A janë muslimanët pasqyrë e Islamit?

Muslimanët e mençur dhe të vëmendshëm u befasuan me paraqitjen e një feje të re në emër të Islamit e të cilën e përfaqësojnë grupimet ekstremiste që argumentojnë veprimtarinë e tyre në thirrjet e disa të ashtuquajturve jurist të Islamit, të cilët jetuan gjatë shekujve të largët por edhe të vonshëm. Argumentimet e tyre janë pothuajse tërësisht në qëndrimet e atyre juristëve të cilët jetuan në kohëra të ndryshme dhe rrethana krejtësisht specifike, por të cilët kanë me qindra opinione që cenojnë jetët e njerëzve. Këto grupime assesi nuk sollën asnjë argument nga Kur’ani që legjitimon veprimtarinë e tyre e as një ngjarje nga jeta praktike e të Dërguarit Muhamed a.s.. Por çfarë bënë me fenë e re të tyre. Lexuan qëndrimet e të ashtuquajturve jurist që jetuan në kohën e prapambeturish totale, dhe ato qëndrime i zbatuan aty ku u erdhi mundësia e rasti. I shenjtëruan juristët e tyre dhe vazhdojnë të shenjtërojnë thëniet e disa dijetarëve Islam që assesi të lirohen nga diskursi i tyre se vetëm ata janë dhe e dinë të saktën se si duhet vepruar. Por ku qëndron problemi në tërë këtë rrëmujë sektare, ideologjike përballë secilit të vetëshpallur “përfaqësues i Zotit” në tokë?! A janë muslimanët e sotit pasqyrë e thirrjeve të Islamit? A është problemi te Islami ( e që nuk është) apo tek muslimanët?. Islami thërret në Paqe, ndërsa nëse muslimani i duartroket dhunës, atëherë çfarë të themi! Ku është problem dhe si duhet t’i qasemi në mënyrë që të dëshmojmë mbrojtjen tonë ndaj mësimeve të Islamit. Nëse themi që problem është tek muslimanët, atëherë kemi të bëjmë që Islami është mbetur në letër dhe i vendosur në vakum. Në suren Aliimran 110 I Madhërishmi Zot u thotë besimtarëve: ” “Ju jeni populli më i dobishëm ndër njerëzit”. Atëherë për cilët musliman është fjala këtu? Një gjë dihet, se nuk është fjala për muslimanët që nxisin dhe kënaqen me gjakderdhjen apo të atillë që nga larg i duartrokasin dhunës sektare. Por, ajeti Kur’anor flet për besimtarë normal, që e çmojnë besimin, jetën dhe punën e pastërtinë. Flet pë rata besimtarë që në emër të fesë nuk krijojnë kaos e shkatërrim në tokë dhe pë rata që janë të mëshirshëm, të dashur dhe punëtorë në shërbim të së mirës njerëzore. Nëse ne duam dhe kemi vullnet e jo tendencë, urgjentisht të ndajmë Islamin që është në Kur’an dhe në praktikën profetike, nga thëniet dhe opinionet e të ashtuquajturve jurist të mëdhenj e të cilët në realitet janë më se të vegjël. Nëse themi që muslimanët janë pasqyrë reale e Islamit, vërtetë ne gjendemi përballë një problem të madh që nuk përfundon me mposhtjen e Isis-it por do të jetë betejë e gjatë për të reformuar shumëqka. Rishikimi i teksteve të autorëve, apo edhe shmangia krejtësisht nga thirrjet e tyre dhe rikthimi drejt Kur’anit dhe praktikës profetike, do ishte betejë e gjatë me mundime, por gjithsesi me rezultate të shëndosha e të dobishme. Andaj, literatura e trashëguar dhe praktikuar me fanatizëm dhe paralelizmi ndaj Fjalës së Zotit e praktikës profetike, ka bërë që të kemi grupime me një praktikë të re të quajtur Islame por assesi e mbështetur në mësimet Islame. Muslimanët sot, kanë nevojë imediate që t’i shpallin një moratorium pothuajse të përjetshëm literaturës që jep pasqyrë të kundërt me Kur’anin dhe praktikën profetike si dhe vlerat njerëzore.

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

+ 2 = 8