Roli i institucioneve në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm

auto_deput1529506139Grupi i Deputetëve të Rinj të Kuvendit të Kosovës, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Demokratik (NDI) organizuan sot tryezë diskutimi “Deputetët e Rinj të Kuvendit të Kosovës në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm”, njofon kumtesa transmeton Koha.net.

Në fjalëne e tij hyrëse, kryesuesi i Grupit të Deputetëve të Rinj të Kuvendit të Kosovës, Fidan Rakaliu, foli më shumë mbi rolin e deputetit përkatësisht rolin e Kuvendit të Kosovës.

“Roli i Kuvendit të Kosovës në këtë aspekt është thelbësor jo vetëm për të shqyrtuar dhe miratuar politikat dhe legjislacionin e propozuar nga ekzekutivi, si pjesë e kësaj strategjie kombëtare, por edhe për të ushtruar mbikëqyrje të fuqishme, efektive dhe në kohë reale në zbatimin e kësaj strategjie në terren dhe për të parë ndikimin e saj”, tha ai.

Të pranishëm në panel ishin edhe deputetë tjerë të Kuvendit të Kosovës, koordinatori kombëtar për parandalimin e ekstremizmit nga Zyra e Kryeminstrit të Republikës së Kosovës, përfaqësues nga Policia e Kosovës si dhe nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

Koordinatori Kombëtar për parandalimin e ekstremizmit nga Zyra e Kryeministrit shpalosi pikat kryesore të strategjisë kombëtare dhe gjithëpërfshirëse që synon të parandalojë ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin. Përmes kësaj strategjie, Qeveria po ndërmerr hapa konkretë për të krijuar politika dhe legjislacion për të adresuar ekstremizmin tek të rinjtë.

Organizatat vendore të shoqërisë civile gjithashtu janë angazhuar në këto procese përmes hulumtimeve dhe avokimit, por edhe duke organizaur fushata ndërgjegjësimi.

Grupi i Deputetëve të Rinj, fasilituar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), konceptualizoi dhe organizoi këtë tryezë diskutimi. Duke marrë parasysh faktin që të rinjtë janë më të prekur dhe ekspozuar ndaj ekstremizmit të dhunshëm, Grupi i Deputetëve të Rinj të Kuvendit është i përkushtuar të identifikojë mënyra dhe mekanizma konkretë të cilat mund t’i përdorin deputetët për të mbështetur zgjidhjet efektive në trajtimin e këtij fenomeni. Prandaj, për synim kishte të mbledhë akterët relevantë për të diskutuar progresin dhe sfidat me të cilat ballafaqohen institucionet qeveritare dhe shoqëria e Kosovës në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.​
/koha.net/

Postime te ngjajshme