Kolosët Islam: Ibn el-Shatir

alberuniAutor: Mr. Besart SHALAEbu’l-Hasan Ala Al-Din Ali Ibn Ibrahim Ibn el-Shatir, u lind në vitin 1304 në Damask të Sirisë. Ai ishte shkenctar arab musliman, astronom, matematicient, inxhinier, zbulues dhe inovator, i cili pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi duke punuar si muvakkit në xhaminë qendrore të Emevive në Damask. Ibn Shatiri qysh në rini ai tregoi zgjuarsi dhe interesim për nxënie të diturisë, për këtë arsye ai kishte vendosur që të vizitoi qendrat intelektuale si: Aleksandrinë dhe Egjiptin, ku studioi astronominë dhe matematikën në Kajro. Megjithatë formimin intelektual dhe afirmimin e arriti në Damask, ku edhe e zhvilloi veprimtarinë e tij shkencore. Vdiq në vendlindjen e tij më 1375.
Kontributet shkencore

Që nga shekulli i dytë p.e.r. e deri në periudhën e mesjetës, mund të themi se autoriteti kryesor shkencor në fushën e astronomisë ishin teoritë e filozofit grek Klaud Ptoleme. Që të gjitha përpjekjet për hulumtimet shkencore dhe studimeve në fushën e astronomisë, bazoheshin në veprat e Ptolemeut, e ndër to duhet veçuar punimi Almagest, në të cilin trajtohet edhe tema e lëvizjeve planetare, ku modeli i tij planetar (edhe pse me defekte të shumta), konsiderohet të jetë edhe kontributi i tij kryesor shkencor, i cili do të pasohej për shekuj me radhë. Mirëpo e tërë kjo do të ndryshonte me ardhjen në skenë të dijetarëve muslimanë, të cilët ruajtën veprat shkencore të grekëve, të cilave iu kanosej rreziku për shkatërrim nga fundamentalizmi religjioz i krishterë, meqë këto mësime bienin ndesh me doktrinat e kishës katolike, mirëpo përveç se ta ruajnë trashëgiminë shkencore të grekëve, shkenctarët musliman gjatë interpretimit të tyre i korigjuan dhe rafinuan në masë të madhe këto punime.

Shembull i kësaj është edhe dijetari Ibn el Shatir, i cili në veprën e tij të famshme Kitab nihajat el-sul fi tashih el-usul (Shtegtimi i fundit sa i përket korrigjimit të parimeve), në mënyrë drastike i reformoi modelet e Ptolemeut për Diellin, Hënën dhe planetet, duke bërë prezantimin e vetë origjinal që e eliminoi epiciklin në modelin diellor, e që kjo eleminoi ekscentrikën dhe ekuantin duke prezantuar epicikle shtesë në modelet planetare përmes Dyshes-Tusi, e që kjo i eliminoi të gjitha ekscentrikat, epiciklet dhe ekuantet në modelin hënor. Përderisa modelet e shkollës Maragha ishin po aq të sakta sa ishte edhe modeli i Ptolemeut, modeli planetar i Ibn Shatirit ishte i pari që ishte më superior ndaj modelit të Ptolemeut, sa i përket përputhshmërisë më të madhe me faktet shkencore. E arritur tjetër e Ibn Shatirit është edhe ndarja e filozofisë natyrore nga astronomia dhe refuzimi i modelit të Ptolemeut më tepër në baza shkencore sesa filozofike.

Për dallim nga astronomët e tjerë të kohës së tij, Ibn Shatiri nuk mbështetej aq në parimet teorike të kosmologjisë, filozofisë natyrore apo fizikën e Aristotelit, por u angazhua në punimin e një modeli i cili përputhej më tepër me vrojtimet empirike dhe kjo ishte esenca e konceptit të tij planetar. Veprimtaria e Ibn Shatirit shënoi kthesë në astronomi, e cila mund të konsiderohet si revolucion shkencor para se ndodhte renesanca. Për dallim nga astronomët e mëparshëm, Ibn Shatiri në përgjithësi nuk kishte vërejtje filozofike ndaj astronomisë së Ptolemeut, mirëpo edhe pse kishte admirim për punën e tij, ai nuk mundej që t’i anashkalonte vakumet e mospërputhjes, kështu ai vazhdoi rrymën arabe të kritikës së astronomisë të ilustruar me shembuj konkret nga vrojtimet e tij. Ai ishte astronomi i parë që prezantoi ekperimentimin në teorinë planetare, pasi që vazhdimisht testonte modelet e Ptolemeut dhe nëse asnjë prej tyre nuk përputhej me të dhënat nga vrojtimet e bëra, atëherë ai formulonte modelin e tij origjinal i cili ishte konform atyre observimeve Edhe pse për sistemin e tij ka rezerva se mund të jetë gjeocentrik, ai e eliminoi ekuantin dhe ekscentrikën e Ptolemeut, kurse detajet matematikore të tij ishin identike me ato të Kopernikut që janë paraqitur në veprën De Revolutionibus.

