Namazi i Xhumasë

sheikh-zayed-grand-mosque-abu-dhabiNamazi i Xhumasë

1) Pozita e namazit të xhumasë mes namazeve të tjerë

Si namaz, namazi i xhumasë nuk ka ndryshim nga namazet e tjerë; edhe në këtë ka kijam, kiraat, ruku, sexhde dhe ndenjje. Ne, ashtu siç e ndajmë njëzetekatërorëshin ditë-natë në pesë pjesë duke e ndriçuar dhe zbukuruar çdo pjesë me namaz, edhe javën e kufizojmë me xhumanë duke i dhënë një formë të caktuar, dritë dhe bukuri shpirtërore. Ne e rregullojmë orën javore sipas xhumasë dhe, kur vjen ai çast, drejtohemi me të gjithë zemrën dhe shpirtin kah Zoti ynë, sepse dita e xhuma është dita më e çmuar mes ditëve që ka krijuar Zoti. I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të ka thënë kështu për xhumanë: “Dita e xhuma është më e shquara ndër ditët e (tjera të) javës. Ajo është dita më me rëndësi në lartësinë e Allahut. Te Allahu, ajo është më e rëndësishme se ditët e bajrameve të ramazanit dhe kurbanit. Kjo ditë ka pesë veti të shquara: Këtë ditë Allahu (xh. xh.) krijoi Ademin (a.s.). Këtë ditë Allahu e zbriti Ademin mbi tokë. Këtë ditë Allahu ia mori shpirtin Ademit. Këtë ditë është një orë e tillë që, po të mos i kërkojë robi Allahut ndonjë gjë që është haram, çfarëdo që t’i kërkojë, i jepet patjetër. Edhe kiameti këtë ditë do të shpërthejë. Të gjithë engjëjt e afërt (ndaj Allahut), qielli, toka, era, malet, detet kanë frikë nga ajo ditë!”[1]

Namazi i xhumasë e ndan javën dhe i lartëson njerëzit në atë mënyrë që të mund t’i afrohen Allahut. Edhe njerëzit, me anë të vendit që zë xhumaja, mendojnë për rrugën e përfitimit nga mëshira e Zotit të tyre. E shprehur ndryshe, pasi falin namaz gjashtë ditë me radhë, ngjiten në një ditë të caktuar gjer në një pikë të caktuar për të marrë shpërblim dhe, atë ditë, prehri i atyre që ia kanë dhënë zemrën Zotit, mbushet plot e përplot me margaritarë. Prandaj themi se xhumaja është, në përfundim të një udhëtimi javor, shprehje e arritjes në një lartësi të caktuar për të marrë nga Zoti gjëra të caktuara. Këtë të vërtetë, Profeti Muhamed paqja qoftë mbi të e shpreh me këtë hadith: “Pesë kohët e namazit, namazi i xhumasë nga namazi i tjetër i xhumasë, ramazani për ramazanin tjetër, janë falëse të gjynaheve. Po të mos ndodhë ndonjë mëkat i madh, mëkatet e tjera mes tyre i bëjnë që të falen.”[2] Siç u pa, Profeti paqja qoftë mbi të i ndan ditën, javën dhe vitin në pjesë dhe fragmente të caktuara dhe pohon se namazet e falura në ato fragmente u japin dritë dhe bukuri pjesëve dhe fragmenteve kohore të tjera që kalojnë pa namaz.

Allahu i Lartë i fton besimtarët në namazin e xhumasë: “O ju që keni besuar! Ditën e xhuma, kur të thirreni në namaz, vraponi menjëherë për ta përmendur Allahun dhe lëreni shitblerjen. Po ta dinit, kjo është më e mbarë e më e dobishme për ju!” (Xhuma 62/10) Me fjalën “nida” (thirrje) që përdoret në ajet, aludohet për ezanin. Fundja, himni i myslimanëve është ezani muhamedan që hap flatrat drejt qiejve pesë herë në ditë. Kurse me fjalën “dhikr” (përmendje) aludohet për namazin që fillon me hutben. Në periudhën e Profetit paqja qoftë mbi të, ky ezan këndohej ndërsa imami ndodhej në minber, pastaj këndohej ikameti për namaz dhe fillonte

