Kur’ani, shpirti i umetit mysliman

Kurannga Prof. Dr. Shahid Bushihi, Marok

 

Abstrakt

 

Shpirti i Kur’anit shkakton një transformim, i cili, ashtu siç ndodh tek individët, ndodh edhe me komunitetet. Edhe kur flitet për një komunitet, Kur’ani shkakton të njëjtin ndryshim dhe transformim që ka shpirti për trupin. Ai i bashkon pjesët e ndara të shoqërisë dhe ofron një model unik dhe bashkëpunues të saj. Trupi i të vdekurit, i braktisur nga shpirti i tij tashmë, fillon dhe dekompozohet dhe shkrihet për t’iu kthyer elementëve të parë nga të cilët u krijua, ku secili element i kthehet origjinës së tij në tokë. Vallë çfarë i ndodhi këtij trupi në rastin e vdekjes? Vdes dikush dhe ne e shohim që nuk ka ndryshuar asgjë tek ai, është po ai që ishte para se të vdesë. Nga ana tjetër, tek ai ka ndryshuar gjithçka. Çfarë u largua prej tij që nga aspekti aparencial nuk ka ndryshuar gjë, por që ka ndryshuar gjithçka? Është larguar ai që ne e njohim me emrin shpirt. Ishte shpirti ai që e kishte unifikuar qenien dhe strukturën e saj fizike. Ishte shpirti që frenonte dekompozimin e trupit dhe shpërbërjen e tij, por edhe ndihmonte shërimin e tij në raste sëmundjesh. Ishte shpirti ai që i kishte dhënë ndjesitë dhe aftësitë.

 

Zoti në Kur’an thotë: “Dhe kështu, Ne të kemi dërguar ty shpirt me urdhrin dhe vullnetin Tonë. Ti më parë nuk e ke ditur se çfarë është Libri e as ç’është besimi. Por atë (Kur’anin), Ne e bëmë dritë, me anë të së cilës udhëzojmë kë të duam nga robërit Tanë. Ti, me të vërtetë, udhëzon në rrugën e drejtë…[1]

 

Kur’ani është shpirt

Në ajetin e mësipërm, me fjalën “shpirt” nënkuptohet Libri i Zotit të Lartësuar. Është zgjedhur fjala shpirt për të shprehur sekretin e shpalljes hyjnore, e cila shkakton të njëjtin efekt që shkakton dhënia e shpirtit te njeriu, duke e transformuar në një krijesë tjetër. Njeriu konceptohet në barkun e nënës së tij për dyzet ditë si një pikë uji. Mandej ai shndërrohet në një copë gjaku të ngjizur, mandej shndërrohet në diçka të ngjashme me një copë mishi të kafshuar dhe të shtypur me dhëmbë. Pas kësaj faze i jepet shpirti duke e transformuar në një krijesë të ndryshme nga zanafilla e saj.

Njeriu – individi dhe shoqëria në tërësi – falë Kur’anit pëson një transformim tjetër. Natyra e këtij Libri i përngjan asaj të shpirtit, prandaj dhe përdoret termi “shpirt” në vend të Kur’anit. Lidhur me shpirtin, Zoti në Kur’an thotë: “Do të të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni””.[2]

Kurse në ajetin me të cilin e filluam këtë artikull, Zoti thotë: “Dhe kështu, Ne të kemi dërguar ty shpirt me urdhrin dhe vullnetin Tonë.[3]

Në arabisht, po ta shohësh janë pothuajse të njëjtat fjalë në të dy pasazhet.

Ndikimi i shpirtit të Kur’anit te njeriu si individ

Ky Libër citohet në kuadër të shpirtit, duke lënë të nënkuptohet se ka të njëjtin funksion të shpirtit për jetën e njeriut. Njeriu, para se në damarët e tij të qarkullojë drita e Kur’anit, është i vdekur, siç thuhet në Kur’an: “A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?![4]

