Ulug Beg – Perandori shkencëtar

24252211_10210791904413174_863507515_n

 

Autor: Mr. Besart SHALA

 

Mirza Muhammed Tarik bin Shah Ruk, i njohur si Ulug Beg, u lind më 1394 në Sultanije të Persisë, që tani më gjendet në Iranin e sotëm. Ulug Begu ishte perandor i madh Timurid, e poashtu astronom dhe matematikan, i cili njihet për kontributet e tij të çmuara në këto dy fusha, si dhe në disiplina të tjera që ndërlidhen me këto, siç janë: trigonometria dhe gjeometria sferike.

Emri me të cilin është i njohur, në të vërtet nuk është emri i tij personal, por është më tepër një ofiq, apo epitet i cili mund të përkthehet si ‘Sundues i madh’.

Ai ishte nipi i perandorit Timur (Tamerlani, 1336-1405), dhe i biri më i madh i Shah Rukut. Që të dy këta vinin nga fisi Mongol Barlas të Transoksanisë, që tanimë njihet si shteti i Uzbekistanit, kurse nëna e tij ishte një grua fisnike persiane, e quajtur Gohrashadi. Sikurse gjyshi i tij, Timuri, edhe ai ishte pasardhës i Baburit, themeluesi i Dinastisë Mongole.Më 1411, ai u bë udhëheqës sovran i tërë krahinës Mavarannahr.

 

Veprimtaria shkencore

 

Ulug Begu para se gjithash ishte shkencëtar, dhe në veçanti matematikan dhe astronom,

megjithëse, ai asnjëherë nuk e neglizhoi as artin, shkrimin e poezive dhe mësimin e Kur’anit. Më 1417, për të avansuar studimin e astronomisë, Ulug Begu filloi ndertimin e një universiteti, që shërbente për një edukim superior në shkencë dhe teologji.

24273182_10210791904453175_1336508075_nKy universitet i cili u ndërtua në sheshin Rixhistan të Samerkandit, u kompletua më 1420. Kurse menjëherë pas përfundimit të tij, Ulug Begu filloi t’i emëronte si mësimdhënës, shkencëtarët më të mirë të cilët kishte mundur t’i gjente.

Ulug Begu e ftoi Xhemshid el Kashin që t’i bashkohej universitetit të tij, si dhe rreth gjashtëdhjetë shkencëtar të tjerë, duke përfshirë këtu edhe shkencëtarin tjetër të famshëm musliman; Sallahudin Musa Pasha, i njohur më tepër si Kadi Zada el Rumi. Megjithatë supozohet se përveç vetë Ulug Begut, Xhemshid el Kashi, ishte astronomi dhe matematikani kryesor në Samerkand.

Disa letra të cilat el Kashi ia kishte dërguar të atit të tij, fatmirësisht kanë mbijetuar, dhe ato japin një përshkrim shumë të mirë rreth jetës shkencore e cila zhvillohej aty.

Në këto letra, el Kashi vlerëson lartë njohuritë matematikore të Ulug Begut, megjithatë i vetmi ishte Sallahudini i cili kishte fituar respektin e tij. Ulug Begu kishte udhëhequr takimet shkencore, ku diskutoheshin probleme nga fusha e astronomisë.

Këto probleme zakonisht ishin shumë të ndërlikuara, përveçse për el Kashin, dhe letrat dëshmojnë se ai ishte ndër bashkëpuntorët më të ngushtë të Ulug Begut në këtë universitet.

Si pjesë bashkangjitëse të universitetit, më 1428, Ulug Begu ndërtoi një observator të jashtëzakonshëm, i cili u quajt Gurkhani Zixh, që ishte i ngjajshëm me atë të Tiko Brahës që u ndërtua më vonë në Uraniborg dhe atij të Teki el Dinit në Stamboll.

Objekti kishte formë rrethore dhe përbëhej nga tri nivele, ishte më tepër se 50 metra në diametër dhe me një lartësi prej 35 metrave. Këtu observimet kryheshin nga Xhemshid el Kashi, i cili ishte drejtor i këtij observatori, Sallahudin Musa Pasha, që ishte zëvendës drejtor, dhe astronomi tjetër Ali ibn Muhamed el Kushxhi.

Në mesin e instrumenteve të konstruktuara posaçërisht për këtë observator, ishte një kuadrant aq i madh, sa që ishte dashur që një pjesë e dyshemes të largohej, në mënyrë që t’i bëhej vendi atij. Aty poashtu gjendej një sekstant nga mermeri, vizorja parallaktike (lat. triquetrum) dhe një sferë armilla.

Arritjet e shkenctarëve të këtij observatori, që punuan nën udhëheqjen e Ulug Begut dhe në bashkëpunim me të, janë të mëdha. Përveç vrojtimeve hapsinore, aty u zhvilluan edhe disilpina të tjera shkencore, ku u dhanë kontribute të mëdha, si në; metodat për zgjidhje të ekuacioneve kubike, veprimi me teorinë binome; tabelat shumë të sakta të sinusëve dhe tangjentëve dhe formula të trigonometrisë sferike.

