Si ta largojmë frikën nga fëmijët tanë?

27994084_10211351091032490_955296927_n Autore: V. Shala

Çdo fëmijë ka një sasi frike në veten e tij; disa nga këto janë frika normale të fëmijërisë, kurse disa të tjera nuk janë. Një sasi e frikës tek fëmijët është e kuptueshme dhe e shëndoshë, siç është frika nga zjarri sepse ai djeg. Ekspertët e psikologjisë së fëmijëve thonë se fëmija në vitet e hershme të jetës mund të shfaqë shenja frike kur të dëgjoj ndonjë zhurmë të befasishme apo duke rënë diçka. Në përgjithësi vajzat shfaqin më shumë frikë se sa djemtë dhe intensiteti i frikës mund të ndryshoj sipas imagjinatës së fëmijës; sa më shumë të ketë imagjinatë fëmija, aq më tepër mund të frikësohet.

Sidoqoftë, fëmija mund të zhvilloj frikë nga gjërat e padëmshme, siç janë terri, uji, shkallët, tubimet me njerëz të tjerë dhe kështu me radhë. Këto frika mund të jenë rezultat i disa faktorëve:

1. Frikësimi i fëmijës nga ana e prindërve me rrëfime për fantazmat, gogolët dhe krijesa të tjera të ndryshme të frikshme.

2. Rrëfimi i përrallave dhe tregimeve të ndryshme, të cilat ngërthejnë në vete personazhe të shëmtuara dhe imagjinare.

3. Rritja e fëmijës në izolim, duke e mbajtur larg atë dhe të veçuar nga njerëzit e tjerë.

4. Fëmijët janë imitues të prindërve të tyre dhe marrin fobi nga ta.

Prandaj dhënia e një shembulli të mirë para fëmijëve, luan rol të rëndësishëm në formimin e tyre. Në mënyrë që të largohen këto frika, prindërit duhet që:

1. T’i mësojnë fëmijët ta besojnë Zotin dhe se çdo herë mund të mbështetë tek Ai, në çdo situatë frike apo ankthi.

2. Të mos i frikësojnë fëmijët me personazhe të frikshme dhe imagjinare, siç janë fantazmat, gogolët apo shtazët.

3. T’i japin fëmijës përgjegjësi dhe ta lejojnë të veproj në mënyrë të pavarur. Po ashtu ta lejojnë të shoqërohet me njerëz të tjerë dhe t’i njohë ata.

4. T’i japin guxim dhe ta bëjnë të ketë vetëbesim.

5. Ashtu siç rekomandojnë psikologët, t’i japin fëmijës rast që t’i njoh gjërat që e frikësojnë, p.sh.: nëse frikësohet nga uji, ta lejojnë të luaj me ujë në ndonjë enë, apo nëse frikësohet nga errësira, prindërit mund ta lejojnë të luaj me ndërpresin e llambës elektrike, duke e ndezur dhe fikur atë, e të tjera.

FRIKA NGA ERRESIRA

Në përgjithësi, fëmijët shfaqin frikë kur prindërit i ndajnë ata nga shtrati i tyre. Prindërit duhet ta pranojnë faktin se fëmijës, dhoma i duket krejtësisht ndryshe kur të fiket drita, andaj për ta evituar këtë gjë, ju mund të:

1. Përdorni dritë nate, por provoni vendin e vendosjes së saj, që të siguroheni se nuk do të krijoj hije frikësuese.

2. Qendroni në dhomë edhe për pak minuta pasi të fiket drita dhe bisedoni se si gjërat mund të duken më ndryshe në errësirë. Perdja që lëvizë nga puhia e lehtë, gjatë natës duket shumë më ndryshe nga ç’duket gjatë ditës.

3. Lëreni derën e dhomës së fëmijë pakëz të hapur dhe thoni atij se nuk do të jeni larg, kështu fëmija do të ndihet më i sigurtë.

4. Të mos e ftoni fëmijën në shtratin tuaj nëse zgjohet në mes të natës, sepse mund t’i bëhet shprehi dhe pastaj kjo vështirë i largohet. Në vend se ta ftoni fëmijën në shtratin tuaj, qetësojeni fëmijën në dhomën e tij dhe thoni se sa krenar ndiheni që ai tregohet mjaft i rritur, sa për të fjetur i vetëm në dhomë. Është detyrë e prindërve që fëmijëve t’u ofrrojnë kujdes të veçantë, dashuri dhe mbështetje, në mënyrë që të largojnë të gjitha fobitë që mund të shfaqen tek ata, kështu që mund t’i përballojnë dhe tejkalojnë bashkërisht këto sfida. Njëherit nuk duhet të harrojmë thënien e Muhamedit alejhi selam i cili ka thënë: ” Fëmija është fryt i zemrës dhe një prej luleve me aromë të xhennetit”.

/Foltash/

Vërejtje: Ndalohet publikimi i shkrimit pa lejen paraprake të autorit.

Postime te ngjajshme