Kur Kur’ani depërton në zemrën e njeriut dhe depërton në çdo qoshe të qenies së tij, njëlloj si gjaku, realisht, ky njeri transformohet në diçka tjetër për sa i përket energjive, ideve, kapaciteteve dhe arritjeve. Kjo, sepse falë Kur’anit ai orientohet kah Zoti, njeh Krijuesin dhe Kujdestarin e tij, i mbështetet Atij siç duhet dhe që andej i burojnë të gjitha energjitë. Nga cilësitë e Zotit është dhe “i Plotfuqishmi” prej të cilit njeriut i burojnë të gjitha fuqitë. Nga cilësitë e Zotit është “i Gjithëdituri” dhe prej Tij njeriu merr dijet. Nga cilësia e Zotit “i Gjithëurti”, njeriu merr urtësinë. Nga cilësia e Tij “i Gjithëmëshirmshmi”, njeriu furnizohet me mëshirë. Kështu, njeriu pajiset me nur dhe energji të pazakonta krahasuar me nurin dhe energjitë e mëparshme.

Le të sjellim disa modele për këtë:

Modeli i parë është modeli më perfekt, ai i profetit Muhamed (a.s.), si ishte para Kur’anit dhe si u bë më pas. Përgjatë dyzet viteve të para të jetës, para se t’i shpalleshin fjalët: “Lexo, me emrin e Zotit tënd!”[5], çfarë mundi të ndryshojë në Gadishullin Arabik? Çfarë ndryshimi solli në zemra, tek individët, grupet, fiset dhe në histori?

Por, menjëherë pas shpalljes së Kur’anit, menjëherë pas ardhjes së këtij shpirti, ai tashmë ishte dikush tjetër. Deri atëherë ai kishte qenë thjesht “njeri”, ndërkohë që tashmë i ishte shtuar dhe: “të shpallim ty”[6] (në arabisht të shpallim shprehet me foljen “nuhi”, që në origjinë do të thotë, të japim shpirtin[7]). E kur Profetit (a.s.) iu shpall ky Kur’an, ai u shndërrua në një dritë dritëdhënëse. “O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues; njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues.[8]

Profeti Muhamed (a.s.), me shpalljen e Kur’anit mori nga nuri i tij. “Juve ju erdhi prej Allahut dritë(Profeti) dhe Libër i qartë (Kur’ani)”[9] dhe vetë u shndërrua në një pishtar ndriçues. Çdo mysliman tek i cili depërton Kur’ani gjer në zemër, shndërrohet në një nur ndriçues për veten dhe të tjerët. Po, por çdo dritë dhe nur ndriçon sipas gatishmërisë dhe fuqisë që i jep ti vetë, sipas llojit dhe materialit.

Kështu, profeti Muhamed (a.s.), falë këtij shpirti të ri që iu dha nëpërmjet Kur’anit, u shndërrua në një person tjetër dhe solli ndryshime historike, të cilat do të vazhdojnë deri në fundin e kësaj bote. Ai e transformoi Gadishullin Arabik ashtu siç duhej, e bashkoi njerëzimin e përçarë dhe i dha një format të ri me një nivel të lartë humanizmi. Falë tij, arabët dhe mbarë myslimanët shënuan arritjet më të larta në fushën e civilizimit nga lindja në perëndim.

Kur Kur’ani depërton në qenien e një myslimani, sigurisht që e shndërron në një nur që rrezaton. Po, një nur, por në vartësi të gatishmërisë së personit dhe brumit me të cilin ai është brumosur.

Modeli i dytë është modeli i Omer ibnul Hatabit. E dini çfarë ka qenë Omeri para se t’i jepet shpirti i Kur’anit? Ka qenë bari delesh, njeri si gjithë të tjerët. Por, me t’iu dhënë shpirti i Kur’anit, me të depërtuar në qenien e tij nuri i këtij Libri dhe me të mbërritur drita e tij në zemrën, mendjen dhe gjithë qenien, u shndërrua në një energji të pashtershme, duke u marrë si shembull dhe model në përballjen me sfidat dhe vështirësitë.

Model i tretë është modeli i Abdullah ibnu Mes’udit (Zoti qoftë i kënaqur me të). Nga një bari shtatlig, ai u transformua në një model botëror falë shpirtit të Kur’anit, një model i cili sfidoi mbarë elitën mekase, duke u lexuar haptazi vargjet e shpallura nga Zoti, në një kohë kur askush nuk e shpallte dot besimin e tij.

Modeli i katërt është Bilal ibnu Rebah (Zoti qoftë i kënaqur me të), jetëshkrimi i të cilit tashmë është i njohur për të gjithë.