Koncepti i tij planetar dhe teoria mbi lëvizjet hënore nuk dallonin nga ato që iu atribuan Kopernikut diku rreth 150 vite më vonë. Për këtë arsye besohet se modelet e Ibn Shatirit u adaptuan nga Koperniku në modelin heliocentrik. Poashtu dihet se diagramet e Kopernikut për modelin e tij heliocentrik, përfshirë edhe shenjimet e pikave, ishin pothuajse identike me diagramet dhe shënimet e përdorura nga Ibn Shatiri për modelin e tij planetar dhe është evidente që Koperniku përdori të njëjtin koncept të lëvizjeve për të prezantuar modelin e tij planetar me diellin në qendër të saj, që na bënë të kupton se Koperniku ishte në dijeni për punën e Ibn Shatirit.

 Një punim tjetër shumë me rëndësi ku Ibn Shatiri diskuton mbi çështjet dhe teoritë astronomike, është edhe vepra e cila e mbanë emrin e tij, Zixh Ibn Shatir (Doracaku i astronomisë), apo siç quhet nganjëherë El zixh el xhedid, e cila u përpilua me urdhër të Muratit I, i cili ishte sundues osmanli nga 1360 e deri më 1389. Në parathënien e këtij punimi, Ibn Shatiri i përmend burimet e tij, siç janë: Maslamah Ibn Ahmed el Maxhriti, Ibn el Hajthem, Muhamed ibn Husein nga Granada, Nasir el-Din el Tusi, Mu’ajjad el Din el Urdi, Muhij el Din el Magribi dhe Kutb al Din el Shirazi. Ndër kontributet e tij të tjera shkencore, duhet të përmendet edhe arritja e tij që që me sukses ta bëjë përllogaritjen e pjerrtësisë së boshtit të tokës, ku më 1365 arriti të demonstroi me një precizitet të lartë, se këndi i pjerrtësisë eliptike të boshtit të tokës ishte 23 shkallë e 31 minuta[6], kurse vlera e saktë është kalkuluar nga shkenctarët e shekullit të njezetë, e cila ishte e mundur të bëhej vetëm nëpërmjet kompjuterëve dhe vlera është 23 shkallë e 31 minuta e 19.8 sekonda, që do të thotë se vlera që kishte proklamuar Ibn Shatiri dallonte me vetëm 19 sekonda e 8 të qindëtat nga përllogaritja e bërë përmes teknologjisë bashkëkohore të cilën e posedojmë ne sot. Përveç koncepteve planetare dhe përlogaritjeve astronomike, Ibn Shatiri dha kontribut të jashtëzakonshme edhe në konstruktimin e instrumenteve astronomike, duke bërë avansime substanciale në këtë drejtim. Ibn Shatiri konstruktoi orë të mrekullueshme diellore për xhaminë e Emevive në Damask, një prej të cilave ishte e ngritur në minaren veriore të xhamisë. Instrumenti i cili tani ndodhet në minare është kopje identike, e cila është punuar fund të shekullit të XIX-të, kurse fragmente nga instrumenti origjinal janë të ruajtura në kopshtin e Muzeut Kombëtar, në Damask të Sirisë Orët diellore antike tregonin kohën me orë jo të barabarta, që ndryshe quheshin edhe orë të përkohshme, të cilat ndryshonin sipas stinëve. Çdo ditë ishte e ndarë në dymbëdhjetë segmente të barabarta, si rrjedhim i kësaj orët ishin më të shkurtëra në dimër ndërsa më të gjata gjatë verës. Idea për të përdorur orët me gjatësi të njëjtë kohore gjatë tërë vitit ishte zbulim i Ibn Shatirit më 1371, e që ishte e bazuar në zhvillimet e bëra në trigonometri nga Muhamed el Batani. Ora e tij diellore ishte e punuar nga mermeri, kishte madhësinë 2 x 1 metra dhe kishte një sistem shenjash të gdhendura në mermer, që i mundësonte muvakitit ta lexonte kohën ekuinoksale, që nga agimi e deri në mbrëmje. Ky koncept i orëve diellore u paraqit në perëndim 100 vjet më vonë. Orë diellore me përmasa më të vogla, pjesë të instrumentit Përmbledhësi i Ibn Shatirit, tani gjendet në Aleppo. Ai është i përforcuar për një kutie e quajtur Sanduk al-xhavakit (arka e thesarit), e cila ka përmasat 12 x 12 x 3 cm.

