Nga pranvera arabe e dështuar, në vjeshtën e trazuar politike

ilir-kalemaj

 

Nga Ilir Kalemaj

 

Bota arabe dhe Lindja e Mesme po përjetojnë një revolucion sa politik, aq edhe kulturor. Është vështirë të vësh theksin se cila po influencon tjetrën, apo nëse ka detyrimisht një lidhje shkakësore mes të dyjave, por fakti është që shoqëri të ndrydhura nga ana sociale, me një popullsi eksplozive të re në moshë dhe me polaritete të frikshme ekonomike si dhe hendek gjinor, social dhe në nivel edukimi, ndryshimet janë të domosdoshme, qoftë edhe për të ruajtur status kuo-në. Natyrisht nuk është qëllimi këtu për t’i futur në një thes apo për të krahasuar të pakrahasueshmet për shkak të dallimeve të shumta mes këtyre vendeve si në drejtim të traditave, ashtu edhe të rentës ekonomike apo projeksioneve të fuqisë rajonale.

Por, ka edhe pika përbashkuese dhe që në vetvete vlen të merren në analizë. Arabia Saudite dhe Irani janë dy fuqitë rajonale me më shumë ndikim në rrafshin rajonal dhe të krahasueshme në shumë nivele, që me anë të fuqisë së tyre dhe aleancave strategjike dhe taktike po mundohen të ravijëzojnë edhe kufijtë gjeopolitikë të një rajoni përherë të trazuar, si Lindja e Mesme. Për shkak të prodhimit të naftës dhe muskujve ekonomikë, natyrisht që projeksioni i fuqisë së tyre shkon mjaft përtej këtij rajoni dhe pasojat shpesh ndjehen globalisht, duke përfshirë edhe shtete të fuqishme në proces si SHBA, Rusia apo Kina.

Arabia Saudite pas sulmeve të pandërprera për të ruajtur pozicionin e saj strategjik në Jemen përkundrejt Iranit, që mbështet pakicën Houthi dhe më pas bllokadës ekonomike që vendosi ndaj fqinjëve të Katarit, së fundmi nën lidershipin e princit të ri energjik 31-vjecar, Muhamet bin Salman, po prodhon lajme thuajse çdo ditë. Ai arriti të prishte një konsensus omnium mëse 100-vjeçar për mënyrën e transferimit të pushtetit brenda radhëve të klanit ‘Sudairi’, sipas mbiemrit të ish-gruas së preferuar të themeluesit të këtij vendi, Abdulaziz Al-Saudi, ku brenda harkut të pak muajve princi i ri mori kontrollin e Ministrisë së Brendshme dhe Gardës Nacionale, krahas asaj të ministrit të Mbrojtjes, që e gëzonte qysh më parë dhe hoqi nga skena politike apo burgosi rivalë të drejtpërdrejtë si Princin Mutaib apo Muhamet bin Nayef.

Më pas, Bin Salman-i kreu një lëvizje blic javën që shkoi, ku shumë “peshq të mëdhenj” të botës së politikës dhe biznesit ranë brenda, ndërkohë që kryeministri i Libanit, Saad Hariri, një nënshtetas libanez, që ka edhe pasaportën saudite si nënshtetësi të dyfishtë deklaroi live nëpërmjet një televizioni saudit dorëheqjen e tij si rrufe në qiell të pastër. Ndonëse arsyeja që ai deklaroi ishte ndërhyrja e pandërprerë e Iranit nëpërmjet sponsporizimit të Hezbollahut që dyshohet të ketë vrarë dhe babain e tij, ish-kryeministrin e Libanit në 2005-ën, shumë skeptikë në Liban shprehen se ai po mbahet peng në Riadh dhe ndoshta kjo ishte një nga arsyet e vizitës blic të presidentit francez, Macron, javën që shkoi në kryeqytetin saudit.

Ndërkohë Bin Salman gëzon mbështetje të fortë nga administrata “Trump” dhe ka në planet e tij krijimin e një mega-qyteti të quajtur Neom, sipas strategjisë Vizion 2030 dhe ndërkohë ka marrë hapa të rëndësishëm për liberalizimin gradual të një prej vendeve me islamin politik më konservator sot në botë. Ai mbështetet taktikisht edhe nga Izraeli dhe ka një marrëdhënie strategjike me Egjiptin në një kundërvënie ndaj influencës rajonale të Iranit, që shkon nga boshti Liban-Siri-Irak deri në Jemen. Ndërkohë që SHBA-të janë pozicionuar qartazi në njërin kamp, Rusia dhe Kina po i luajnë me kujdes të dyja palët, për shkak të interesave të shumëfishta. Ndonëse Arabia Saudite është një nga blerësit më të mëdhenj të armëve dhe arsenalit luftarak rus dhe furnizon me naftë Kinën, të dyja, por veçanërisht rusët janë shumë më afër Teheranit sesa Riadhit. Kjo, si për shkak të interesave më të ndeshme afatgjatë ekonomike, ashtu dhe për arsye të shahut gjeopolitik.

A po përjeton Lindja e Mesme një erë të re të ngjashme me Glasnostin sovjetik në vitet e Gorbacovit sikundër shprehet së fundmi Sam Blateis, apo në fakt kemi rikthim të autoritarizmit të maskuar në vende, ku mbi 70 për qind e popullsisë është nën 30-të si rasti i Arabisë Saudite, kjo ha debat. Por, pas pranverës së parakohshme arabe, që shpejt u kthye në dimër të acartë, kjo do të jetë një vjeshtë e fortë dhe e rrëmbyer, ku ose do të kemi shkundje revolucionare, që do tronditin në harkun e pak muajve realitete të pandryshueshme për dekada dhe shekuj (si aleanca strategjike e vehabistëve ekstremistë me familjen e “shtëpisë së Saudit”), ose një cikël evolutiv, që do të diversifikojë ekonomi të mbështetura ekskluzivisht te nafta dhe gazi natyror, siç demonstron suksesshëm rasti i Emirateve të Bashkuara Arabe./foltash/

 

Postime te ngjajshme