Gjithë këto ndryshime të këtyre kolosëve ishin rrjedhojë e konceptit të ri që përqafuan, konceptit dhe kuptimit të ri të jetës që u dha Kur’ani, i cili luan rolin e shpirtit, i cili e transformon qenien materiale në një energji pozitive, ashtu siç transformoi baltën e Ademit (a.s.), në një qenie që meritoi përuljen e mbarë melekëve.

 

Ndikimi i shpirtit të Kur’anit te njeriu si komunitet

Ky transformim, ashtu siç ndodh tek individët, ndodh edhe me komunitetet. Edhe kur flitet për një komunitet, Kur’ani shkakton të njëjtin ndryshim dhe transformim që ka shpirti për trupin. Ai i bashkon pjesët e ndara të shoqërisë dhe të ofron një model unik dhe bashkëpunues të saj. Trupi i të vdekurit, i braktisur nga shpirti i tij tashmë, fillon e dekompozohet dhe shkrihet për t’iu kthyer elementeve të parë nga të cilët u krijua, ku secili element i kthehet origjinës së tij në tokë. Vallë, çfarë i ndodhi këtij trupi në rastin e vdekjes? Vdes dikush dhe ne shohim që tek ai nuk ka ndryshuar asgjë, është po ai që ishte para se të vdiste. Nga ana tjetër, tek ai ka ndryshuar gjithçka. Çfarë u largua prej tij që nga aspekti aparencial nuk ka ndryshuar gjë, por që ka ndryshuar gjithçka? Është larguar ai që ne e njohim me emrin shpirt. Ishte shpirti ai që e kishte unifikuar qenien dhe strukturën e saj fizike. Ishte shpirti që frenonte dekompozimin e trupit dhe shpërbërjen e tij, por edhe ndihmonte shërimin e tij në raste sëmundjesh. Ishte shpirti ai që i kishte dhënë ndjesitë dhe aftësitë.

E njëjta gjë mund të thuhet dhe për komunitetin e besimtarëve, apo për umetin mysliman. Kur këtij komuniteti (individë, familje dhe grupe) i depërton shpirti, shndërrohet në diçka tjetër për sa i përket energjisë, ndikimit dhe funksionit. Profeti Muhamed (a.s.) nuk shënoi ato arritje që njohim në Gadishullin Arabik, veçse me persona tek të cilët depërtoi deri në palcë shpirti i Kur’anit. Ata u unifikuan si një trup i vetëm, gjë të cilën Profeti (a.s.) e shpreh me fjalët: “Shembulli i besimtarëve në miqësinë, mëshirën dhe solidaritetin për njëri-tjetrin, është si shembulli i një trupi të vetëm, kur një organ lëngon përfshihet i gjithë trupi nga temperatura dhe pagjumësia.”[10]

Shohim që ai i shëmbëlleu marrëdhëniet e besimtarëve me njëri-tjetrin me trupin. Pasha Zotin! Nuk ka shembull dhe përngjasim më të goditur me të cilin mund të krahasohet uniteti, solidariteti dhe mishërimi, më mirë sesa një trup i vetëm. Le të sjellim një rast: Je duke ecur me shpejtësi të madhe dhe krejt befasisht sytë e tu shohin një gropë të thellë. Me një shpejtësi të madhe, sytë e transmetojnë lajmin në qendrën e analizimit të të dhënave në tru, i cili nga ana e tij lëshon urdhër për të gjithë trupin që të ndryshojë drejtim. Kjo mbështetje, ky mishërim, ky konstrukt dhe ky ndërveprim i kësaj forme, nuk mund të përshkruhet veçse si një trup i vetëm.

Por çfarë i bën këta trupa të ndarë dhe të përçarë, të bashkohen si një trup i vetëm, me ndjesi të vetme dhe unike, me këto raporte ndërvepruese mes aparateve të ndryshme pavarësisht funksioneve?

E gjitha kjo, falë shpirtit të Kur’anit, prandaj dhe duhet punuar që te ne të zërë vend shpirti i Kur’anit, i cili do të na japë jetë dhe do të na nxjerrë nga gjendja e vdekjes në gjendje jete, nga përçarja në bashkim si një umet i vetëm.

