Muhamedi a.s. e ka ndaluar dhunën ndaj individit dhe shoqërisë

mosque_flowers_7217Muhamedi a.s., i cili luftoi çdo formë e cila prishte rendin shoqëror dhe çdo gjë që prishte sigurinë dhe qetësinë në shoqëri, pavarësisht se a quhet terrorizëm, ekstremizëm apo abuzim, ngase të gjitha këto shpien deri te frikësimi i individit dhe shoqërisë.

Ndalimi i dhunës mbi punëtorët-shërbëtorët

Ai sillej mirë edhe me punëtorët-shërbëtorët. I trajtonte ata si gjithë njerëzit e tjerë. Hante në një sofër me ta. I thoshte Zejb ibën Harithit, e që ishte njëri prej tyre: “Ti je vëllai ynë.” Ndërsa Enes ibën Malik na tregon: “I shërbeva 10 vjet të Dërguarit të Allahut a.s. nuk dëgjova (të ankohej) ndonjëherë e të thoshte” uf”. Nuk më tha ndonjëherë për diçka që e kisha bërë “pse e bëre këtë?”, dhe as për diçka që e lija pa bërë” pse nuk e bërë këtë?”(1)

Ndalimi i vrasjes dhe derdhjes së gjakut

Pejgamberi a.s. gjithashtu ndalonte vrasjen dhe derdhjen e gjakut, madje këtë e konsideroi nga mëkatet e mëdha.
Allahu xh. sh. në Kuranin fisnik thotë: “Dhe mos mbytni njeriun që Allahu e ka ndaluar (mbytjen e tij), përveç me drejtësi (që e kërkon sheriati).” (El Isra, 33)
E tregon Pejgamberi a.s. të keqen e krimin duke thënë: “Nëse i tërë njerëzimi dhe të tërë banorët e qiellit marrin pjesë në gjakun e një besimtari do t’i kishte hedhur Allahu xh.sh. të gjithë në zjarr.”(2)
Vrasja në shikimin e islamit është shumë e rëndë, sa që nëse të gjithë marrin pjesë në vrasje, do t’i dënoj Allahu xh. sh. me zjarr.
Pastaj Pejgamberi a.s. ndaloi drejtimin e armës drejt njeriut, qoftë edhe nëse e ke vëlla të gjakut. Pejgamberi a.s. thotë: “Kush drejton armët e tij te vëllai i tij, melaqet do ta mallkojnë atë, edhe nëse e ka vëlla nga babai dhe nëna.” Në këtë hadith shihet qartë shenjtëria e gjakut të njeriut, gjithashtu vërehet ndalesa e frikësimit të njëri-tjetrit me armë, dhe ky ndalim përfshinë myslimanin dhe jomyslimanin. Praktika e Pejgamberit a.s. është argumenti më i mirë për këtë. Zejd ibën Suneh el Jehudi, që ishte çifut erdhi te Pejgamberi a.s. dhe i kërkoi borxhin e tij nga i Dërguari a.s., duke e kap për këmishe atë, dhe i tha: “A nuk do e lash borxhin, ngase ju djemtë e Abdul Mutalibit dini ta vononi kohën e caktuar të borxheve?”, pastaj shtoi, shikoja në fytyrën e Omerit r.a., e ky ishte skuqur nga mllefi i fjalëve që i dëgjonte, por Omeri r.a. nuk u durua pa i thënë: “O armik i Allahut, çfarë i thua të Dërguarit të Allahut? Pasha Atë që dërgoi të Dërguarin me hak, po të mos ishte borxhi mes jush do të ta kisha prerë kokën me shpatën time.” I Dërguari i Allahut e shikoi me urtësi Omerin dhe i tha: “Nuk e pritëm nga ti këtë o Omer, prita që do të më nxitësh mua ta paguaj borxhin dhe ta urdhërosh atë për sjellje të mirë, eja me mua dhe paguaja borxhin dhe shtoja 20 pjata me hurma shpagim për frikën që ia shkaktove atij.”(3)

Ndaloi frikësimin

Pejgamberi a.s. e ka ndaluar frikësimin, qoftë edhe nëse vjen nga shakaja. Transmetohet nga Abdurrahman ibën ebi Lejla se kishin dalë një ditë disa shokë të Pejgamberit a.s. dhe kur u ndalën njërin nga ta e zuri gjumi, ndërsa të tjerët e frikësuan atë, Pejgamberi a.s. iu tha: “Nuk i lejohet myslimanit ta frikësojë myslimanin.”(4)

