A është feja islame “puro” dogmatike?

A është feja islame dogmatike në mënyrën si po e kujtojnë të tjerët, që mendojnë se është “puro” dogmatike, dhe a kemi gjë faj (gjynah) ne myslimanët pse ata mendojnë ashtu?

Në ajetin 110 të kaptinës Ali Imran, Zoti thotë:
“Jeni ymeti më i mirë nga njerëzit, sa kohë që urdhëroni të veprohet e mbara e të mos veprohet e mbrapshta dhe i besoni Allahut…”

Sikur feja islame të ishte e tillë (vetëm e vetëm dogmatike), në të cilën të ketë interesim vetëm për dogmën dhe jo edhe për humanizmin, vlerat…, nuk do ta renditte Zoti besimin në Të të fundit në këtë ajet, pasi që ka lavdëruar më parë bashkësinë e Muhamedit a.s. që thërrasin të tjerët të bëjnë vepra të mbara e të mos bëjnë vepra të mbrapshta.

Madje, dijetari Esh-Sharavi, në këtë renditje ka vërejtur pohim kuranor që ka dhe do të ketë edhe nga ata që nuk janë myslimanë që anojnë dhe thërrasin për vepra të mbara e kundër të mbrapshtave.

Ndërkaq, është e vërtetë që shumë myslimanë, nga mënyra si e kuptojnë e si e performojnë fenë në raport me vlerat e përbashkëta humane e me të tjerët, të lënë përshtypjen se feja e tyre qenka vërtet “puro” dogmatike.

Dijetari Muhamed esh-Sharavi duke vërejtur se në këtë ajet Zoti, duke lëvduar një kategori njerëzish, më parë u përmend që urdhërojnë për bërje të veprave të mbara e për mosbërje të punëve të mbrapshta e tek pastaj ua përmend besimin (Jeni ymeti më i mirë nga njerëzit, sa kohë që urdhëroni të veprohet e mbara e të mos veprohet e mbrapshta dhe i besoni Allahut…), thotë që Zoti është shprehur me këtë renditje për të lënë të kuptohet se do të ketë edhe të tjerë, që nuk janë ymet i Muhamedit a.s., që do të anojnë nga e mbara dhe që do të thërrasin për të mbarën.

Një vërejtje sintaksore lidhur me përkthimin e ajetit të cituar më lart:

Lëvdata në këtë ajet për ymetin e Muhamedit a.s. se janë ymeti më i mirë, jepet e kushtëzuar: jeni ymeti më i mirë nëse/sa kohë që urdhëroni të veprohet e mbara e të mos veprohet e mbrapshta…

Ky kushtëzim nuk shprehet me fjalë të pavaruara, por përftohet nga lloji i lidhjes sintaksore të fjalive: nga mungesa e një fjale shërbyese nëpërmjet së cilës do të lidheshin fjalitë, në gjuhën kuranore përftohet kuptimi i kushtit si raport ndërmjet kuptimeve të fjalisë kryesore dhe të asaj të varur (jeni kështu, nëse ruani këtë karakteristikë)

Prandaj, kur ky ajet përkthehet në gjuhë të tjera, si në gjuhën shqipe, për ta dhënë dhe këtë kuptim të kushtit që përmbahet në ajet; idenë e raportit kushtor ndërmjet kuptimeve të fjalive duhet ta japim me fjalë – me mjete lidhëse: jeni ymeti më i mirë nga njerëzit nëse/sa kohë që urdhëroni të veprohet e mbara e të mos veprohet e mbrapshta…

/Ilmi Rexhepi/

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

+ 17 = 18