namazi. Kjo praktikë vazhdoi edhe në periudhat e Hz. Ebu Bekrit dhe Hz. Omerit (r.a.). Por, me shtimin e myslimanëve nga dita në ditë dhe me zgjerimin e qyteteve, zëri nuk dëgjohej dhe nuk arrinte dot më në të gjitha anët. Prandaj, me qëllim për të bërë një njoftim të gjerë e të plotë, Hz. Osmani filloi zbatimin e këndimit të ezanit të jashtëm si shtesë të ezanit të brendshëm që këndohej kur imami ndodhej në minber dhe kjo mënyrë veprimi fitoi miratimin e përgjithshëm. Ndërsa ezani i brendshëm i hutbes vazhdoi të zbatohej për respekt të sunetit si shenjë mbarësie.[3]

Në ajetin pasardhës urdhërohet: “Dhe, pasi ta falni namazin, shpërndahuni mbi tokë dhe kërkoni nga të mirat e Allahut. Dhe përmendeni shumë Allahun që të shpëtoni!” (Xhuma, 62/10) Në lidhje me çështjen se ç’janë të mirat dhe favoret e Allahut (të emërtuara në ajet me fjalën lutf), ibni Abasi thotë kështu: “Me këtë ajet, besimtarët nuk u urdhëruan për ndonjë gjë në lidhje me kërkesat materiale (të kësaj bote), por vetëm me gjëra të tilla, si vizita tek të sëmurët, vajtja në varrim dhe vizita te një vëlla i fesë për hir të Allahut.”[4] Por ne, nëse do të donim të shpreheshim duke e trajtuar çështjen në kompleks, do të mund të thonim kështu: “Faleni namazin dhe le t’u kthjellohet zemra, pastaj, me ndjenjën e përgjegjësisë, shpërndahuni mbi tokë dhe përfitoni nga të mirat dhe favoret materiale e shpirtërore të Allahut dhe bëni një jetë të ndritshme, të mbarë e të begatshme që jeta t’ju hyjë në një rrjedhë të rregullt dhe, kështu, të shpëtoni!”

Kurse në ajetin e fundit të sures thuhet: “Kur ata shohin ndonjë tregti apo dëfrim, menjëherë shpërndahen, shkojnë atje duke të lënë ty në këmbë. Thuaju: “Kush ndodhet pranë Allahut, është më i fituar se ai që ndodhet në tregti dhe dëfrim! Allahu është më i miri ndër dhënësit e të mirave!” (Xhuma, 62/11)

 

2) Namazi i xhumasë është një adhurim kolektiv

Po, xhumaja nuk është një adhurim personal dhe individual, por kthimi kolektivisht kah Allahu i Lartë i ndërgjegjes masive. Në namazin e xhumasë dhe nëpërmjet tij, robi i cili nuk mundet ta shprehë i vetëm falënderimin e duhur ndaj të mirave dhe dhuntive të Allahut, i drejtohet Zotit të vet dhe i thotë: “Zoti ynë, unë nuk mund t’u përgjigjem i vetëm të mirave dhe dhuntive për të cilat Ti na ke thënë, “… sikur të ngriheshit për t’i numëruar të mirat e Allahut…” (Ibrahim, 14/34), ndërgjegjja nuk më mjafton për këtë. Prandaj, ne, duke u mbledhur të gjithë bashkë, po t’i paraqesim Ty si xhemat adhurimet dhe falënderimet tona!”

 

3) Namazi i parë i xhumasë

Gjatë periudhës së Mekës, Profeti paqja qoftë mbi të nuk qe ngarkuar me përgjegjësinë për të falur namaz të xhumasë. Por pasi u ngarkua me detyrën e hixhretit (e emigrimit për çështjen e fesë) dhe iu hap rruga për në Medinë, Profeti arriti në Kuba ku qëndroi katër-pesë ditë, gjatë të cilave ndërtoi faltoren e Kubas ku punoi edhe vetë. Pastaj, ditën e xhuma u largua që atje dhe, kur arriti në oazin e të bijve Salim ibn Auf, Xhebraili i solli lajm dhe aty Profeti drejtoi faljen e namazit të parë të xhumasë.[5] Kështu, i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të shpallte namazin e xhumasë që është një nga shenjat treguese të Islamit.

