A duhet të lejohen të kthehen në shtëpi,mijëra luftëtarë të ISIS dhe familjet e tyre?

Nga Courtney Vinopal “PBS News”

Kanë kaluar 2 javë, qëkur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, shpallën humbjen territoriale të të ashtuquajturit Shtet Islamik. Presidenti Donald Trump, e përkufizoi humbjen e ISIS si një fitore të madhe.

Por tani që Kalifati i ISIS-it ka rënë, SHBA-ja dhe vendet e tjera, po përballen me një sfidë të re:nëse do të riatdhesojnë apo jo mijëra luftëtarë të huaj të ISIS, si dhe gratë dhe fëmijët e lidhur me grupin, të cilët po mbahen në kampet e refugjatëve dhe në burgjet në verilindje të Sirisë dhe Irakut.

Një zëdhënës i Forcave Demokratike të Sirisë, vlerësoi javën e kaluar se 12.000 gra dhe fëmijë të huaj, po mbahen vetëm në kampet në Siri, dhe rreth 1.000 luftëtarë të huaj janë mbyllur në burgjet e rajonit.

Dhe mesa duket, pak qeveri janë të gatshëm t’i pranojnë ata. Ndërsa disa vende, kanë riatdhesuar në të shkuarën ish-anëtarë të ISIS, shembja e Kalifatit, e ka detyruar SHBA-në dhe aleatët e saj të kërkojnë një sistemim më të përhershëm.

Shumë qeveri, druhen se mirëpritja e shtetasve që me dëshirë iu bashkuan ISIS-it, do të ishte politikisht jopopullore në sytë e opinionit publik, si dhe një kërcënim për sigurinë e kombeve të tyre. Ndërkohë, jo të gjitha gratë dhe fëmijët e lidhur me grupin ekstremist, janë domosdoshmërisht fajtore për kryerjen e mizorive, dhe lënia e tyre që të vuajnë në kampet e refugjatëve, shihet si e papranueshme nga shumë organizata të të drejtave të njeriut.

ISIS fitoi njohje globale në prag të Pranverës Arabe, kur përfitoi nga trazirat politike dhe sektare, për të pushtuar territore në Irak dhe Siri, dhe për të krijuar një Shtet Islamik, të njohur si Kalifat. Deri në vitin 2017, rreth 40.000 luftëtarë të huaj kishin udhëtuar në rajon, jo vetëm nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, por edhe nga Evropa Perëndimore dhe SHBA.

Ndërsa punoi për të zgjeruar praninë e tij fizike në Lindjen e Mesme, ISIS promovoi ideologjinë e tij në mënyrë agresive për një audiencë globale, në platformat e mediave sociale si Twitter dhe YouTube. Ai mori përgjegjësinë e qindrave sulmeve të kryera në mbarë botën, duke vrarë qindra njerëz në vende si Franca, Belgjika, Tunizia dhe Filipinet.

Teksa zgjerohej, grupimi ekstremist u dha gjithnjë e më shumë grave një rol qëndror në taktikat e rekrutimit. Në vitin 2018, rreth 13 për qind e rekrutëve të huaj të ISIS ishin gra, shumica prej të cilëve u joshën nga premtimi i një shoqërie të re, sipas një analize nga Qendra Ndërkombëtare për Studimin e Radikalizimit. Kjo ishte veçanërisht e vërtetë për gratë myslimane, që e cilësonin shoqërinë perëndimore si shtypëse dhe jo-mirëpritëse për fenë e tyre.

Edhe fëmijët, kishin një rol të rëndësishëm në taktikat e rekrutimit të ISIS-it, Një raport i Kolegjit Mbretëror të Londës, vlerësoi se 12 për qind e individëve që udhëtuan jashtë vendit, për të luftuar për ISIS-in midis viteve 2013- 2018, ishin të mitur.

Megjithëse, disa prej këtyre janë rikthyer në vendet e tyre, mijëra të tjerë po mbahen në kampet e refugjatëve në Sirinë verilindore, duke përfshirë edhe 3.000 fëmijë të lindur nga anëtarët e ISIS. Kethrin Braun, profesore e Studimeve Islame në Universitetin e Birminghemit në Britani, thotë se vendet po përballen me një sfidë unike në trajtimin e grave, që kanë udhëtuar jashtë vendit për të luftuar për ISIS-in.

Kjo pasi sipas tij, mund të jetë e vështirë të dëshmohet që ato kanë marrë pjesë në akte dhune, dhe për shkak se gratë portretizohen zakonisht si viktima, edhe nëse kanë ndihmuar në krimet e kryera nga ISIS. Ideja e riatdhesimit të anëtarëve të ISIS, është “shumë jopopullore”- tha Peter Njuman, që drejton Qendrën Ndërkombëtare për Studimin e Radikalizimit në Kolegjin Mbretëror të Londrës. “Pse do t’i ktheni terroristët në vendin tuaj? Njerëzit janë të lumtur që ata kanë ikur!”- thotë ai.

Por avokatët e të drejtave të njeriut, argumentojnë se lënia e të huajve në këto kampe, pa një mundësi kthimi, do të ishte e papranueshme. “Ka shqetësime legjitime të sigurisë për pranimin e këtyre shtetasve”- thotë Leta Tajler, studiuese në Human Rights Watch. Por kjo nuk justifikon mosveprimin. Sipas meje, qeveritë duhet t’i riatdhesojnë shtetasit e tyre, t’i hetojnë dhe t’i ndjekin penalisht nëse është e nevojshme. Dhe për ata që nuk kanë kryer krime, qeveritë duhet të përqëndrohen në rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre”-thotë ajo.

Vendet, si shtetet dhe qytetet anembanë botës, kanë eksperimentuar me programe rehabilitimi për ish-luftëtarët e ISIS. Në SHBA, Minesota testoi një program të tillë në rastin e një grupi somalezo-amerikan, anëtarët e të cilit ishin rekrutuar për t’ju bashkuar ISIS-it.

Në Danimarkë, qyteti i Aarhusit zbatoi gjithjashtu një program de-radikalizimi për luftëtarët e ISIS që ktheheshin në shtëpi, dhe po kështu edhe Ministria e Drejtësisë në landin e Hesenit në Gjermani. “Por se çfarë duhet bërë me ata që gjenden aktualisht në kampet e refugjatëve, kjo paraqet një sfidë unike, me të cilën vendet nuk duket se

janë të gatshme të merren. Nuk ka asnjë strategji”- thotë Çarls Lister, bashkëpunëtor në Institutin e Lindjes së Mesme, që e cilësoi situatën si të paprecedentë. Po çfarë ndodh, nëse atyre nuk u lejohet të kthehen në shtëpi? Rastet e tyre, ka të ngjarë të trajtohen nga kurdët në Siri ose irakianët. Kurdët kanë propozuar, që me këtë çështje të merret një gjykatë ndërkombëtare.

Por Lister vuri në dukje se nuk ka ende një kuadër ligjor, dhe tha se çdo zgjidhje e mundshme, do të duhej të ishte një përpjekje shumëpalëshe. Një gjë duket e sigurt:lënia e këtyre familjeve në harresë, mund të paraqesë një shqetësim për sigurinë në të ardhmen.

Përktheu:Alket Goce

Related posts

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

62 + = 63