A të ruajmë ne fenë apo feja na ruan ne?

 A duhet ta ruajmë ne fenë apo feja është ajo që na ruan neve?

Nëse themi që ne po e ruajmë fenë, atëherë feja ka nevojë për kujdestar e nëse ajo na ruan neve, atëherë është argument që jemi në rrugë të mbarë. Ne nuk e ruajmë dhe nuk kërkohet ta ruajmë fenë, por ne e duam atë sepse na mëson dhe orienton në besim dhe vlera njerëzore. Zoti e bëri Kuranin, udhërrëfyes dhe drejtues drejt besimit, moralit, kulturës dhe mirësjelljes. Kushdo e merr këtë mësim por edhe kushdo është i lirë. Vlerat njerëzore dhe humane ekzistojnë në natyrshmërinë e njeriut, pa dallim besimi, siç edhe thotë Muhamedi a.s: “Secili lind në natyrshmërinë” Kjo nënkupton në natyrshmërinë e drejtësisë, humanizmit, bamirësisë dhe dhembshurisë si dhe ruajtjes se shpirtit. Mos të harrojmë që për fenë kujdeset Zoti, i Cili e ruan atë dhe nuk ka nevojë e as vend për shqetësim. Fenë nuk e ruajnë individët e as institucionet fetare, por ato janë që vetëm e proklamojnë apo e shpjegojnë. Tërë gjakderdhjet dhe vrasjet nga periudhat e hershme të Islamit janë si pasojë që çdo grup, fraksion apo sekt e pretendon se është në rrugën e drejt, dhe kështu e luftuan njëri tjetrin nën arsyetimin se ata po e ruajnë dhe po kujdesen për fenë.

Njerëzit duhet të kuptojnë se feja e Zotit nuk ka nevojë për roje e as për kujdestari. Sot grupimet terroriste i kanë dhënë vetes të drejtën e kujdestarisë 24 orësh të fesë, duke e përdorur atë si arsyetim për të sulmuar shpirtrat e njerëzve. Historia myslimane na tregon shembullin e të quajturës ‘Betejë e devesë” midis Aliut dhe Aishes. Cili në këtë rast e ruajti fenë dhe se a u zhvillua beteja për të ruajtur fenë apo për çfarë?! Feja nuk është në çantë që të ruhet. Feja nuk ka nevojë të ruhet, por ka nevojë të ruhet shpirti dhe të kuptohet mirë feja. Feja na ruan ne e jo ne atë.

Postime te ngjajshme