Vetëm pse quajnë diçka Islam, nuk do të thotë se është Islam

25593528_323331051515530_523378498_n Njeriu duhet ta kuptoj se vetëm pse është fetar, nuk do të thotë se gjithmonë ka të drejtë. Praktikimi i vlerave islame është gjithmonë fisnike, por kjo duhet të bëhet me shumë dije dhe urtësi., sepse është shumë e rëndësishme. Imponimi apo detyrimi ndaj të tjerëve, asnjëherë nuk është e pranueshme nga normat dhe mësimet e mirëfillta islame. Ngaqë feja islame thërret në paqe dhe kundërshtim të dhunës, andaj edhe dhuna asnjëherë nuk mund të jetë mjet i realizimit të çfarëdo synimi, qofshin ato edhe fisnike. Zoti thotë në Kuran : Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota. (2:256). Dhe është shumë me rëndësi të theksohet se vetëm pse bëhet një veprim duke u thirrur në islam, nuk do të thotë se feja islame e pranon atë veprim , apo se thërret në ato veprime. Veprimet krye në vete edhe nëse kanë për qëllim të mirën, nëse bien ndesh me parimet fetare islame, atëherë ato konsiderohen jo legjitime. E mos të flasim për mëkatimet e mëdha, siç janë vrasjet, padrejtësia dhe tirania ndaj njerëzve, që sot po veprohen në emër të Zotit, në emër të Kuranit dhe fesë islame.

Pavarësisht se me rastin e kryerjes së këtyre krimeve, si vrasja e njerëzve të pafajshëm, e cila bëhet duke e përmendur Zotin, nuk do të thotë se Zoti e lejon këtë dhe se kjo është islame. Përkundrazi, kryerja e krimeve të tilla makabre duke u thirrur në emër të fesë, duke thirrur ‘Allahu Ekber’, vetëm se do ta sjellin mallkimin dhe ndëshkimin e Zotit mbi ata persona të cilët mundohen ta njollosin Zotin e Gjithëmëshirshëm dhe fenë e tij të drejtë. Zoti ka zbritur Kuranin dhe fenë islame për të na pajisur me moral, me ndershmëri, për të na fisnikëruar dhe të tregojmë dashuri dhe dhembshuri ndaj krijesave, e jo për t’i lënduar dhe vrarë ato. Zoti na thotë në Kuran se mbytja e pa të drejtë e një njeriu, është sikurse mbytja e tërë njerëzimit. Ata të cilët nuk i bindën këtij rregulli, atëherë mund të themi se ai person ka për qëllim ta shkatërroj fenë dhe rregullin hyjnor, ngaqë drejtësia është parim mbi të gjitha parimet. I Dërguari i Zotit, Muhamedi a.s. ka tërhequr vërejtjen ndaj ekstremizmin, ngaqë ka thënë se shkaku i ekstremizmit janë shkatërruar popuj të mëhershëm. Dhe njëherit Muhamedi a.s ka thënë: ‘Besimtarë i mirë është ai që të tjerët janë të sigurte nga gjuha dhe dora e tij.’ Kështu që tiranët dhe kriminelët që po shkatërrojnë jetët e njerëzve të pafajshëm edhe pse po thirren në emër të islamit, le ta dijnë se të tillët nuk mund konsiderohen besimtar dhe pasues të Muhamedit a.s. dhe veprat e tyre janë anti islame dhe anti njerëzore. Dhe thirrja e tyre në emër të islamit nuk do t’i legjitimoj veprat e tyre të shëmtuara dhe ata nuk përfaqësojnë as islamin, e as myslimanët.

Postime te ngjajshme