Ky instrument përdorej për të determinuar kohët e namazeve, si dhe për të përcaktuar meridianin lokal dhe për përcaktimin e drejtimit të Kibles. Ibn Shatiri shkruajti edhe mbi hartën yjore dhe konstruktoi astrolabin të cilin e quajti Instrumenti universal, e që e kishte përshkruar në veprën e tij Al-Ashi’a al-lāmi’a fī ‘l-‘amal bi-‘l-āla al xhāmi’a, (Rreze ndrçimi mbi operimet me instrumentin universal). Një komentim kësaj vepre i ka bërë astronomi dhe inxhineri i famshëm osmanli Teki al Din, i cili e kishte futur në përdorim instrumentin universal në observatoriumin el Din të Stambollit gjatë viteve 1577-1580 dhe vlenë të përmendim se një astrolab dhe një instrument universal të cilët i ka punuar Ibn Shatiri kanë mbijetuar. Librat e tij mbi astrolabin shërbyen si referim për shekuj me radhë në territoret e Shamit dhe Egjiptit dhe përgjatë tërë Perandorisë Osmane dhe vendeve të tjera Islame, pasi që ishin të domosdoshëm për determinimin e kohëve të namazeve tek muslimanët. Megjithëse përveç punimeve ku bëhen fjalë rreth konstruktimit të instrumenteve të reja astrronomike të cilat i kishte zbuluar Ibn Shatiri, ai poashtu kishte shkruar manuale ku përshkruhej mënyra e përdorimit të këtyre mjeteve. Ndër zbulimet e instrumenteve të shumta astronomike vend shumë të rëndësishëm zë edhe instrumenti i cili njihet si Përmbledhësi, të cilin së pari e kishte konstruktuar Ibn Shatiri, u quajt kështu pasi që ishte multifunksional dhe shërbente për shumë qëllime. Ky mjet në mes të tjerash përmbante në vete një alhidade dhe orën diellore polare dhe u bë shumë i famshëm më vonë në evropën e renesancës. Ai kishte zbuluar edhe lloje të rinjë të kudrantëve, siç ishte Kudranti përsosur (el-rub el-tamm), që ishte përshkruar në traktatin e tij El-naf El-amm fi-l-‘amal bil-rub el-tamm. Punime të tjera të tij mbi instrumentet janë edhe: Risalat al-istralab, Mukhtasar fi-l-amal bil-istralab…, Idah el-mughaijab fi-l-amal bil-rub el-muxhaijab, e të tjerë. Një model i kudrantatit të cilin e ka konstruktuar Ibn Shatiri për shejh Ali ibn Muhamed el-Darbandin, është i ruajtur deri më sot në bibliotekën kombëtare të Parisit.

 Ai poashtu shkruajti mbi variacionet trigonometrike dhe punoi traktatin Bil nisaba el-sittinija, i cili bënë fjalë mbi përpjestimin seksagesimal (të gjatshtëdhjet), e që supozohet të jetë mbi thyesat e gjashtëdhjeta. Ibn Shatiri ishte njëri ndër shkenctarët më të mëdhenjë përgjatë historisë, dha kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e shkencës dhe modernizimin e saj dhe njëherit me intelektin e tij krijoi shtigje të reja për kuptimin dhe interpretimin e astronomisë për gjeneratat e reja të cilat do të vinin shekuj më vonë.

Vërejtje: Ndalohet publikimi i tërësishëm apo i pjesërishëm i shkrimit, pa lejen paraprake nga autori

Postime te ngjajshme