Meqënse teleskopët e atëhershëm kishin mangësi, Ulug Begu rriti saktësinë duke e shtuar gjatësinë e këndmatësit të tij, i ashtuquajturi këndmatësi Fahri, i cili kishte një rreze prej 36 metrave dhe një ndasi optike prej 180″ (sekondave të harkut).

Duke e përdorur këtë instrument, më 1437, ai pëpiloi katalogun e famshëm yjor të quajtur Zixh-i-Sulltani.

Pas atij të shkencëtarit grek Hiparkus, katalogu i Ulug Begut ishte i dyti në shtatëmbëdhjetë shekuj, dhe përmbante 1018 yje, pozicionet e disa të cilave janë determinuar kryesisht nga observatori në Samerkand.

Në këtë vepër poashtu janë paraqitur mënyra praktike për të kalkuluar eklipset diellore dhe hënore, pastaj lëvizja e diellit, hënës dhe yjeve, si dhe të dhëna gjeodezike mbi qytetet e mëdha anembanë botës.

Ky katalog njëherit ka vënë standardet për punime të tilla pasardhëse, gjer në shekullin e XVII-të. Kjo vepër ishte rezultat i përpjekjeve të kombinuara nga një numër i njerëzve të cilët punonin në observator, duke përfshirë Ulug Begun, el Kashin dhe Sallahudinin.

Më 1665, ky punim kolosal ishte redaktuar nga Thomas Hyde në Oxford, me titull Tabulae longitudinis et latitudinis stellarum fixarum ex observatione Ulugbeighi, si dhe më 1843 nga Francis Baily në vëll. xiii të veprës Memoirs of the Royal Astronomical Society. Kurse në vitin 1998, Fuad Sizekin, në bashkëpunim me një grup studiuesish, ka mbledhur dhe ribotuar në gjuhën gjermane, të gjitha punimet astronomike të Ulug Begut.

Në po të njëjtin vit kur e punoi katalogun e yjeve, Ulug Begu bëri edhe përcakëtimin e vitit diellor, kurse rezlutati i tij ishte: 365.2570370…d = 365d 6h 10m 8s (që ishte një gabim prej vetëm; +58s). Kjo vlerë është përmirësuar vetëm për 28s, pas 88 vjetësh, më 1525 nga Nikolla Koperniku.

Ai gjithashtu u mundua që të përcaktonte pjerrtësinë e boshtit të tokës, me ç’rast arriti në përfundim se ajo ishte 23° 30′ 17″ (një diferencë prej vetëm 32″ nga vlera reale e tij).

Observimet që u bënë në observatorin e Ulug Begut, vënë në pah një numër gabimesh të bëra nga përllogaritjet e Ptolemeut, të cilat pranoheshin si të mirëqena në qarqet shkencore dhe pa u diskutuar fare për një kohë të gjatë.

Ndërkaq vlerat e kalkulimit të lëvizjeve planetare janë vërtetë mbreslënëse, pasi që diferenca në mes të dhënave të Ulug Begut dhe atyre moderne, sa i përket (Saturnit, Jupiterit, Marsit dhe Venerës), janë brenda limit të dy deri në pesë sekonda.

Ulug Begu poashtu dha kontribute të çmuara në matematikë, veçanërisht në trigonometri, ku rezultatet e tij trigonometrike përfshinë tabela të sinusëve dhe tangjentëve të dhëna në intervale 1°. Këto tabela japin një shkallë të lartë të saktësisë, duke qenë të sakta në më së paku tetë vende decimale.

Kalkulimet janë të bazuara në determinimin e saktë të sin 1°, që Ulug Begu e zgjodhi, duke treguar se ishte zgjidhja e ekuacionit kubik të cilin më pastaj e kishte zgjidhur në metodë numerike. Ai ka arritur në rezultatin: sin 1° = 0.017452406437283571.

Ndërsa vlera e saktë është: sin 1° = 0.017452406437283512820, që kjo tregon saktësinë e mahnitshme të cilën e arriti Ulug Begu.

Njëherit me kapacitetin e tij intelektual dhe vullnetin e madh për punë dhe studim, themi se ky njeri ishte ndër ata që avansuan shkencën drejtë epokës së modernizimit të saj.

Fatkeqësisht, jeta e Ulug Begut ka përfunduar në mënyrë tragjike, meqë  mbi të ishte kryer atentat gjatë një rrugëtimi të tij për në Mekë. Ai ndërroi jetë më 27 tetor 1449, ndërsa varri i tij është zbuluar më 1941 në një mauzole të ndërtuar nga Timuri në Samerkand. Është zbuluar se ishte varrosur me rrobat e tij, që është një fakt që tregon, se ai konsiderohet të ketë rënë shehid.

Për ta nderuar dhe kujtuar gjithmonë për kontributet e tij të mëdha në shkencë, krateri ‘Ulugh Beigh’ në Hënë është emëruar sipas tij, nga astronomi gjerman Johann Heinrich von Mädler, në hartën e tij hënore të vitit 1830. Poashtu emrin e tij e mbanë edhe Instituti i Astronomisë, pranë Akademisë së Shkencave në Uzbekistan./foltash/

Shënim: Ndalohet publikimi i tërësishëm apo i pjesërishm i shkrimit pa lejen paraprake të autorit.

Postime te ngjajshme