Si po manipulohet me termin “Islamofobi”

36692328_10212362766723750_2348425002908385280_n Shkruan: Mr. Besart Shala

Asgjë nuk mund t’i përçajë njerëzit sikurse një fjalë e keqkuptuar apo e keqinterpretuar. Shembull është fjala “islamofobi”, kujt i referohet ajo? Kjo varet se kë pyesni.
Për disa, kjo fjalë përdoret për të etiketuar dhe linçuar ata që kritikojnë veprimet e atyre që thirren në emër të islamit. Mirëpo, duhet të bëjmë dallimin mes atyre që i referohen myslimanëve në përgjithësi dhe atyre që i referohen veprimeve të ekstremistëve dhe fanatikëve fetar.

Vetë termi “islamofobi” është çorientues. Ai po përdoret nga fundamentalistët si akuzë ndaj të tjerëve për një lloj racizmi mbi baza fetare, dhe përderisa këta njerëz që paragjykojnë religjionin ekzistojnë, ata janë relativisht shumë pak dhe të rrallë. Forma e përgjithshme e termit “islamofobi” është shumë më e komplikuar, sepse shumica dërrmuese e njerëzve të vrarë nga Shteti i ashtuquajtur Islamik (ISIS) ishin myslimanë. Pra myslimanët u ekzekutuan nga ata që thirreshin në islam. Ata u vranë shkaku se nuk u pajtuan me ideologjinë ekstremiste, për këtë edhe u privuan nga jeta nga breshëria “e shenjtë” e plumbave. Shumë myslimanë kanë frikë nga ekstremistët dhe fanatikët fetar, por rrallë herë diskutohet kjo çështje sepse njerëzit kanë frikë se mos po etiketohen si islamofob. Duhet të theksojmë se frika vjen si pasoj e kanosjes së rrezikut kurse fobia konsiderohet të jetë një frikë irracionale, pra e paarsyeshme. Por frika nga ekstremistët dhe terrorizmi a është e arsyeshme? Dëmi i ideologjive ndaj Islamit është shumë i vërtet dhe ata që e kuptojnë rrezikun e ekstremizmit dhe fundamentalizmit, i frikësohen kësaj çështjeje më së shumti. Edhe pse ka shumë individ që nuk kanë njohuri për islamin, shumica e njerëzve e dinë se çfarë është islami dhe në çfarë thërret ai.

Frika e njerëzve nga ekstremistët dhe xhihadistët nuk është frikë nga feja Islame. Në fakt, ata që nga injoranca akuzojnë të tjerët për islamofobi, janë islamofobët e vërtetë. Si mund të ketë islamofobi në Kosovë, kur zyrtarisht, shumica e popullit jane deklaruar se i takojnë besimit islam! Si mundet njeriu të ketë frikë nga vetja e tij!

Termi “islamofobi” është manipuluar skajshmërisht nga ekstremistët fetar dhe kjo ka ndodhur për tri arsye:
1. Për ta paraqitur vetën si mbrojtës të islamit.
2. Për të sulmuar, heshtur e linçuar kritikët e radikalizmit dhe ekstremizmit.
3. Për të arsyetuar veprimet e tyre, respektivisht urrejtjen, agresivitetin, dhunën dhe absurditetet e tjera.

Populli shqiptar nuk mund të bie pre e manipulimeve që mëtojnë nxitjen e zemërimit, urrejtjes dhe përçarjes. Nuk ekziston frika nga islami i vërtet, islami që na mëson dashurinë, altruizmin dhe filantropinë. Ekziston frika nga radikalizmi, ekstremizmi, dhuna e terrori, e që nga kjo kanë frikë të gjithë, përfshirë edhe besimtarët mysliman. /Foltash/

Postime te ngjajshme