Agjërimi si rit fetar dhe edukim shpirtëror

Agjërimi si praktikë e përgjithshme është një rit fetar, i cili bashkë me njerëzimin ka udhëtuar që nga e kaluara e thellë dhe e lashtë historike, i evoluar përmes formave dhe modaliteteve të ndryshme. Në praktikën e Islamit, agjërim do të thotë abstenim-distancim nga rutina e përditshme ushqyerjes dhe e intimitetit fizik epshor brenda orëve ta caktuara të ditës, me një kohëzgjatje të kufizuar, e cila fillon para lindjes së diellit dhe përfundon me perëndimin e tij. Kohëzgjatja e agjërimit nuk është e barabartë për të gjitha shtrirjet gjeografike të tokës. Në vendet skandinave, dita mund të shkoj deri në 22 orë, pra është shumë më e gjatë sesa në pjesët tjera të planetit tokë. Prandaj, për këtë pjesë të tokës, ku myslimanët e praktikojnë agjërimin, dijetarët e sotëm mysliman janë të ndarë në dy tabore kryesore. Një grup i tyre, kryesisht sauditë beson se, agjërimi në këto vende duhet të vazhdohet aq sa është edhe kohëzgjatja e ditës, ndërsa grupi tjetër nga universiteti i el-Az-harit mendon se, agjërimi në këto vende duhet filluar dhe mbaruar sipas kohës së lindjes dhe perëndimit të diellit në Meke, si qendër botërore islame që është, ku dita dhe nata gjatë gjithë pjesës më të madhe të vitit janë 12 me 12 orë.

Si do që të jetë, në mësimet islame, qëllimi kryesor për agjërimin e muajit të ramazanit është përkushtimi shpirtëror dhe rritja e devotshmërisë ndaj Zotit, e cila manifestohet mbi bazën e besimit dhe vullnetit të lirë të secilit. Në rast se ne dikë e shtyjmë me detyrim të agjëroj, atëherë vlera e agjërimit e humb domethënien primare dhe qenësore të tij. Me fjalë tjera, ashtu siç nuk lejohet të ketë imponim për të besuar në Zot, njashtu nuk lejohet ndaj askujt të ketë imponim që të agjëroj jashtë vullnetit të tij të lirë. Zaten, agjërimin si formë adhurimi praktikohet vetëm nga ata të cilët e ndiejnë besimin në Zot, përndryshe ai nuk mund të ketë ndonjë kuptim tjetër, veçse të qëndruarit së urituri dhe së eturi kotë. Praktikimin e agjërimit nuk mund ta perceptoj një ateist apo një natyralist, sepse ata nuk besojnë as në Zot e as në misionin e Tij hyjnor. Ndryshe, perceptimet e vjetra, se ditët e ramazanit në çfarëdo kushte dhe në çfarëdo rrethana duhet të përmbushën pa përjashtime, nuk qëndrojnë as fetarisht e as shkencërisht. Nga agjërimi i ditëve të muajit të ramazanit mund të përjashtohen; fëmija i moshës së njomë, i sëmuri me dergjje kronike, i shtyri në moshë të skajshme, udhëtari i distancave të largëta, puna mbi kushte të rënda fizike e të pa alternativë për të siguruar kafshatën e vet dhe të familjes, pastaj profesionet të cilat kërkojnë përqendrim të përpiktë e të zgjatur kohor, siç mund të jenë operacionet e gjata dhe të ndërlikuara në fushën e mjekësisë dhe profesione të tjera të ngjashme, gratë shtatzëna, si dhe raste të tjera të cilat, për shkak të profesionit dhe natyrës së angazhimit, agjëruesin mund ta qojnë në gjendje të pa përballueshme dhe shpërqendruese shpirtërore dhe fizike. Me përjashtim të fëmijës së moshës së njomë, të shtyrit në moshë të skajshme si dhe të sëmurit kronik, pjesa tjetër e të lartpërmendurve, ditët e lëshuar të ramazanit sipas shpjegimit të shkollave juridike të Islamit, i zëvendësojnë kurdo që kanë mundësi përgjatë vitit. Simbolika e agjërimit, ka kuptimin edhe të solidaritetit dhe afërsisë mes njerëzve, zbutjen e zemrave si dhe kultivimin e dhembshurisë shpirtërore mes qenies njerëzore pa dallim.

Ndjenja e urisë gjatë agjërimit, çdo njërit duhet t`i përkujtoj ndjenjën e miliona e miliona njerëzve të uritur kudo në botë, të cilëve ushqimi i mjaftueshëm ju mungon jo vetëm gjatë orëve të caktuar të ditës , por me javë, muaj e vite të tëra. Nëse agjërimi nuk reflekton dhe nuk përkthehet praktikisht në dashuri, butësi, afërsi dhe bashkëpunim të sinqertë e të besueshëm, atëherë Zoti ynë nuk është i nevojshëm as për urinë e as për etjen tonë. I lehtë qoftë muaji i ramazanit për gjithë agjëruesit! U rrit solidariteti mes nesh si besimtar dhe gjithë njerëzimit mbarë !

Autor : prof. Xhabir Hamiti

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

8 + 1 =