 

4) Ora e përkimit që kërkohet në xhuma

Namazi është shtylla qendrore e anijes së fesë dhe busulla që i tregon besimtarit drejtimin nga duhet të shkojë. E shprehur ndryshe, namazi është shkalla që i jep mundësi besimtarit të ngjitet për në miraxh, shkalla, njëri skaj i të cilës është në dorë të besimtarit, kurse skaji tjetër, në dorë të Allahut, si dhe një litar i shëndoshë për t’u kapur dhe mbajtur pas tij. Kurse thelbi i namazit, i cili zotëron kaq veti të larta, është namazi i xhumasë, shprehja masive e emocioneve dhe dridhjeve masive. Prandaj, namazi i xhumasë duhet konceptuar dhe përjetuar me një zemër të zgjuar e të çelët. Profeti paqja qoftë mbi të na porosit: “Në të është një orë e veçantë; po qe se një rob mysliman përkon me atë orë duke qenë në namaz, Allahu ia jep patjetër ato që kërkon prej Tij!”[6]

Në lidhje me përkatësinë kohore të kësaj ore apo çasti, sahabet, tabiinët dhe juristët e mëdhenj pas tyre janë shprehur për kohë të ndryshme. Për shembull, Abdullah ibn Selam (r.a.) është shprehur kështu: “I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të ishte duke ndenjur. Unë i thashë: “Në Librin e Allahut (Teurat) gjejmë këtë shprehje: “Ditën e xhuma është një orë e tillë, që, po qe se besimtari i lutet Allahut pikërisht në atë orë, lutja i pranohet patjetër!” Pas fjalës sime, i Dërguari i Allahut ma saktësoi thënien time: “Ose një pjesë e orës.” Dhe unë e korrigjova thënien time: “Drejt e the, “ose një pjesë e orës”! Pastaj e pyeta: “Kjo kohë, cila kohë (e xhumasë) është?” Ai m’u përgjigj: “Ajo është fundi i orëve të ditës.” Unë i thashë: “Kjo orë nuk është kohë namazi.” Ai m’u përgjigj: “Po, nëse robi besimtar fal namaz dhe ulet të presë namazin pasues, për rrjedhojë të atij qëllimi, është sikur të vazhdonte të falte namaz.”[7] Sipas të gjitha gjasave, ashtu siç përsillet Nata e Kadrit brenda ramazanit, edhe ai çast përsillet brenda ditës së xhuma. Prandaj, për ta përjetuar atë çast, duhet përjetuar dita e xhuma si një e tërë duke u kthyer kah Allahu në mënyrë të plotë.

 

5) Përgatitja për namazin e xhumasë

Meqë dita e xhumasë ka për myslimanët rëndësi të madhe dhe është pranuar pothuajse si ditë feste, duhet që, duke filluar nga mbrëmja e ditës së enjte, t’i jepet rëndësi më e madhe se zakonisht pastrimit material dhe shpirtëror. Në krye të këtij pastrimi vjen larja trupore e plotë; sipas shumicës së dijetarëve, larja trupore e plotë (gusl) ditën e xhuma është sunet, kurse sipas disave, është farz. Krahas kësaj, ditën e xhuma para dite (para namazit) janë sunet sjellje dhe veprime të tilla, si prerja e thonjve, pastrimi i dhëmbëve, veshja e rrobave të pastra dhe lyerja me erëra të mira që të mos i shqetësojnë të tjerët, përkundrazi, t’u pëlqejnë atyre. Besimtari duhet të futet në atmosferën shpirtërore të një dite të tillë të vlefshme e të rëndësishme, duhet t’i lërë lutjet dhe pendesat për këtë ditë duke u përpjekur që ato të përkojnë me çastin e pranimit, veçanërisht, duhet të këndojë Kuran, të meditojë, t’i kushtojë salavate Profetit dhe, me një zemër të sinqertë, t’i drejtojë lutje dhe pendime Allahut të Lartë!

Më poshtë do të trajtohen konkluzionet e sjelljeve dhe veprimeve të papëlqyeshme, të konsideruara kështu nga droja se mos i hapin rrugë lënies ose zhvlerësimit së namazit të xhumasë, si bisedimi gjatë hutbes, shitblerja në kohën e faljes së xhumasë, nisja për rrugë ditën e xhuma, etj.