 

Efekti i shpirtit Kur’an te njeriu si lloj

Nëse i vdekuri ka humbur çdo lloj ndikimi, i gjalli ka ndikimin e tij në univers sipas dinamikës dhe formimit. Njeriu është një krijesë e veçantë, sepse Zoti e përzgjodhi si përgjegjës për jetën në tokë. “Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë.””[11]

Për nder të njeriut, Zoti i urdhëroi të gjithë engjëjt që t’i përulen në shenjë respekti, një pjesë të tyre i urdhëroi që t’i shërbejnë si mbrojtës dhe gjithçka tjetër e nënshtroi në shërbim të tij. “A nuk shihni se si Allahu jua ka bërë të mundur t’i shfrytëzoni të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë dhe ju ka mbuluar me dhuntitë e Tij të dukshme e të padukshme?[12]

Kështu njeriu është një krijesë e veçantë me aftësi të pazakonta. Nga vetë termi “halif” ndjejmë integrimin e brezave te njëri-tjetri, gjë të cilën e sqaron ajeti: “Nëse do, ju zhduk dhe sjell pas jush çfarë të dojë, ashtu si ju ka krijuar nga pasardhësit e popujve të tjerë.[13]

Një ndër kuptimet e fjalës “halif” është një qenie që trashëgohet dhe se trashëgimia materiale bëhet si rezultat i vdekjes së të madhit dhe ardhjes së të voglit. “Hilafet” është shkëmbimi i çështjeve të kësaj bote dhe udhëheqjes së saj, siç thotë dhe profeti Muhamed (a.s.): “Kjo botë është e ëmbël dhe tërheqëse dhe Zoti jua ka besuar juve mbarëvajtjen e saj, prandaj shihni se çfarë veproni.”[14]

Me këtë shtrirje të konceptit “hilafet – mëkëmbësi”, njeriu mund të arrijë gjëra madhështore, që as në mendje nuk i kanë shkuar. Brezat e ardhshëm mund të arrijnë atje ku brezave të mëparshëm as që u ka vajtur në mendje. Falë ndërveprimit mes brezave, që nga Ademi (a.s.) njeriu i parë në tokë e deri kur t’i vijë fundi jetës, plotësohet mesazhi i njeriut mbi tokë, përmbushet dhe realizohet “hilafeti” i tij.

Njeriu është nga ai lloj që trashëgon njëri-tjetrin dhe ai të cilit iu besua mbarëvajtja (hilafeti) e jetës në tokë. Atij iu besua ky amanet sipas një sistemi/rregulli, i cili akumulon informacionin dhe e integron dijen nga një brez te tjetri, atë dije e cila burimin e ka te Zoti i Lartësuar. Çdo dije që ekziston në univers dhe që zbulohet dhe përdoret nga njeriu, besimtar apo jo besimtar, origjina e saj është nga Zoti. Ajo gjendet te shpalljet hyjnore me të cilat është nderuar njeriu ose tek udhëzimi i brendshëm me të cilin Zoti e ka pajisur atë. “Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i ka dhënë trajtën e vet e pastaj e ka udhëzuar”.[15]

Zoti i mësoi njeriut ato gjëra që nuk i dinte, falë shpalljeve, por edhe formave të tjera, edhe pse dija e shpalljeve është nëna e dijeve, pasi ajo është dija e ekuilibrave. “Ne i çuam të dërguarit Tanë me prova të qarta dhe bashkë me ta zbritëm Librat (e shenjtë) dhe peshoren (e drejtësisë): që njerëzit të veprojnë drejtë.[16]

 

Si depërton te ne shpirti i Kur’anit?

