A është e rrezikuar Kosova nga ekstremizmi? Flet eksperti i sigurisë

Podujeva e Suhareka, dolën dy nga qytetet që janë më së paku të rrezikuara nga ekstremizmi, por si qëndron Kosova si shtet në raport me këtë fenomen?

Me radikalizmin dhe ekstremizmin fetar që çon në terrorizëm, përballet e gjithë bota sot.

Nga të gjitha vendet e botës, njerëz e më së shumti të rinj, kanë udhëtuar drejtë shteteve arabe për tu bërë pjesë e luftërave të përgjakshme të organizatave terroriste.

Organizata terroriste ISIS ka rekrutuar qindra-mijëra të rinj e të reja nga e gjithë bota, e në mesin e tyre janë edhe 300 persona nga Kosova.

Në Kosovë, si fushatë kundër ekstremizmit, institucionet e sigurisë së vendit arrestuan një numër të madh personash të dyshuar për lidhje me Shtetin Islamik, e ndër ta u arrestuan edhe hoxhollar në cilësinë e të dyshuarve për nxitje në luftërat e ashtuquajtura ‘të shenjta’ në shtetet arabe.

Për të diskutuar në lidhje me ekstremizmin dhe radikalizmin në Kosovë, lajmi.net ka kontaktuar me ekspertin dhe profesorin e shkencave të sigurisë, Avni Islami.

Islami duke u shprehur i bindur për saktësinë e raportit të djeshëm të KIPRED, tha se Kosova ka punuar mjaft mirë në luftimin e këtij fenomeni.

“Unë i besoj këtij raporti sepse vet jam nga qyteti i Podujevës dhe duke iu falënderuar Bashkësisë Islame, OJQ-ve të ndryshme dhe institucioneve të sigurisë, që të gjithë së bashku nuk kanë lejuar që organizatat e ndryshme të dyshuara dhe individ të caktuar të përhapin ide radikaliste”, është shprehur Islami.

Duke cekur numërin e madh të luftëtarëve që kanë shkuar në luftërat arabe nga territori i Kosovës, ai është shprehur se falë punës së institucioneve të sigurisë dhe organizatave jo-qeveritare, Kosova tani nuk qëndron keq karshi organizatave ekstremiste dhe individëve që tentojnë të përhapin këso ide.

“Faza e parë e kalimit në terrorizëm është radikalizmi dhe shpëlarja e trurit nga individ me mision të caktuar. Kësisoj, Kosova ka punuar në parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie ku për fat të keq është dashur të merren edhe hapat e fundit, e të arrestohen persona të dyshuar për përhapje të këtyre ideve”, shtoi Islami.

“Mendoj se në këtë fazë ku jemi, Kosova nuk qëndron keq karshi grupeve radikale për shkak se institucionet, Policia e Kosovës, AKI dhe mekanizmat e tjerë janë duke i monitoruar të gjithë ata të dyshuar që punojnë në atë drejtim”, shtoi më tutje Islami.

Islami për lajmi.net shtoi se Kosova duhet të qëndroj e gatshme edhe në të ardhmen dhe t’i mbajë nën vëzhgim personat e dyshuar për ide radikaliste që i keqpërdorin të rinjtë.

Ai më tutje ka potencuar se këta persona nuk duhen të lihen të lirë të punojnë çfarë dëshirojnë.

“Mendoj se Kosova është në rrugë të mirë dhe nuk do të lejojë të radikalizohet më tepër shoqëria kosovare. Tashmë, në saje të vetëdijesimit, të rinjtë tanë vështirë keqpërdoren nga organizata, grupe dhe individ të caktuar me ide të tilla”, tha krejt në fund Islami për lajmi.net.

Vlen të theksohet se ka pasur edhe të vdekur nga Kosova në luftërat e përgjakshme arabe e sidomos në Siri, ku ende tash e vite me radhë po vazhdon lufta. /Lajmi.net/

Postime te ngjajshme