Besnikëria në Kuran

1. Besnikëria në marrëveshje.

Ajeti që vijon tërheq vëmendjen në këtë lloj besnikërie: “Mos e shfrytëzoni pasurinë e jetimit ndryshe, përveçse në mënyrë të mirë (për t’ia shtuar), gjersa ai të arrijë pjekurinë e vet. Premtimin çojeni në vend, sepse për premtim ka përgjegjësi. Masën mbusheni kur matni dhe peshoni me peshore të saktë. Kjo është më e dobishme dhe sjell përfundim më të mirë.” (Isra, 34-35)

2. Besnikëria në fjalë.

Ka kuptimin e mbajtjes së fjalës së dhënë. Ajeti i mposhtëm tërheq vëmendjen te kjo cilësi: “Sepse ai (Ismaili) e mbante fjalën dhe ishte një profet i dërguar nga Ne.” (Merjem, 54)

3. Besnikëria në blatim.

Me blatim në këtë rast kuptojmë vendimin personal për të kryer një vepër të lejuar, me qëllim të ibadetit dhe të arritjes së kënaqësisë së Allahut. Blatimi, ajo çka blatojmë, mbart kuptimin e një dhurate që ia dhurojmë një individi apo institucioni. Në lidhje me këtë çështje mund të kujtojmë këtë ajet: “Ata janë që i vënë në vend blatimet e tyre dhe i tremben një dite, dëmi i së cilës ka përmasa të mëdha.” (Insan, 7)

4. Besnikëria në peshë e masë.

Të maturit dhe të peshuarit e saktë e pa mangësi, kryesisht në tregtim. Kjo çështje argumentohet, ndër të tjera, me këtë ajet: “Matni saktë dhe mos u bëni ndër ata që lënë mangët.” (Shuara, 181).

5. Besnikëria në kontrata.

Me kontratë kuptojmë arritjen e dy personave ose të dy palëve në një marrëveshje për një çështje pune apo angazhimin e tyre në një premtim të ndërsjellë (si akti i nikahut) Në lidhje me këtë çështje mund të mjaftohemi me këtë ajet: “O ju që besuat! Zbatojini kontratat!” (Maide, 1)

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

11 + = 12