Terrorizmi dhe ekstremizmi mbeten kërcënimet kryesore të sigurisë

auto_unnamed1531153940

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, deklaroi sot në Samitin e Londrës në kuadër të Procesit të Berlinit, se terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm vazhdojnë të mbeten ndër kërcënimet kryesore të sigurisë, duke kërcënuar jo vetëm jetën dhe pronën, por edhe vlerat demokratike dhe mënyrën e jetesës së shoqërisë.

Në këtë samit, ku po marrin pjesë ministrat e brendshëm të Ballkanit Perëndimor, ministri Gashi ka diskutuar për çështje ndër sektoriale të sigurisë, vuri në dukje përpjekjet që po bën Republika e Kosovës sa i përket luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

“Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj të specializuara do të vazhdojnë të mbeten të përkushtuara për dhënë ndihmesën e tyre të pakursyer për të luftuar deri në fund këtë të keqe të madhe të njerëzimit”, tha ministri Gashi.

Ai tha se shteti i Kosovës ka marrë një sërë masash për luftimin e kësaj dukurie, sidomos të shkuarjes së luftëtarëve për shtetin islamik dhe për këtë është miratuar Ligji mbi ndalimin e pjesëmarrjes së Qytetarëve të Kosovës në konflikte jashtë vendit në vitin 2015.

Po ashtu njoftoi që kanë filluar programet e de-radikalizmit në burgje, ndërsa pritet që shumë shpejtë të themelohet Divizioni për Parandalim dhe Riintegrimin e Personave të Radikalizuar, i cili do të funksionojë në kuadër të Ministrisë së Brendshme.

Gashi tha se qasja në kohë reale në databaza të ndryshme ndërkombëtare dhe shkëmbimi i drejtpërdrejtë i informatave, janë elementet bazike në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit.

Në këtë drejtim ai vlerësoi se anëtarësimi në INTERPOL nuk është tashmë nevojë, por domosdoshmëri dhe për aq sa Kosova ka benefit i të qenit pjesë e kësaj familje, po aq përfitime kanë edhe shtetet tjera dhe INTERPOL-i.

Ministri Gashi tha se Ministria e Punëve të Brendshme mbetet përkushtuar në vazhdimësi në luftën ndaj të gjitha llojeve të krimit të organizuar, duke dhënë kontributin e saj edhe në luftimin e krimit trans-kufitar.

Ndryshe, ministrat e Brendshëm të Ballkanit Perëndimor nënshkruan Deklaratën e Përbashkët “Parimet e Bashkëpunimit të Shkëmbimit të informacioneve në fushën e zbatimit të ligjit”.

Postime te ngjajshme