 

Vendi i namazit të xhumasë në fé dhe konkluzioni

Namazi i xhumasë është farz ajn, domethënë, njëlloj i detyrueshëm për çdo njeri. Detyrueshmëria e namazit të xhumasë është e fiksuar me Kuran, Sunet dhe mendimin e njëzëshëm të autoriteteve (ixhma). Sureja e 32-të e Kuranit, meqë flet për namazin e xhumasë, është emërtuar “Surja Xhuma”. Në këtë sure, Allahu i Lartë ka urdhëruar kështu: “O ju që keni besuar! Kur të thirreni ditën e xhuma për namaz, vraponi për ta përmendur Allahun (për namaz) dhe lëreni shitblerjen. Po ta dini, kjo është më e mbarë e më e dobishme për ju! Pasi ta falni namazin, shpërndahuni nëpër tokë dhe kërkoni favoret e Allahut dhe përmendeni shumë Allahun që të gjeni kënaqësi!” (el-Xhuma, 62/9-10)

Namazi i xhumasë është një namaz farz i përbërë prej dy rekatesh dhe falet ditën e xhuma në kohën e drekës. Mbajtja e hutbes nga hatibi para faljes së namazit të xhumasë është një ndër kushtet e vlefshmërisë së këtij namazi. Namazi i xhumasë zë vendin e namazit të drekës së asaj dite.

 

Kushtet e namazit të xhumasë

Duhet të plotësohen një sërë kushtesh të caktuara që namazi i xhumasë të mund të bëhet farz. Këto kushte janë dy llojesh: a) kushte domosdoshmërie; b) kushte vlefshmërie. Kushtet e domosdoshmërisë kanë të bëjnë me përgjegjësinë e faljes së namazit të xhumasë, kurse kushtet e vlefshmërisë kanë të bëjnë me vlefshmërinë e namazit të falur të xhumasë. Këto të fundit quhen edhe kushtet e kryerjes së namazit të xhumasë.

 

Kushtet e domosdoshmërisë së namazit të xhumasë

Që namazi i xhumasë të bëhet farz për një person, ky duhet të plotësojë këto kushte:

  1. a) Të jetë mashkull

Namazi i xhumasë është farz për meshkujt, por jo për femrat. Për këtë, të gjithë juristët janë të një mendimi. Por në qoftë se edhe femrat shkojnë në xhami dhe e falin namazin e xhumasë, ky namaz bëhet i vlefshëm për to, prandaj, në këtë rast, femrat nuk e falin namazin e drekës.

  1. b) Të mos ketë të meta të justifikuara

Disa të meta e bëjnë normale (mubah) që personi të mos shkojë në namazin e xhumasë dhe për personin me të meta të justifikuara, namazi i xhumasë nuk është farz. Ndërkaq, po qe se persona në gjendje të tillë, megjithëse nuk e kanë farz namazin e xhumasë, e falin, namazi i tyre bëhet i vlefshëm, për rrjedhojë, atë ditë nuk falin namaz të mesditës.

Të metat kryesore të justifikuara që e bëjnë normale mosvajtjen në namazin e xhumasë, janë këto:

Sëmundja. Personi i sëmurë që ka frikë se po të shkojë në namazin e xhumasë do t’i shtohet ose zgjatet sëmundja, nuk e ka farz faljen e namazit të xhumasë. Të sëmurë konsiderohen edhe personat me pleqëri të rënduar që e kanë të vështirë të ecin. Ky konkluzion vlen edhe për kujdestarin e të sëmurit, i cili ka frikë se mos i sëmuri i tij keqësohet po qe se shkon në xhami për namazin e xhumasë.

Verbëria dhe gjymtimi. Sipas Ebu Hanifes, malikive dhe shafive, personi i verbër nuk e ka farz namazin e xhumasë edhe sikur të ketë dikë që ta shoqërojë për në xhami. Kurse sipas hanbelive, Ebu Jusufit dhe imam Muhamedit, i verbëri që ka dikë që ta shoqërojë për në xhami, e ka farz namazin e xhumasë. Sipas të gjithë dijetarëve, i verbëri që nuk ka asnjeri për ta shoqëruar në xhami, nuk e ka farz namazin e xhumasë. Namazi i xhumasë nuk është farz as për personin me këmbë të paralizuara, me këmbë të prera si dhe për personin ulok në shtrat.

