TOKA E LUFTËS, TOKA E PAQES: NEVOJA PËR RIPËRTËRITJE!

Toka e Islamit dhe Toka e Luftës (Dar al-Islam dhe Dar al-Harb), është një nga shtyllat doktrinore më të rëndësishme, mbi të cilën i bazojnë mendimet e tyre, lëvizjet e dhunshme dhe grupimet ekstremiste në botën myslimane.

Këto grupime, synojnë të shmangin dispozitat jurisprudenciale nga kontekstet e tyre historike, dhe t’i zbatojnë ato në një realitet bashkëkohor, që është krejtësisht i ndryshëm nga ai në të cilin ato dolën. Juristët myslimanë, i zhvilluan këto dispozita në një mënyrë inteligjente, si një reagim ndaj realitetit të tyre politik dhe fetar, duke iu përgjigjur kësisoj çështjeve të ngutshme me të cilat përballeshin asokohe myslimanët.

Ndoshta i pari që iu përgjigj kësaj domosdoshmërie juridike dhe politike, është Imami Ebu Hanife, i pari që zhvilloi një mekanizëm politik dhe ligjor, i cili rrjedh nga jurisprudenca islamike dhe burimet e saj, për të përcaktuar marrëdhëniet midis bashkësive myslimane dhe komuniteteve fqinje, bazuar në referime të qarta në Kur’an dhe Suna.

Ekziston një dallim thelbësor jurisprudencial, midis një situate ku Islami mbizotëron, dhe një tjetre ku Islami nuk sundon. Kur’ani thotë: ”Dhe nuk i lejohet kurrë një besimtari të vrasë një besimtar tjetër, përveçse aksidentalisht. Dhe kushdo që vret gabimisht një besimtar – atëherë lirohet një skllav besimtar, dhe kryhet një pagesë kompensimi ndaj familjes së të ndjerit, në rast se nuk jep bamirësi”.

Por nëse i ndjeri i përkiste një populli që është në luftë me ju, dhe ai qe një besimtar – atëherë mjafton vetëm lirimi i një skllavi besimtar; dhe nëse ai vinte nga një popull me të cilin keni nënshkruar një traktat – atëherë duhet të kryhet një pagesë kompensimi ndaj familjes së tij, dhe lirimi i një skllavi besimtar.

Dhe kushdo që nuk e gjen një të tillë (apo nuk mundet dot ta blejë), atëherë (në vend të kësaj), duhet të mbahet agjërim për 2 muaj rresht, duke kërkuar pranimin e pendimit nga Allahu. Allahu është i gjithë Dijshëm dhe i Mençur”. (Kur’ani:4/92).

Ajetet e tjera në Kur’an, zbulojnë një dallim të qartë midis dy situatave të bazuara në themelet e fesë, në kundërshtim me atë që pretendonin Muhammed Abu Zahra dhe Abdul Vahab Khallaf dhe Al-Zuhaili, të cilët argumentuan se ndarja e situatës në luftë dhe paqe, nuk e ka origjinën as tek Kur’ani apo në Sunatë.

Të dy studiuesit me ndikim në shkollën Hanefi; Ebu Jusufi dhe Ebu Hasani, e zhvilluan në mënyrë të konsiderueshme jurisprudencën e Ebu Hanifes, dhe e ndoqën këtë çështje me shumë analiza, ndarje dhe burime origjinale.

Këta studiues, i shtuan një ndarje të tretë ndarjes së mëhershme dypalëshe, në të cilën një vend mysliman ka një marrëveshje me një vend jomusliman (Dar al-‘Ahd), apo një popullsi kryesisht myslimane që ka një sundimtar jo-mysliman, si dhe shtesa e interpretime të tjera në këtë drejtim.

Zhvillimi i këtyre koncepteve në librat fetarë të jurisprudencës, shqyrton faktin se jurisprudenca e dijetarëve vinte në përgjigje të një realiteti ku ata jetonin, dhe se gjykimet dhe dekretet e tyre ndryshuan dhe evoluan sipas kohës dhe kushteve në të cilat ata ndodheshin.

Kështu, dallime dhe shtesa të ndryshme u shfaqën në jurisprudencën, që ndoqi realitetin dhe mendimet e studiuesve në një kohë të caktuar. Diskutimi u zhvillua nga shqiptimi i gjykimit në lidhje me një situatë të veçantë, qoftë ajo në paqe apo luftë, tek përpjekja për zbatimin e kësaj situate në realitetin konkret, dhe për të diskutuar se çfarë duhet të bëjnë myslimanët në raste të ngjashme.

Vëmendja jonë këtu është e përqendruar në fleksibilitetin e jurisprudencës islame mbi këtë temë, dëshmitë e këtij fleksibiliteti, dhe atë që dijetarët Shasfas; Al-Mauardi, Al-Sharbini dhe Ibn Hajar Al-Haitemi, e kanë përshkruar si tokën e Islamit, pavarësisht se është në një Dar Al-Harb, një situatë në të cilën myslimanët ndodhen në një terren lufte, dhe sërish arrijnë të bashkohen në një vend, të mbrojnë veten e tyre, dhe të vendosin fenë e tyre pa frikë, disa dijetarë nxorën një dekret, duke deklaruar se është i ndaluar largimi prej andej.

