas Kur’anit janë të respektuara dhe në konsideratë. Ashtu siç ne dëshirojmë të jemi të respektuar duhet edhe të respektojmë! Muhamedi a.s. porosiste të deleguarit e tij: “Përgëzoni dhe mos dëshpëroni, lehtësoni dhe mos vështirësoni.” Është kjo një porosi e urtë dhe domethënëse për të gjithë ata që dialogojnë. Ai në Medine ndërtoi shtetin dhe shoqërinë mbi bazën dhe parimin e respektit të ndërsjellë në raport me jomuslimanët. Ai atyre u garantoi sigurinë dhe paqen.
Besimin e tyre, bindjet dhe të drejtën për jetë. Ai nënshkroi traktatin të mbështetur në thirrjen kur’anore për drejtësi dhe respekt ndaj jehudëve dhe të krishterëve të cilët jetonin në Medine. Islami është i ndërtuar mbi parimin e drejtësisë, dashurisë dhe paqes mes popujve. Xhihadi nuk është synim themelor i Islamit, ai mund të jetë i keqkuptuar dhe jo mirë i interpretuar prej nesh.
Sot mjeti më i fortë është përpjekja paqësore për të ndërtuar raporte dhe marrëdhënie të mira. Kuptohet, një popull nuk guxon t’i ndaloj tjetrit lirinë e fesë dhe besimit dhe të praktikimit të riteve. Sa u përket të drejtave dhe lirive të jomuslimanëve në shtetin musliman, është e njohur se Kur’ani kërkon respektimin e plotë të të drejtave të tyre, të punës, përfitimit etj. Ata duhet të mbrohen në rast të sulmit dhe dhunës ndaj tyre. Është obligim mbrojtja e tyre në shtetin musliman. Në shoqëritë me shumicë muslimane kërkohet ndërtimi i marrëdhënieve të mira me pakicat jomuslimane, pa dallim besimi, race, ngjyre etj. Muhamedi a.s. tha: “Ai i cili i bën një të padrejtë një jomuslimani apo e ngarkon tejet mase, apo i merr diçka pa leje, do të jem kundërshtarë i tij në Ditën e Gjykimit.” Aliu r.a. thoshte: “Pasuria e tyre është e jona, pasuria jonë është e tyre dhe gjaku i tyre është si i yni.” Pra, shoqëria muslimane ka detyrë të mbrojë jetën e jomyslimanëve – ithtarëve të librit, të krishterëve dhe çifutëve në veçanti, pronën e tyre, shëndetin, nderin si dhe kujdesin e veçantë për të moshuarit dhe të sëmurit e tyre, kështu urdhëroi Halid bin Velidi me të krishterët në Irak.

Kështu Omeri r.a. pa një njeri të moshuar çifut i cili kishte dalë të kërkonte lëmoshë në rrugë, Omeri e mori dhe urdhëroi që nga thesarin i shtetit t’i ofrohej ndihmë të përhershme për nevojat e këtij të moshuari dhe e largoi atë nga rruga. Islami gjithashtu garantoi lirinë e besimit të tyre. Allahu thotë: “Në fe nuk ka dhunë.” (Bekare, 256).
Si dhe: “A ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?” (Junus, 99) Islami në raport me të krishterët dhe çifutët u bëri të lejuar muslimanëve ushqimin e tyre, martesën me vajzat e tyre, siç e përmend edhe ajeti kur’anor: “Sot u lejuan për ju ushqimet e mira, edhe ushqimet (të therrurat) e ithtarëve të librit (të krishterët dhe çifutët) janë të lejuara (hallall) për ju, edhe ushqimet (të therrurat) tuaja janë të lejuara për ta (u janë lejuar). Gratë e ndershme besimtare, dhe (gra) të ndershme nga ata të cilëve u është dhënë libri para jush, kur atyre u jepni pjesën e caktuar të kurorës, por duke pasur për qëllim martesën, jo imoralitetin dhe jo si dashnore ilegale. E kush mohon (tradhton) besimin, ai ka asgjësuar veprën e vet dhe ai në botën tjetër është prej të shkatërruarve. (Maide, 5)
Nga ajo që potencuam më lartë, kuptojmë se Islami ka parim dashurinë, respektin, paqen dhe tolerancën mes popujve dhe besimeve të ndryshme dhe të shumta, e në veçanti raportet me ithtarët e librit, të krishterët dhe çifutët. Dhuna, padrejtësia dhe mohimi i lirisë së tjerëve nuk është parim i Islamit dhe porosive të tij.

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

53 − = 48