Si duhet të trajtohen idetë ekstrmiste në një klasë shkollore

1200px-Andrew_Classroom_De_La_Salle_UniversityNancy Bazilchuk “sciencenordic.com”

Si mësuesit duhet të balancojnë përgjegjësinë e tyre për të monitoruar dhe raportuar tek autoritetet nxënësit radikalë, me të drejtat dhe nevojat e nxënësve për të shprehur veten, dhe për të diskutuar tema delikate në klasë?

Krister Matsson, është një studiues në Universitetin e Gotenburgut në Suedi, i cili e ka trajtuar këtë çështje në një studim të ri mbi shkollat, radikalizimin dhe ekstremizmin e dhunshëm. Matson, ka qenë dikur vetë mësues, dhe ka një përvojë të dorës së parë në trajtimin e çështjes së ekstremizmit të dhunshëm në klasë.

Ai beson se mësuesit janë pjesë e një rrjeti. Prej tyre pritet që të raportojnë tek policia dhe zyrtarë të tjerë, nëse zbulojnë që një nxënës ka hyrë në proçesin e radikalizimit. Por ligji nuk e mbështet këtë pritshmëri. Për më tepër, shkruan ai, kjo qasje është në konflikt me të drejtat themelore të nxënësve.

Nga ana tjetër, mësuesit kanë gjithashtu përgjegjësi për misionin demokratik të shkollës. Klasa, duhet të jetë një vend i sigurtë ku studentët mund të shprehin idetë e tyre, dhe ku duhet të diskutohen gjithashtu edhe pikëpamjet e diskutueshme dhe ekstremiste. Kjo është pjesë e ndihmës që i jepet nxënësve për të zhvilluar vlerat demokratike, shpjegoi Matsson në një deklaratë për shtyp nga Universiteti i Gotenburgut.

Mësues apo informator?

Matson studoi dokumente të politikave nga Bashkimi Europian, qeveria suedeze, si dhe 127 plane veprimi të zhvilluara nga njësitë vendore suedeze për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm. Përveç kësaj, ai ka intervistuar njerëz që mbajnë pozita kyçe në organizatat, që janë të angazhuara në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Studimi i tij, tregon se ka pak ose aspak udhëzime, se si duhet të veprojë një mësues, kur ai mëson se një nxënës është radikalizuar. Ai beson se mësuesit lihen vetëm, kur bëhet fjalë për trajtimin e radikalizimit në klasë.

Për shembull, në Mbretërinë e Bashkuar, shkollat ​​kanë prej kohësh një program të veçantë për të parandaluar dhe zbuluar radikalizimin. Sipas ligjit në fuqi, mësuesit britanikë, duhet të raportojnë shenjat e ekstremizmit midis nxënësve të tyre. Autoritetet britanike, besojnë se kjo ka rezultuar në raportimin e 7500 fëmijëve dhe adoleshentëve problematikë në këtë drejtim.

Ato besojnë ndërkohë se kjo praktikë ka penguar 150 prej tyre, që të udhëtojnë drejt zonave të konfliktit në Irak dhe Siri. Por hulumtuesit britanikë, besojnë se ky sistem e ka dëmtuar besimin midis mësuesit dhe nxënësit, dhe se është shkatërrimtar ndaj misionit demokratik të shkollës, shkruan Matson në disertacionin e tij të doktoraturës.

“Pikëpamjet dhe argumentet intolerante apo ekstremiste, janë koduar si sinjale rreziku që mund dhe duhet të raportohen në polici, edhe pse nuk është kryer një vepër penale, sesa si një pikëpamje që duhet të shqyrtohet në mënyrë kritike, dhe të debatohet në diskutime të hapura nëpër klasa”- shkroi ai.

E rëndësishme të parandalohet përjashtimi

Norvegjia, zhvilloi një plan veprimi kundër radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm në vitin 2014. Në bashkëpunim me planin, Fondacioni Rafto për të Drejtat e Njeriut, një organizatë jofitimprurëse dhe jo-partiake që punon për promovimin global të të drejtave të njeriut, zhvilloi një kurs model për shkollat.

Solveig Moldrheim, është përgjegjëse për kursin, dhe aktualisht punon për doktoratën e saj në Universitetin e Bergenit. Moldrheim, beson se programi britanik, ku mësuesve u jepen udhëzime të detajuara se si të zbulohen shenjat e radikalizimit midis nxënësve, është një rrugë e rrezikshme për t’u ndjekur.

“Është e kuptueshme që mësuesit mund të jenë të pasigurtë dhe të frikësuar, për shkak se ka një fokus kaq të madh mbi radikalizimin në shoqërinë tonë. Qartazi, disa mësues dëshirojnë të kenë mjetet për të ndihmuar në këtë proçes. Por nëse ju si një mësues, filloni të mësoni të hetoni shenjat e ekstremizmit tek nxënësit, filloni t’i shihni ata si të dyshuar, atëherë jeni duke luajtur rolin e një informatori, dhe jo të një mësuesi”- tha ajo.

Parandalimi i ekstremizmit, nuk është shumë më i ndryshëm se çdo gjë tjetër që mësuesit duhet të bëjnë në shkollë, tha Moldrheim. “Thelbi është ndërtimi i marrëdhënieve të mira”- tha ajo.

Gjeni një kënd pozitiv

Moldrheim, thotë se nëse një student thotë gjëra ekstreme, mësuesit duhet të përpiqen të gjejnë një premisë pozitive për bisedën. “Nëse një student thotë: Myslimanët i rrahin gratë e tyre, një nxënës tjetër do të thotë se është gabim të rrahësh bashkëshorten tënde. Ju si mësues mund të pyesni:A ka të krishterë që rrahin gratë e tyre? A ka myslimanë që nuk i rrahin gratë e tyre? Këto pyetje, mund t’i ndihmojnë mësuesit të dekonstruktojnë përgjithësimet dhe paragjykimet që shpreshin nxënësit”- tha ajo.

Përkundër sfidave, Moldrheim thotë se është e rëndësishme që shkollat ​​norvegjeze të lejojnë shqyrtimin dhe debatimin e hapur të ideve të diskutueshme. “Mësuesit duhet të guxojnë të lejojnë lulëzimin e debateve në klasë. Është shumë e rëndësishme për demokracinë, që nxënësve t’u mësohet të mos bien dakord në një mënyrë konstruktive”.

Përktheu: Alket Goce

Postime te ngjajshme