Ne duhet të bëjmë çmos që shpirti i Kur’anit të depërtojë në qenien tonë dhe kjo nuk mund të ndodhë veçse duke iu kthyer Librit të Zotit, lexim, veprim sipas tij dhe komunikim të mesazhit të tij. Kjo, sepse shpëtimi i njeriut nuk mund të garantohet veçse nëpërmjet katër pikave:

Për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje.[17]

Po, është një humbje e vazhdueshme dhe e përhershme, një rënie e pandërprerë nën nivelin fillestar të krijimit: “U krijua në formën më të mirë” dhe që bie në nivelet më të ulëta, por: “përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.[18]

Nëse njerëzit veprojnë vetëm njërin komponent nga katër komponentët e lartpërmendur, pra nëse vetëm “besojnë” pa bërë vepra të mira, pa u këshilluar në të vërtetën dhe pa e këshilluar njëri-tjetrin me durim, nuk i shpëtojnë dot humbjes. Pasazhi e refuzon diçka të tillë dhe nuk e pranon, ashtu siç e refuzon dhe aktualiteti. Nëse njeriu nuk lëviz drejt rrezatimit të mirësisë, duke u shndërruar në një burim vërshues mirësie, padyshim që, herët a vonë, do të ndotet dhe e keqja do të zërë vend në një formë a në një tjetër. Por nëse ai përcjell mirësi gjatë gjithë kohës, shndërrohet në burim mirësie, fton për mirësi dhe e praktikon atë, ai bëhet i padepërtueshëm nga e liga, pasi gatishmëria barazohet me zero. Ky njeri është i angazhuar dhe i zënë gjatë gjithë kohës me prodhimin e mirësisë për të tjerët. Ai është si uji, nëse nuk lëviz qelbet dhe prishet, por kur rrjedh pastrohet dhe bëhet i dobishëm. Edhe besimtari, nëse thjesht beson dhe vepron punë të mira, por pa këshilluar të tjerët për të vërtetën dhe pa i këshilluar ata për durim, është si uji që nuk rrjedh dhe uji që nuk rrjedh, nuk është i pastër.

 

Kriza e dëshmisë për njerëzit

Ne jemi një umet jo si të gjithë umetet (bashkësitë) e tjera, jemi një umet i një lloji të veçantë: “Ju jeni umeti më i mirë i nxjerrë për njerëzit![19]

Pra, jemi një umet i nxjerrë jo nga vetvetja, por i nxjerrë nga Krijuesi dhe fakti që jemi për njerëzit, do të thotë që jemi umet i ftesës dhe i thirrjes. Që këtu, disa dijetarë mendojnë se te përkufizimi i myslimanit duhet të shtohet fjala “thirrës-ftues”. Kështu, kur themi “mysliman”, kemi për qëllim atë njeri që beson te Zoti dhe fton tek Ai. Të qenët mysliman është një cilësi e cila në thelbin historik dhe tekstual ka të bëjë me ftesën për te Zoti. Ne jemi umeti i dëshmisë se mesazhi hyjnor u ka mbërritur njerëzve. “O besimtarë! Përkuluni dhe përuluni në sexhde (para Allahut)! Adhuroni Zotin tuaj dhe bëni vepra të mira për të arritur shpëtimin! Luftoni në rrugën e Allahut, ashtu si duhet luftuar.”[20]

Kur thuhet luftoni, duhet të kemi parasysh se lufta fillon me ftesë. Në suren Furkan thuhet: “Luftoji ata me forcë nëpërmjet këtij (Kur’ani).”[21]

Ai ju përzgjodhi” përbën pikën e startit për t’i shërbyer misionit të njeriut në tokë. Realisht, a mund të thuhet se jemi udhëzuar dhe kemi besuar vetëm falë punës sonë? E çfarë të mire mund të bëjë dikush që të meritojë mirësinë e besimit? Të gjithë ata që besojnë, besojnë falë mirësisë së Zotit. “Ai të gjeti të humbur dhe të udhëzoi[22] “Atë që ju ka udhëzuar në rrugën e drejtë, sepse ju më parë ishit të humbur![23]

Vetëm falë këtij rahmeti (mëshire) të pastër mbërriti ky besim dhe kjo mirësi te secili. “Luftoni në rrugën e Allahut, ashtu si duhet luftuar. Ai ju ka zgjedhur dhe nuk ju ka vënë asnjë barrë në fenë tuaj, fenë e babait tuaj, Ibrahimit. Ai ju ka quajtur juve myslimanë qysh më parë (në Shkrimet e Shenjta) dhe në këtë (Kur’an), me qëllim që i Dërguari të jetë dëshmitar mbi ju dhe që ju të jeni dëshmitarë mbi njerëzit e tjerë.[24] Pra, qëllimi është: “me qëllim që i Dërguari të jetë dëshmitar mbi ju dhe që ju të jeni dëshmitarë mbi njerëzit e tjerë.” Ky funksion ka qenë dhe funksioni i vetë të dërguarit të Zotit (a.s.) dhe mbetet funksioni i ndjekësve të tij.

