Koordinatori i BE-së: Kosova ka bërë shumë në luftimin e radikalizmit të dhunshëm

kosovo-arrests-isisKosova në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ka shënuar një sukses të madh në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, por duhet të vazhdojë përpjekjet, një konkludim i tillë është dëgjuar sot në Bruksel në një debat rreth këtij fenomeni në Kosovë i cili është zhvilluar në përfaqësinë e Kombeve të Bashkuara në Bruksel. Ministri brendshëm i Kosovës, Flamur Sefaj, ka thënë se për Kosovën një fenomen i tillë ka qenë i ri dhe se Kosova ishte dhe do të vazhdojë të jetë një aleate e rëndësishme e koalicionit kundër kësaj dukurie.
Ministri Sefaj ka paraqitur si problem në këtë konferencë edhe pamundësinë e Kosovës që të ketë qasje në bazën e të dhënave të institucioneve ndërkombëtare të sigurisë. Ai ka bërë thirrje që Kosova të bëhet pjesë e Europolit dhe Interpolit. Koordinatori i Bashkimit Evropian për luftë kundër terrorizmit Gilles de Kerchive ka thënë se Kosova ka bërë shumë në luftimin e këtij fenomeni. Ai ka thënë se në Evropë mbetet një rrezik permanent pasi, shifrat që përmendi ai, vetëm në Gjermani, Francë dhe Britani të Madhe janë identifikuar 60.000 persona të radikalizuar.
Ai ka thënë se Kosova ka një version të Islamit të moderuar por duhet pasur kujdes sepse ka pasur edhe shtete tjera në botë ku brenda një kohe të shkurtër është rritur ndikimi i grupeve radikale. Gjatë këtij debati janë prezantuar edhe të dhënat më të reja nga ana e ekspertëve të UNDP-së. Sipas tyre, në Siri dhe Irak nga Kosova kanë shkuar 399 persona, prej të cilëve 255 janë meshkuj dhe 48 gra kurse të tjerët fëmijë. Në Kosovë janë kthyer 133, ndërsa në Siri dhe Irak kanë humbur jetën 75 persona. Supozohet se 191 persona nga Kosova ende janë në Siri dhe Irak.

Postime te ngjajshme