Sirianët duan të ikin kurse disa nga vendi ynë po qëndrojnë në Siri

36692328_10212362766723750_2348425002908385280_nNë Kosovë po pritet të vijë një valë e re e refugjateve që vijnë kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika. Thuhet se për ardhjen eventuale të refugjateve, institucionet e republikës kanë hartuar edhe plane se si do të trajtohet kjo situatë. Lejimi i migrimit masiv të refugjatëve, veçanërisht atyre nga vendet ku dhuna fetare ose politike është endemike, na ekspozon ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve të mundshme. Shpesh herë organet e rendit nuk mund të kryejmë hetime të duhura apo kontrolle mbi këta refugjatë, kështu që ne nuk jemi në gjendje të dallojmë refugjatët e vërtetë nga terroristët. Jo të gjithë njerëzit që po largohen nga lufta janë viktima të pafajshme, megjithëse shumica pa dyshim janë. Por ka shumë refugjatë, veçanërisht nga vendet si Siria, që ikin meqë nuk iu konvenon rrjedhja e konflikteve të përgjakshme etnike dhe fetare që po ndodhin atje.

Ata mund të jenë duke ikur për të shpëtuar jetët e tyre, por sikur epilogu i këtyre konflikteve të ishte më ndryshe, ata do të mund të ishin tani duke kryer krime e duke terrorizuar, siç edhe kanë vepruar më herët. Përballja e politikës me refugjatët është mjaft sfiduese, meqë nuk do të jenë në gjendje të dallojnë të pafajshmit nga ata me motive të errëta, dhe që mund të kenë për qëllim ndërmarrjen e veprimeve dëmsjellëse ndaj nesh dhe vendeve të tjera që i synojnë ata.

Njëherit është e dhimbshme kur mendojmë se si sirianët po ikin nga lufta e po vijnë në Kosovë, kurse shqiptarët vullnetarisht dhe me vetëdije të plotë shkuan atje, madje morën edhe familjet e tyre me vete, të cilëve ua rrezikuan jetën. Tani refugjatët sirian vijnë në Kosove e synojnë edhe shtetet evropiane, ndërsa familjet shqiptare bredhin nëpër shkretëtirat arabe, të zhgënjyer që u besuan përrallave të ekstremistëve dhe të pa shpresë për të ardhmen e tyre. Le të shërbej ky fakt si mësim për ata që dëgjojnë përrallat e premtimet boshe dhe që vrapojnë pas idhujve të tyre ekstremist.

Postime te ngjajshme