Kushtet e papërshtatshme të motit dhe rrugës. Kushtet e shiut shumë të dendur, të motit shumë të ftohtë ose të nxehtë, të rrugës me baltë të rënduar, etj., të tilla që do t’i shkaktonin vështirësi ose dëm personit po qe se do të shkonte në xhami për namazin e xhumasë, e bëjnë mubah mosvajtjen e personit në namazin e xhumasë.

Frika. Namazi i xhumasë nuk është farz as për personin që ka frikë se po të shkojë në namazin e xhumasë do t’i rrezikohen pasuria, jeta ose nderi. Në këtë rast, mosvajtja e tij në namazin e xhumasë konsiderohet e justifikuar.

  1. c) Të jetë person i lirë

Sipas shumicës së madhe të juristëve, personat jo të lirë, domethënë, skllevërit dhe robërit, nuk janë të ngarkuar me përgjegjësinë për ta falur namazin e xhumasë.

Për personat që ndodhen në burg nuk ka ndonjë pengesë për faljen e namazit të xhumasë përveç kushteve fizike dhe mungesës së disa mundësive. Që të burgosurit të mund të falin namazin e xhumasë, mund të kërkohet që të përgatiten kushtet fizike-materiale dhe të bëhen rregullimet e nevojshme. Kushti sipas të cilit vendi ku do të falet namazi i xhumasë duhet të jetë i hapur për të gjithë, nuk e përfshin burgun për shkak të pozitës së veçantë të tij.

  1. d) Të jetë vendas

Sipas shumicës së madhe të juristëve, që namazi i xhumasë të jetë vaxhib duhet që ai person të jetë banues i vendit ku falet namazi i xhumasë. Prandaj, namazi i xhumasë nuk është farz për personat që konsiderohen fetarisht udhëtarë. Nuk ka ndonjë të keqe sikur të dilet në udhëtim ditën e xhuma para se të hyjë koha e namazit të xhumasë, por dalja në rrugë pasi të ketë hyrë koha e namazit të xhumasë dhe pa e falur namazin, është mekruh.

 

Kushtet e saktësisë dhe vlefshmërisë së namazit të xhumasë

  1. a) Duhet të falet në kohën e caktuar

Namazi i xhumasë falet ditën e xhuma në kohën e namazit të drekës. Pasi të dalë koha e këtij namazi, falja e namazit të xhumasë ose kazaja e tij nuk është më e lejueshme. Po qe se s’është falur as namazi i drekës i asaj dite, duhet bërë kaza vetëm ky namaz.

Po qe se ndërsa është duke u falur namazi i xhumasë, del koha përkatëse, duhet falur si kaza namazi i drekës nga e para.

Sipas imam Malikut, namazi i xhumasë mund të falet edhe pasi të ketë dalë koha e namazit të drekës. Edhe sipas një rivajeti nga imam Ahmedi, namazi i xhumasë mund të falet edhe para kohës së drekës (zeval).

 

  1. b) Duhet të falet me xhemat

Si një namaz që falet vetëm me xhemat, namazi i xhumasë nuk mund të falet individualisht. Numri minimal i xhematit për namazin e xhumasë është tre vetë veç imamit. Sipas imam Ebu Jusufit, është dy vetë veç imamit. Sipas një rivajeti nga imam Maliku, është tridhjetë, kurse sipas medhhebit Shafi dhe Hanbeli është dyzet vetë.

Sipas Ebu Hanifes është kusht që këta tre vetë meshkuj dhe me zhvillim mendor normal të ndodhen të pranishëm gjer në sexhden e parë. Sipas kësaj, namaz xhumaje nuk falet me xhemat të përbërë vetëm prej femrash dhe fëmijësh, si dhe me xhematin e shpërndarë para sexhdes së parë e të mbetur në pakicë.

