Si i dështoi plani i çiftit kosovarë për sulm kamikaz kundër KFOR-it

Mesto: Kosovska Mitrovica Datum: 28.09.2011 Dogadjaj: DRUŠTVO/VOJSKA/POLITIKA - nemaèki pripadnici KFOR obezbeðuju most u Kosovskoj Mitrovici Licnosti:

Gramos Shabani dhe Edona Haliti janë arrestuar të mërkurën e shkuar në banesën e tyre në Fushë Kosovë. Ata, po dyshohen se ishin duke organizuar një sulm kamikaz. Cak i tyre ishte misioni ushtarak i NATO’s në Kosovë, KFOR.

28 vjeçarit nga fshati Raskovë e Obiliqit, me shtetësi belge, dhe të dashurës së tij një vit më të re në moshë, Gjykata Themelore e Prishtinës u ka caktuar 30 ditë paraburgim.

Masën e sigurisë ndaj tyre e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe avokati i Shabanit, Arbër Rexha.

Rexha ka thënë se ka apeluar këtë vendim të gjykatës, pasi sipas tij, Prokuroria Speciale nuk ka arritur të ofrojë prova për dyshimet që ngarkohet klienti i tij, në seancën për caktimin e masës së sigurisë.

“Klienti im çdo herë ka mohuar dyshimet për të cilat pretendohet”, ka treguar Rexha në një bisedë për Gazetën Express.

“Prokurori Special nuk ka ofruar ndonjë provë për dyshimet”, thotë avokati i të dyshuarit për organizimin të sulmit terrorist dhe rekrutim.

Nga ana tjetër, Prokuroria Speciale në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ka theksuar se ekziston dyshimi që shtetasi belg të arratiset nga autoritetet kosovare nëse nuk ndalohet në paraburgim. Sikurse, sipas prokurorisë, të dy të dyshuarit mund të ndikojnë në zhdukjen e provave nëse lihen të lirë.

Këto i ka marrë për bazë gjykata, e cila ua ka caktuar të dy të dyshuarve 1 muaj qëndrim në paraburgim.

“Gjykata ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar se me datën 2 qershor, 2018, i pandehuri G.SH, me dashje direkte, i ka bërë thirrje të pandehurës E.H, për përgatitje të akteve terroriste në Kosovë”, thuhet në njoftimin e gjykatës për paraburgimin e çiftit.

Gazeta Express merr vesh se pretendimet e autoriteteve kosovare janë se Shabani kishte arritur të rekrutonte të dashurën e tij 25 vjeçare, Edona Haliti nga Prishtina, që së bashku të kryenin sulme kamikazë ndaj konvojeve të KFOR’it në Kosovë, në vende të frekuentuara me qytetarë.

Plani ishte bërë më 2 qershor të këtij viti, pretendon Prokuroria, siç merr vesh Gazeta Express. Gjatë kësaj kohe, çifti ishte nën përgjim nga autoritetet e sigurisë në Kosovë.

I dyshuari mashkull, po ashtu, sipas Prokurorisë Speciale ka qenë duke rekrutuar të tjerë që të kryejnë  akte të ngjashme terroriste edhe në Belgjikë dhe Francë.

Por, Gramos Shabani nuk është i panjohur për hetuesit e anti-terrorizmit në Kosovë. Ai në gusht të vitit 2014 ishte parandaluar për të udhëtuar në Siri. Kosovari më shtetësi belge, ishte ndaluar në aeroportin e Prishtinës pasi dyshohej se po provonte që përmes Turqisë të i bashkohet ISIS’it.

Edhe atëherë, i njëjti kishte qëndruar 30 ditë në paraburgim.

Të hënën, Gazeta Express ka qëndruar në Raskovë të Obiliqit, ku ndodhet shtëpia e familjes së Gramos Shabanit.

Familjarë të tij kanë treguar se prindërit e 26 vjeçarit ndodhen në Belgjikë, ku janë me vendbanim të përhershëm.

Shtëpia e familjes së Gramos Shabanit në Raskovë të Obliqit

Ata nuk kanë pranuar të komentojnë veprimin e nipit të tyre, duke kërkuar që ekipi të largohet nga fshati.

“S’ka nevojë me bo kaq të madhe. Ma mirë mos u lodh hiq”, ka sugjeruar gruaja e axhës së shtetasit belg të dyshuar për terrorizëm, kur Express ka kërkuar që të takojë axhën e Shabanit.

“Kështu që mundi mu largu. Ditën e mirë”, ishte komunikimi i fundit që ajo ka bërë me ekipin e gazetës.

Babai i Gramos Shabanit, Istrefi, në vitin 2014, kur i ishte arrestuar për herë të parë i biri në Kosovë, kishte mohuar lidhjet e të riut me ISIS, edhe pse atij i ishte gjetur një flamur i kësaj organizate terroriste gjatë kontrollit në Aeroportin e Prishtinës.

Madje ai kishte dhënë edhe një shpjegimin interesant për këtë flamur.

“Thuhet se e kishte një flamur, por e kishte për çështje komerciale, me ia shit dikujt”, u kishte thënë mediave Istref Shabani, para gati katër viteve.

Ai, atë kohë ankohej se të birit do t’i humbin studimet, pas arrestimit dhe ndalimit në paraburgim.

“Ka provime në ekonomik në Bruksel. Apeloj që të merren masa, ndryshe do t’i drejtohem shtetit belg”, shoshte ai në gusht të vitit 2014.

Postime te ngjajshme