Edhe pse shoqëria sot jeton nën presionin e ligjeve dhe kushtetutave të ndryshme, e burim i së cilave është koka njerëzore, prapëseprapë zgjidhja e problemit të dhunës dhe ekstremizmit nuk është shëruar plotësisht, ka dallim edukimi i individit dhe shoqërisë mbi baza vetëm të ligjit shtetëror dhe edukimi i tyre mbi baza fillimisht të besimit, e pastaj pa munguar edhe ligji shtetëror, ngase kjo e fundit e jep efektin më të mirë dhe më të frytshëm. Nëse një shoqëri të cilën e mban nën kontroll frika nga policia, dënimi, burgu e të ngjashme, nëse ua heq vetëm një orë këtë presion të ligjit, atëherë do të reagojnë në mënyrë shtazarake nëse nuk e kanë ligjin mbi kokë. Ndërsa, nëse një individ apo shoqëri e edukuar fillimisht mbi baza të besimit në Zot dhe bindjes se një ditë do të llogaritet para Tij dhe gjykimit të Tij suprem e të drejtë, kësaj shoqërie edhe nëse ua largon ligjin shtetëror dhe mbikëqyrjen policore, ata do të rikujtojnë daljen para Zotit të tyre për t’u llogaritur për çdo vepër të keqe apo të mirë që vepruan në këtë botë, dhe për të marrë shpërblimin e duhur në xhenet apo xhehenem. Pra, Pejgamberi a.s. formoi në Medine shtetin islam me kushtetutë dhe ligje që ishin në të mirë të shoqërisë dhe ruajtjes së saj, ngase njeriu nga natyra është i prirë edhe për të keq, kështu që me edukimin fetar dhe me ligjin e drejtë realizohet qëllimi.

Drejtësia në realizimin e ligjit

Islami ndaloi zullumin-padrejtësinë dhe e konsideroi atë si bazë të dhunës e të çrregullimit. Transmeton Xhabir ibën Abdullahu, se i Dërguari a.s. ka thënë: “Keni frikë padrejtësinë, sepse ajo është errësirë në Ditën e Gjykimit”(5)
Implementimi i ligjit dhe legjislacionit në çdo pore të jetës si pikënisje duhet ta ketë drejtësinë, nuk ka dallim mes shqiptarit dhe jo shqiptarit, muslimanit dhe jomyslimanit, të bardhit dhe atij me ngjyrë, për atë gjejmë Pejgamberin a.s. të zemëruar kur Usame r.a. u mundua të ndërmjetësoi për një grua nga fisi Mahzum, e cila kishte vjedhur dhe duhej që të zbatohej ligji mbi të. Pejgamberi a.s. nga zemërimi i tha Usames: “A po ndërmjetëson për një ligj të Zotit?” Pastaj mbajti një fjalim ku tha: “Janë shkatërruar popujt para jush, kur kryente vjedhje dikush nga njerëzit me pozitë nuk e zbatonin ligjin, ndërsa kur kryente vjedhje dikush nga të dobëtit e tyre, e zbatonin dënimin mbi të, për Zotin edhe nëse Fatimja, bija e Muhamedit do të kryente vjedhje do e zbatoja dënimin mbi të (do ia këpusja dorën)”(6) Pra, zullumi-padrejtësia është baza e çdo urrejtje dhe xhelozie të cilën njeriu e formon edhe kundër vëllait të tij dhe nga kjo përhapet çrregullimi.

Zgjidhja pejgamberike në luftëra

Nuk ishte qëllimi i Pejgamberi a.s. ta zgjidhte problemin e dhunës dhe ekstremizmit duke e mbrojtur shoqërinë vetëm nga brenda, por vizioni i tij ishte edhe përfshirja e shoqërive tjera, duke formuar lidhje mes muslimanëve dhe jomyslimanëve. Për këtë e gjejmë Pejgamberin a.s. që në shumicën e rasteve kërkonte alternativa paqësore për të bashkëvepruar me palët e kundërta me të, edhe nëse ishte në gjendje lufte me ta, për këtë i porosiste komandantët ushtarak: “Mos mbytni të moshuar as fëmijë të vegjël dhe as gra.”(7)
Ai mundohej që t’i largohej luftërave maksimalisht. Kur ia dha flamurin Aliut në luftën e Hajberit i tha: “Sa të kesh mundësi hyr te ata dhe thirri në Islam, tregoju se çfarë kanë për obligim, sepse për Zotin nëse udhëzon Zoti dikë në duart tua, është më mirë për ty se sa devetë e kuqe (se sa një pasuri shumë e madhe)”(8)
Kjo ishte madhështia e Pejgamberit, Muhamed a.s., i cili luftoi çdo formë e cila prishte rendin shoqëror dhe çdo gjë që prishte sigurinë dhe qetësinë në shoqëri, pavarësisht se a quhet terrorizëm, ekstremizëm apo abuzim, ngase të gjitha këto shpien deri te frikësimi i individit dhe shoqërisë.
Lusim Allahun xh. sh. që shoqëria jonë të veshë petkun e sigurisë, qetësisë e t’i largohet njëherë e përgjithmonë dhunës, ekstremizmin dhe çdo mekanizmi që shërben në çrregullimin e rendit dhe disiplinës në shoqërinë tonë. Amin!  /www.islamgjakova.net/

___________________
(1) Transmeton Buhariu në Edeb El Mufred m. 171. Muslimi m.1659. Ebu Davudi m. 5159.
(2) Transmeton Tirmidhiu m.1398.
(3) Transmeton Thën Hibani m.288.
(4) Transmeton Ebu Davudi m.5004. Ahmedi m.23114.
(5) Transmeton Muslimi m 2578.
(6) Transmeton Buhariu 4304.
(7) Transmeton Ebu Davudi nr.2614.
(8) Transmeton Buhariu m 2847. Muslimi m.2406.

Mr. Jasir Krasniqi

 

Postime te ngjajshme