Sipas Ebu Jusufit dhe imam Muhamedit, është kusht që xhemati të ndodhet i pranishëm gjersa të bëhet tekbiri i fillimit, kurse sipas imam Dhuferit, të paktën gjer pas rekatit të dytë gjersa të rrihet ndenjur aq sa do të duhej për të bërë teshehud. Po qe se personat që e përbëjnë xhematin, shpërndahen më parë, një a dy vetë që mbeten duhet ta falin namazin e mesditës. Nuk është kusht që xhemati të përbëhet prej personash vendas ose të lirë. Edhe myslimani udhëtar ose skllav mund ta drejtojë faljen e namazit të xhumasë.

 

  1. c) Duhet të falet në qytet

Dijetarët kanë vënë si kusht që vendi ku do të falet namazi i xhumasë të jetë qytet ose një njësi urbanistike e konsideruar administrativisht qytet. Por mes tyre ka ndryshime pikëpamjesh mbi detajet e këtij kushti.

Sipas burimeve të fikhut klasik të medhhebit hanefi, njësia urbanistike ku do të falet namazi i xhumasë duhet të jetë ose qytet, ose vendbanim i konsideruar administrativisht qytet, ose të ndodhet në periferi të tij. Ka rivajete të ndryshme mbi çështjen se në ç’kushte një vendbanim ose njësi urbanistike do të konsiderohet qytet. Sipas disa dijetarëve, kriteri është përcaktuar në formën “të ketë aq banorë sa xhamia më e madhe e vendit të mos i marrë dot të gjithë personat e ngarkuar me përgjegjësinë për ta falur namazin e xhumasë”. Sipas disa autorëve, ky kriter është përcaktuar si “vendbanim që ka një nëpunës shtetëror administrativ”. Kurse me fjalën “periferi” nënkuptohet mjedisi përreth qytetit, ku ndodhen varrezat, poligonet e qitjes, fushat e përgatitura për grumbullime për qëllime të ndryshme si dhe vende të tjera në këtë largësi.

Sipas dijetarëve, pranohet se emërtimi “qytet” që përdoret në burimet bibliografike, sot duhet të kuptohet si njësi urbanistike ose vendbanim i madh ose i vogël, prandaj, në të gjitha njësitë e vedbanimit si fshatrat apo qendrat e fshatrave të bashkuara ku ndodhet një xhemat vendas që mund ta kryejë namazin e xhumasë, namazi i xhumasë mund të falet.

Sipas shafive, namazi i xhumasë duhet të falet brenda kufijve të qytetit ose fshatit me banorë të përhershëm.

Sipas malikive, vendi ku do të falet namazi i xhumasë duhet të jetë qytet, fshat ose një njësi vendbanimi apo vend në periferi të tyre me banorë të vendosur e të përhershëm.

Kurse sipas hanbelive, është kusht që vendi ku do të falet namazi i xhumasë duhet të ketë të paktën dyzet banorë të përhershëm.

 

  1. d) Duhet të falet në xhami

Ekzistojnë pikëpamje të ndryshme lidhur me çështjen e mundësisë së faljes së namazit të xhumasë në pika të ndryshme të një vendbanimi ose njësie urbanistike. Të gjitha medhhebet kanë qëndruar mbi domosdoshmërinë e faljes së namazit të xhumasë mundësisht vetëm në një xhami të qytetit. Meqë xhumaja përmban kuptime të tilla si mbledhje, grumbullim në një vend, edhe ky kusht ka, në fakt, lidhje me idenë e mbledhjes, grumbullimit në një vend dhe, kështu, formimit të një bashkimi dhe uniteti. Me gjithë domosdoshmërinë e mbajtjes gjallë gjithmonë të kësaj ideje, po të mbahen parasysh qytetet e sotme ku banojnë një numër shumë i madh njerëzish, duket e pamundur që namazi i xhumasë të falet në një apo disa vende në një xhami që të mundet t’i plotësojë kërkesat.

Sipas njërës nga dy pikëpamjet e njohura të Ebu Hanifes mbi këtë çështje, në një qytet mund të falet namaz xhumaje vetëm në një pikë, kurse sipas pikëpamjes tjetër, në një qytet mund të falet namaz xhumaje në më shumë se një pikë. Imam Muhamedi ka pranuar pikëpamjen e dytë. Kurse sipas Ebu Jusufit, po qe se qytetin e ndan në dy pjesë një lumë që rrjedh mes tij ose po qe se qyteti është aq i madh sa personat e dobët dhe pleq nuk munden të shkojnë në xhaminë ku do të falet namazi i xhumasë, në një qytet mund të falet namaz xhumaje në dy pika. Në qoftë se kushtet nuk janë të tilla, namazi i xhumasë falet vetëm në një pikë.

