Besimtarë janë ata që të tjerët janë të qetë nga gjuha dhe dora e tyre

Profeti Muhamed ka deklaruar se nuk mund të jetë dikush besimtar përderisa të tjerët nuk janë të sigurtë nga gjuha dhe dora e tij.
Besimtari i vërtetë nuk i hidhëron e nuk i lëndon të tjerët me fjalët e tij, por as nuk e dëmton askë me veprimet e tij.
Fatkeqësisht sot njerëzit po dëmtohen më së shumti nga ata që po thirren rrejshëm në dispozitat fetare.
Injorantët fetar të vetëshpallur dijetar të fesë dhe oportunistët dashakeq, duke u thirrur në Kur’an dhe Sunet mëtojnë legjitimimin e absurditeteve të tyre të cilat i veprojnë në emër të fesë, por gjithnjë për qëllime të caktuara të tyre.

Duke mos lëshuar nga goja përmendjen e Kur’anit dhe Sunetit, disa mundohen të shndërrohen në autoritet të vetëm dhe absolut fetar.
Feja sot po keqpërdoret nga individ dhe grupe, për t’i heshtur dhe eliminuar njerëzit e arsyes dhe logjikës.
Si në Kosovë, një ashtu edhe jashtë saj, hoxhallarët e mirëfilltë janë kërcënuar dhe linçuar nga persona që janë thirrur formalisht në Kur’an dhe Sunet.
Kjo ka qenë metodologji djallëzore e njerëzve të sëmurë, që t’i largojnë nga skena njerëzit kompetent, për t’i hapur rrugë vetës, që vetë të prejnë e vetë të qepin petkun që do ta vishnin popullata e pafajshme, por e indoktrinuar.

Ekstremistët i kanë shpallur luftë jo vetëm besimtarëve, por gjithë botës së qytetruar.
Është tragjedi kur shohim se si vrasjet, plaçkitjet, perdhunimet dhe tmerre të tjera arsyetohen duke keqpërdorur Kur’anin dhe Sunetin.
Duhet ta kuptojmë se mësimet fetare thërrasin në vlera të mirëfillta, duke porositur për dashuri, harmoni, paqe, dhembshuri dhe respekt ndaj njëri-tjetrit.
Andaj le të dihet se ata që në emër të fesë bëjnë thirrje për dhunë, vrasje, linçime dhe perçarje, ata nuk janë pasues të Kur’anit dhe Muhamedit paqja qoftë mbi të, ata janë armiqtë dhe dëmsjellësit më të mëdhenjë të islamit, myslimanëve dhe njerëzimit në përgjithësi.

Foltash

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

2 + 5 =