Si do të bëhet kur prej çdo populli të sjellin dëshmitarë dhe të të sjellin ty (o Muhamed!) për dëshmitar mbi të gjithë ata?![25]

që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit.[26]

Çdo brez është dëshmitar për brezin që pason, secili sipas nivelit. Më të diturit që kanë përfituar më së shumti nga trashëgimia profetike, do të dëshmojnë më shumë.

Një nga sociologët myslimanë të ditëve tona, ka futur dhe tiparin thirrës teksa përkufizon myslimanin. Sipas tij, mysliman i vërtetë nuk mund të jesh veçse duke qenë përcjellës dhe komunikues i kësaj të mire dhe duke duruar vështirësitë e kësaj rruge. Prandaj, është obligim për secilin prej nesh, që të bëjë çmos që ta përhapë këtë mirësi, me qëllim që ky shpirt të zërë vend tek të gjithë myslimanët për të ndryshuar gjendjen tonë. Ne synojmë që nga njëri cep i botës në cepin tjetër, të bëhemi dhe të ndjehemi si një umet i vetëm, ashtu siç na do Zoti, gjë të cilën nuk mund ta përmbushim pa shpirtin e vetëm që na bashkon, shpirtin e Kur’anit, i cili duhet të zërë vend tek individët dhe komuniteti mysliman kudo që të jetë.

 

Rëndësia e të kuptuarit të mesazhit të Kur’anit

Nëse e ndiejmë siç duhet, detyra jonë e parë është që të fokusohemi tek të kuptuarit e drejtë të fesë dhe të këtij Kur’ani, i cili është mesazhi që na është përcjellë nga Profeti (a.s.).

Ky Kur’an më është shpallur, në mënyrë që nëpërmjet tij t’ju tërheq vërejtjen juve dhe kujtdo që i përcillet.[27]

Ky mesazh vjen nga Zoti i njerëzve, e nëse nuk e lexojmë e nuk e kuptojmë siç duhet, si do të mund ta kuptojmë qëllimin e tij? Sa mund ta zbatojmë atë? E nëse mjaftohemi vetëm me leximin e këtij mesazhi, pa e kuptuar atë, si do të mund ta zbatojmë? Sigurisht që në një rast të tillë kemi të bëjmë me një problematikë madhore. Zoti e dërgoi këtë mirësi për lumturimin e njerëzimit, me qëllim që njerëzit të bëjnë një jetë të mirë. “…të cilëve engjëjt ua marrin shpirtrat, duke qenë të pastër. U thonë atyre: “Shpëtimi qoftë mbi ju! Hyni në Xhenet, si shpërblim për veprat që keni kryer![28] Po, ata ishin të pastër në të ushqyer, në të folur, në të menduar, në të vepruar dhe në çdo gjendje, prandaj dhe merituan urimin e engjëjve: “Kur t’i afrohen atij (xhenetit), dyert e tij do të hapen e rojtarët e tij do t’u thonë atyre: “Shpëtimi qoftë mbi ju! Ju keni qenë njerëz të mirë, andaj hyni në të dhe qëndroni përgjithmonë!””[29]

 

Njohja e arabishtes për kuptimin e Kur’anit

Nëse nuk do të mund të perceptojmë drejt qëllimin e këtij mesazhi hyjnor, nuk do të mund të përfitojmë prej tij. Prandaj dhe kërkohet prej çdo myslimani ta njohë gjuhën në të cilën është shpallur Kur’ani. “Gjuhë arabe e qartë[30]. Çfarëdo devijimi i myslimanëve për ta shmangur këtë gjuhë, konsiderohet i papranueshëm. Myslimanët duhet t’i japin kësaj çështjeje të gjithë vëmendjen e nevojshme, ta mësojnë gjuhën arabe, t’ua mësojnë dhe të tjerëve dhe t’u mundësojnë njerëzve që t’i shijojnë sekretet e saj, sepse dera kryesore për të kuptuar Kur’anin është gjuha në të cilën është shpallur.