Si përfundim, pikëpamja bazë për fetva dhe më e fuqishmja në medhhebin hanefi lejon që nëse në një qytet ka më shumë se një xhami, të falet namaz xhumaje në të gjitha xhamitë.

Sipas shafive, edhe po qe se në një qytet ndodhen më shumë se një xhami, namazi i xhumasë falet vetëm në njërën nga xhamitë në qoftë se nuk ka shkaqe që e bëjnë të detyrueshme faljen në disa xhami. Por po qe se për shkak të madhësisë së qytetit, mbledhja e njerëzve në një vend për namazin e xhumasë bëhet shumë e vështirë, sipas nevojës, në një qytet mund të falet namaz xhumaje në më shumë se një xhami.

Sipas pikëpamjes së parapëlqyer te malikitë, ashtu si tek shafitë, po të mos ketë shkaqe që e bëjnë të detyrueshme faljen e namazit të xhumasë në më shumë se një pikë, në një qytet namazi i xhumasë falet vetëm në një pikë. I tillë është edhe qëndrimi i hanbelive.

 

  1. e) Duhet të ketë leje për falje

Në fikhun hanefi, kur flitet për lejen për namazin e xhumasë, kuptohen dy gjëra:

* Kryetari i shtetit ose personi i caktuar prej tij, ose një organ kompetent t’i japin leje personit që ka për ta drejtuar faljen e namazit të xhumasë.

* Në mjedisin ku ka për t’u falur namazi i xhumasë t’i jepet leje hyrjeje kujtdo.

Medhhebet e tjera veç hanefive nuk e vënë këtë kusht për vlefshmërinë e namazit të xhumasë. Ndërkaq, edhe hanefië e kanë trajtuar këtë ndër kushtet e kryerjes së namazit të xhumasë.

Përfundimisht, sot, fakti që në një shtet jepet leje për ndërtimin e xhamive, që rrogat e imamëve paguhen nga shteti dhe që ekziston një organizim ligjor-publik fetar i drejtuar dhe një institucion fetar legjitim, e përmban vetvetiu edhe lejen për faljen e namazit të xhumasë.

 

  1. f) Duhet mbajtur hutbe

Edhe për çështjen se hutbeja është një prej kushteve të vlefshmërisë së namazit të xhumasë, juristët janë të një mendimi.

Hutbe do të thotë t’i flasësh ose t’i thuash dikujt disa gjëra, shkurt, është një lloj ligjërate që mbahet para një auditori të caktuar. Hutbeja është një pretekst dhe rast që një ditë në javë, besimtarët e mbledhur në një mjedis, të sqarohen kryesisht për çështje fetare, por edhe për çështje të tjera që do t’ua lehtësonin jetën dhe do t’ua përmirësonin marrëdhëniet. Në parim, hutbeja është menduar për realizimin e këtij qëllimi, prandaj mbahet me një gjuhë të kuptueshme për xhematin.

Për ekzistencën e hutbes si pjesë përbërëse e namazit të xhumasë, për vlefshmërinë e saj juridike dhe kryerjen sa më të mirë, kërkohet të plotësohen disa kushte. Në gjuhën e ilmihalit, këto quhen shtyllat, kushtet dhe sunetet e hutbes.

 

Falja e namazit të xhumasë

Ditën e xhuma, në kohën e mesditës, këndohet ezan (ezani i jashtëm). Kur hyhet në xhami falen katër rekate sunet. Ky është suneti i parë i xhumasë. Ky namaz mund të falet gjersa hatibi të mos jetë ngjitur në minber. Po të jetë ngjitur hatibi në minber, është më e përshtatshme të dëgjohet ai. Pastaj këndohet ezani i dytë (i brendshëm) dhe, pas tij, imami/hatibi i ngjitur në minber mban hutben para xhematit. Pas hutbes këndohet ikameti dhe falet namazi farz i xhumasë me xhemat ku imami këndon me zë. Pastaj falen katër rekate sunet që janë suneti i fundit i xhumasë.

