Islami e dënon ekstremizmin fetar

25593528_323331051515530_523378498_nDhuna dhe krimet që kryhen nga skizofrenët hipokrit fetar janë tmerruese dhe si të tilla asesi nuk janë të urdhëruara nga Zoti i Plotfuqishëm. Kështu që terrorizmi dhe krimet e kryera nga grupe terroriste si ISIS, Al-Kaida dhe Boko Haram, nuk kanë lidhje me Islamin apo mësimet e Kuranit të Shenjtë apo ato të Profetit Muhamed (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë me të). “Dashuri për të gjithë urrejtje për askë”. Ky ishty besimi që u mishërua në mënyrën e jetesës së Profetit Muhamed, prandaj kjo duhet të praktikohet nga të gjithë muslimanët. Profeti Muhamed i lejoi të krishterët të luteshin në xhaminë e tij.

Profeti u emërua gjithashtu udhëheqës mbi muslimanët, hebrenjtë dhe paganët në Medinë, një detyrë që ai e kreu me sukses dhe pa paragjykime ndaj askujt. Cili akt tjetër i dashamirësisë mund të jetë më i madh se ky? Zoti i Madhërishëm thotë në Kuranin Fisnik: “S’ka detyrim në fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra! “[2:256]

“Sikur të donte Zoti yt, do të besonin të gjithë ata që gjenden në tokë. Vallë, ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?!” [10:99]

Ky është Islami i vërtetë, Islami me të cilin shqiptarët u rritën. Megjithatë, sot nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për një pjesë tjetër që pretendojnë se janë musliman, por që nuk ndjekin mësimet e mirëfillta islame. Terroristët, të cilët janë të dobët “njerëz pa asnjë ambicie dhe plan për të ardhmen e tyre “, janë kriminel që terrorizojnë duke vrarë përmes sulmeve terroriste vetëvrasëse , duke vrarë myslimanë, të krishterë dhe njerëz të tjerë të pafajshëm, kinse për të fituar xhenetin. Zoti i Plotfuqishëm na ka thënë në Kuran se ne mund të arrijmë kënaqësinë e jetës së përhershme duke besuar në Të dhe duke bërë vepra të mira, por jo duke vrarë një qenie tjetër njerëzore!

Xheneti nuk arrihet me vrasje e terror. Islami është fe e paqes dhe muslimanët duhet të jenë promovues të paqes në çdo kohë. Sjelljet e dhunshme nuk përkojnë me mësimet Islame. Një shembull tjetër i mirësisë dhe tolerancës së Muhammedit a.s., ishte me rastin e rikthimit të tij triumfues nga Medina në vendin e tij Meka. Në Mekë, Muhammedi a.s. ishte persekutuar rëndë.

Kur u kthye në vendlindjen e tij, megjithëse kishte forcën dhe pushtetin, ai nuk terrorizoi dhe nuk i vrau kundërshtarët e tij, edhe pse e kishte pushtetin që ta bënte një gjë të tillë. Ai vendosi t’i falte të gjithë ata që e kishin luftuar kundër tij gjatë periudhës së hershme të Islamit në Mekë. Kështu që është e qartë se një terrorist nuk është as musliman, e as që ndjek mësimet islame, kurse vrasja e njerëzve nuk është një veprim i shenjtë për përhapjen e besimit, e as si mjet për ngritjen e Islamit apo zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Postime te ngjajshme