Një pjesë e fleksibilitetit Islamik, është duke shqyrtuar zbatimin e Islamit nëse dispozitat e tij gjurmohen aty, edhe pse shumica e njerëzve nuk janë myslimanë, sipas Imamit Ebu Jusuf. Përkufizimi i shkollës Hanafi për Dar Al-Islam dhe Dar Al-Harb, e reflekton këtë fleksibilitet në të kuptuarit dhe teorizimin.

Dijetarët thanë se toka e Islamit konsiderohet e tillë, nëse plotësohen dy kushte:ngritja e Islamit – ose ajo që Abu Al-Hasan Al-Shaibani e quan shfaqja e Imamit, dhe kryerja e të gjitha ritualeve të Islamit, duke përfshirë grupin e atyre që luten dhe bamirësinë e detyrueshme.

Kushti i dytë është, që të gjithë në këtë vend të veçantë duhet të jenë të sigurtë, përfshirë myslimanët dhe jo-myslimanët, nën sundimin e Islamit. Të dyja kushtet janë mjaft fleksibile për t’u zbatuar, madje edhe në realitetin tonë bashkëkohor, pa patur nevojën e jurisprudencës bashkëkohore për këtë çështje.

Si dëshmi e gjendjes së parë, shkolla Hanefi paraqet një provë të fortë se i Dërguari i Allahut i kishte urdhëruar ushtritë e myslimanëve të ndalonin çdo luftë, nëse ata shihnin përballë një xhami, apo dëgjonin thirrjen për t’u lutur në fshatrat dhe qytetet e tyre.

Me situatën e mësipërme, dhe me këtë fleksibilitet jurisprudencial, është tronditëse që disa njerëz radikalë që i referohen Islamit, vazhdojnë të marrin në konsideratë rregullat e Islamit, paqen dhe luftën, sikur ato të jenë të njëjta, duke argumentuar se ajo që thuhet në librat e lashtë të jurisprudencës, zbatohet ende për botën tonë moderne.

Ata guxojnë t’i etiketojnë shtetet perëndimore si një tokë e luftës, çka në fakt ka qenë rasti në shekujt e shkuar, por ata tentojnë të injorojnë realitetin, dhe nuk arrijnë të kuptojnë se epokë aktuale qeveriset nga logjika e shteteve dhe logjika e ligjit bashkëkohor ndërkombëtar, i cili po lëviz nga kultura e dëbimit në atë të bashkëjetesës.

Më shumë se 300 milionë myslimanë jetojnë në vendet jo-myslimane; gëzojnë të drejtat e tyre si qytetarë me të drejta të plota, pa asnjë frikë për fenë e tyre, ku ligjet lokale dhe të drejtat ndërkombëtare i mbrojnë ata, ashtu si edhe pakicat e tjera.

Shumë myslimanë, ndihen të sigurtë për të praktikuar fenë në vendet europiane, më shumë sesa ato në vendet myslimane. Kjo ngre disa pyetje për vendet europiane, që janë plot me xhami dhe qendra islamike.

Po në vendet ku botohet Kur’ani, dhe në të cilat janë ndërtuar universitetet islame, dhe myslimanët janë bërë ministra dhe zyrtarë të lartë? Dhe çfarë mund të thuhet për vendet ku myslimanët janë të lirë të kenë lirinë e tyre fetare, që u mungon shumë myslimanëve në vendet e tyre?

Bazuar në këtë pikëpamje, dhe në dritën e këtyre ndryshimeve politike dhe intelektuale, është absurde dhe madje e rrezikshme të zbatohet logjika e gjendjes së luftës dhe paqes, në realitetin e marrëdhënieve të sotme ndërkombëtare, apo të përpiqesh të kuptosh marrëdhëniet e myslimanëve me të tjerët, bazuar në atë perspektivë.

Shumë dijetarë i janë përgjigjur këtij argumenti, duke futur koncepte të reja që bashkëjetojnë me këtë koncept, dhe që përputhen me kërkesat e një situate si toka e besimit (Dar al-Istijaba), si dhe e paqes në vend të tokës së predikimit (Dar al-Davah), duke e konsideruar se e gjithë bota është një komb i Profetit Muhamed.

“Dhe në të dërguam ty (o Muhamed), si një mëshirë për botën (Kurani:21/107). Profeti Muhamed, predikoi për të gjithë njerëzit, për të sjellë mëshirën për të gjithë ata, disa u përgjigjën, të tjerët duhet ende të përgjigjen, dhe disa janë ende janë në proçesin e predikimit.

Disa propozuan idenë e situatës së Islamit, në krahasim me situatën e dëshmisë (Dar al-Shahada), në të cilën myslimanët i ftojnë jomyslimanët për të dëshmuar mbi dallimet e tyre morale dhe të sjelljes, dhe mësimet e fesë së tyre.

Këto jurisprudenca, të cilat e pasuruan jurisprudencën tonë, tregojnë se nuk ka asnjë pengesë ligjore për të rikrijuar një konceptim të ri të kësaj çështjeje juridike, në një mënyrë që i vë muslimanët në rolin e mesazhierit të mëshirës që erdhi për t’i bërë njerëzit bashkë, dhe jo për ti ndarë ata, për t’i bërë ata më të bashkuar dhe të jetojnë në paqe, teksa i kundërvihen luftës.

Shënim:Dr.Tarik Ladjal, është profesor i historisë në Universitetin Efat në Xheda të Arabisë Saudite.

Gazeta Mendimi-Fol tash

Postime te ngjajshme