Nuk madhërohet Zoti duke i lënduar krijesat e Tij

25593528_323331051515530_523378498_n Islami është paqë dhe nënshtrim ndaj Krijuesit, Zotit Fuqiplotë. Në islam paqja është standard, është parim, dhe secili ka obligim moral dhe fetar që ta ruaj dhe kultivoj paqen, pa e kompremetuar drejtesinë dhe të vërtetën. Islami na fton të trasojmë shtegun e paqes. Paqe në mendime, paqe në ndërgjegjje, paqe në familje dhe shoqëri, si dhe të jetuarit në paqe me Krijuesin dhe krijesat e Tij. Besimtarët duhet të jenë një komunitet që shërben si model për të tjerët, duke u sjellur me butësi, siç edhe na mëson Kur’ani Fisnik.

Mësimet e mirëfillta islame janë antivirusi i teprimit, vrazhdësisë, abuzimit, ashpërsisë dhe ekstremizmit në të gjitha format e tij. Besimtari po ashtu duhet të jetë koherent. Orientimi në kohë dhe hapësirë është shumë i rëndësishëm për besimtarin, ngaqë ai vazhdimisht duhet të jetë i vetëdijshëm për realitetin. Besimtari duhet të jetë ndërveprues në shoqëri dhe t’i sjellë dobi asaj, e jo të mbesë me mendjësinë mesjetare, përderisa e gjithë bota ecën përpara.

Është fatkeqësi të shohësh se si ata që i thonë vetes mysliman, të një feje që promovon diturinë, shkencën, meditimin mbi botën dhe studimin, kanë çasje aq primitive, sa që banalizojnë fenë në tërësi. Po prej nga e gjithë kjo vrazhdësi? Si ka mundësi që disa që i thonë vetes mysliman të jenë aq jotolerant ndaj pjestarëve të religjioneve të tjera?! Si ka mundësi të jemi dëshmitarë i gjithë kësaj dhune, si mund të kryhen krime të llahtarëshme dhe të vriten njerëz me gjakftohtësi të plotë dhe krejt kjo në emër të Zotit, të Gjithmëshirëshmit, Mëshirëbërës.

A nuk janë të vetëdijshëm këta individ se çfarë sjellje të mira ka patur Muhamedi a.s. ndaj jo myslimanëve? Vërehet se këta individ vetëm thirren në emër të Islamit, kurse nuk kanë as njohuritë më të vogla për Kur’anin, Sunetin dhe historinë islame. Të gjitha mësimet islame, ato kur’anore dhe profetike i zëvendësuan me vrazhdësi,dhunë dhe tirani. Nuk ekziston asnjë mësim islam që arsyeton dhunën ndaj njerëzve të pafajshëm. Ata që orkestrojnë sulme ndaj shoqërisë, krime, dhunë dhe vrasje nuk përfaqësojnë islamin, përkundrazi ata vetëm janë duke e njollosur atë. Ata persona që bëjnë krime në emër të islamit, ata janë duke e dëmtuar më së shumti islamin dhe myslimanët në përgjithësi.

Duke e krijuar një imazh prej përbindëshi, kështu që askush mos të dojë të ketë asgjë me islamin dhe myslimanët. Njerëzit që i duartrokasin dhunës dhe ekstremizmit janë njerëz plotë urrejtje, të cilët nuk ndjejnë dhembshuri as ndaj antarëve të familjeve të tyre. Ekstremistët radikal janë fatkeqësi për islamin dhe shoqërinë. Ekstremistët nuk e duan pluralizmin dhe diversitetin në të cilën Zoti i krijoi njerëzit. Ata e shohin botën vetëm bardh e zi, dhe veprojnë me rregullin ‘ose me ne, ose kundër nesh’. Për ta çdo kush që u kundërvihet është i keq dhe pabesimtar. Ekstremistë nuk zgjedhin rrugë apo mënyrë, atyre iu intereson vetëm realizimi i qëllimeve të tyre djallëzore. Synimet e tyre janë shkatërrimi I çdo vlere shoqërore, qofshin ato kombëtare, kulturore, por edhe fetare. Duhet ta dijmë se islami nuk është asesi fe e dhunës dhe shtypjes, ajo promovon paqen, dashurinë dhe harmoninë ndër njerëzore, kurse tiranët edhe pse thirren në emër të islamit, ata në të vërtetë janë kundër tij. /foltash/

Postime te ngjajshme