Institucionet e arsimit në botën islame kanë një përgjegjësi të madhe në këtë drejtim, pasi gjithçka duhet ndërtuar mbi Kur’anin dhe me objektivat e tij madhore. Fëmijëve tanë u duhet kultivuar që në moshë të hershme shpirti i Kur’anit dhe vlerat e tij. Vetëm duke i kuptuar objektivat e Kur’anit, mund të arrijmë te zbatimi i tij, gjë e cila është dhe shkaku i shpalljes. Nëse Kur’ani nuk kuptohet dhe nuk vihet në praktikë, si mund të përfitohet prej tij? Nëse një person të kërkon ndihmë për lokalizimin e një vendi dhe ti ia përshkruan me detaje dhe koordinata të sakta, por ai ndjek një drejtim krejt tjetër, nuk ka përfituar fare nga këshillat dhe ndihma jote, ai kurrë nuk mund të arrijë te destinacioni që kërkon. Kur’ani është udhëzim. “Juve ju erdhi prej Allahut dritë (i Dërguari) dhe Libër i qartë (Kur’ani), me të cilin Allahu i drejton ata që ndjekin pëlqimin e Tij, në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësira në dritë me lejen dhe vullnetin e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë.[31]

Ai që nuk i ndjek udhëzimet e tij është pa orientimin e duhur. Prandaj dhe lipset që të largohen të gjitha pengesat e akumuluara mes nesh dhe Kur’anit, pengesa e gjuhës, leximit, kuptimit dhe zbatimit. Njëkohësisht, duhet të heqim dorë edhe nga gjithçka tjetër që na largon nga Kur’ani, siç është ndjekja e pasionit.

Ka disa njerëz që sajojnë tregime të kota, për të shmangur (të tjerët) nga rruga e Allahut me paditurinë e tyre e për t’u tallur me të.[32]

Ka njerëz që e prodhojnë të kotën, e shesin, e blejnë, e shpërndajnë etj…

 

Frytet nga shpirti i Kur’anit në nivel umeti

Falë këtyre përpjekjeve të pandërprera mund të arrijmë – në dashtë Zoti – që umetit t’i kthehet shpirti i Kur’anit, e nëse ndodh kjo, do të shfaqen shenjat e para të jetës, ajo ndjesi për njëri-tjetrin, ku nëse një vend mysliman lëngon, të gjitha vendet brofin për t’iu gjendur pranë. Kur shpirti i Kur’anit depërton në trupin e umetit, të gjithë organet e tij fillojnë aktivitetin sipas funksioneve, funksioni i jetës, i dritës, i udhëzimit, nxjerrjes nga errësirat në dritë, shërimit, mëshirës etj. Prandaj dhe na lipset që të punojmë fort për largimin e pengesave që na ndajnë nga Kur’ani dhe të bëjmë çmos për ta kuptuar dhe për t’ua sqaruar dhe të tjerëve.[33]

Përktheu: Elmaz Fida

[1]. Shura 41/52.

[2]. Isra 17/85.

[3]. Shura 42/52.

[4]. En’am 6/122.

[5]. Alak 96/1.

[6]. Enbija 21/25.

[7]. Shënim i përkthyesit.

[8]. Ahzab 33/45-46.

[9]. Maide 5/15.

[10]. Muslimi.

[11]. Bekare 2/30.

[12]. Lukman 31/20.

[13]. En’am 6/133.

[14]. Muslimi.

[15]. Taha 20/50.

[16]. Hadid 57/25.

[17]. Asr 103/1-2.

[18]. Asr 103/3.

[19]. Imran 3/110.

[20]. Haxh 22/17-18.

[21]. Furkan 25/52.

[22]. Duha 93/7.

[23]. Bekare 2/198.

[24]. Haxh 22/78.

[25]. Nisa 4/41.

[26]. Bekare 2/143.

[27]. En’am 6/19.

[28]. Nahl 16/32.

[29]. Zumer 39/73.

[30]. Shuara 26/195.

[31]. Maide 5/15-16.

[32]. Lukman 31/6.

[33]. Marrë nga Revista El-Hira, nr. 41, viti XIX (mars – prill), Stamboll, Turqi, 2014:10-15.

Postime te ngjajshme