 

Disa çështje lidhur me xhumanë

A kanë kompetencë punëdhënësit mos t’u japin leje punonjësve për të falur namazin e xhumasë?

Në të drejtën islame, punëtorët ndahen në dy kategori: punëtorë me pagë bazë dhe punëtorë me porosi. Punëtorët e kategorisë së parë janë ata që kanë një punë të përhershme, me një orar dhe pagë të caktuar në një vend pune të caktuar, të cilët mund të jenë edhe punëtorë, edhe personel administrativ, kurse punëtorët e kategorisë së dytë, janë mjeshtrat e profesioneve të ndryshme që punojnë privatisht në bazë të porosive që u vijnë nga klientët.

Sipas kësaj ndarjeje, problemi nuk qëndron tek të dytët të cilët punojnë privatisht dhe e përdorin kohën si të duan vetë, por për kategorinë e parë të punonjësve, të cilët, gjatë orarit të punës sipas kontratës së punës, nuk kanë të drejtë të largohen nga vendi i punës pa lejen e punëdhënësit. Ndërkaq, sipas të drejtës islame, meqë namazi farz është “e drejtë e Allahut”, asnjë punëdhënës nuk ka të drejtë ta pengojë punonjësin e vet për t’i falur namazet farze që rastisin brenda orarit të punës. Këtu nuk futen namazet nafile të çfarëdo lloji që të jenë.[8]

 

A është haram tregtia në kohën e namazit të xhumasë?

Allahu (xh.xh.) urdhëron: “Ditën e xhuma, kur të thirreni për namaz (kur të këndohet ezan), lëreni shitblerjen dhe vraponi për ta përmendur Allahun!” (Xhuma, 62/9) Duke u nisur nga ky ajet, medhhebi hanefi e ka quajtur shitblerjen në këtë kohë mekruh tahrimen (pranë haramit), kurse tri medhhebet e tjera, kanë dhënë konkluzion për haram. Vlerësimi si mekruh tahrimen i shitblerjes gjatë intervalit prej këndimit të ezanit të brendshëm gjer në përfundim të faljes së namazit të xhumasë, nuk rrjedh prej aktit tregtar në vetvete, por prej pengesës që i krijon ky akt kryerjes së namazit të xhumasë, ose prej afërsisë kohore, ose prej përputhjes kohore të tij me namazin e xhumasë.

Ndërkaq, personi që e ka për detyrim faljen e namazit të xhumasë, duke mos e respektuar urdhrin e mësipërm, bën tregti, me këtë qëndrim dhe veprim kryen një akt mekruh tahrimen ose haram, por tregtia e bërë është e vlefshme dhe fitimi i siguruar nuk është haram. Vetëm se komentuesit kanë thënë se, për shkak të kryerjes së një pune të ndaluar nga Allahu, fitimi i arritur me këtë rrugë nuk do të ketë begati, se në jetën shpirtërore të personave përkatës mund të lindin përfundime negative dhe se jeta e tyre ndjesore mund të shuhet.

[1] Ibni Maxhe, Ikame, 79; Musned, 3/429.

[2] Muslim, Taharet, 14; Tirmidhi, Salat, 160.

[3] Shih. Buhari, Xhuma, 21, 25; Menakib, 25; Muslim, Fedail, 6, 7.

[4] Sujuti, ed-Durru’l-Mensur, 8/165.

[5] Ibni Hisham, Tehzib, 1/122, 123.

[6] Buhari, Xhuma, 37; Talak, 24; Deavat, 61; Muslim, Xhuma, 13.

[7] Ibni Maxhe, Ikame, 99; Musned, 5/450.

[8] Ndërkaq, duhet mbajtur parasysh se po flasim për të drejtën juridike-fetare islame e cila është në fuqi vetëm në shtetet islame. Zbatimi i disa prerogativave të kësaj të drejte të cilat kanë të bëjnë kryesisht me detyrimet besimore-fetare të individit, duke mos qenë detyrim në vendet ku është në fuqi e drejta civile laike, rregullohet me marrëveshje. Përkthyesi.

Postime te ngjajshme