I akuzuari që iu bashkua ISIS-it mbrohet me heshtje në Gjykatë

gjykata-themelore-prishtine-4I vendosur që të mbrohet në heshtje për akuzat për të cilat e ngarkon Prokuroria Speciale e Kosovës, Artan Kadriu sot nuk pranoi të merret në pyetje në gjykatë. Ai akuzohet se u është bashkuar grupeve të jashtme paraushtarake të përfshira në luftën e Sirisë. Por, Artan Kadriu nuk akuzohet vetëm për këtë vepër penale. Ai është pjesë e një grupi prej 10 të akuzuarve për pjesëmarrje në grupet terroriste ISIS e Al-Nussra. Gazeta Express përcolli gjykimin e sotëm, ku u dëgjua dëshmia e dëshmitarit, Arian Alijaj. Në aktakuzën e ngritur ndaj Kadriut, Alijaj është i akuzuar për të njëjtën vepër penale, por sot u paraqit si dëshmitar, pasi që e kishte pranuar fajësinë në fillim të shqyrtimit të këtij rasti

Në maj të vitit 2016, të akuzuar se u janë bashkuar grupeve të jashtme paraushtarake të përfshira në luftën e Sirisë, Artan Kadriu dhe Arian Alijaj ishin arrestuar në kufi të Sirisë me Turqinë, në provincën Hatay.

Aktakuza e siguruar nga Gazeta Express thotë se ata u ndaluan nga autoritetet turke së bashku me tre persona të tjerë: dy boshnjakë dhe një shqiptar nga Maqedonia. Prokuroria Speciale thotë se të pandehurit kanë qëndruar të ndaluar në Turqi deri më 31 maj 2016. Më vonë, ata u ekstraduan në Kosovë.

Në fillim të këtij procesi gjyqësor Arian Alijaj e ka pranuar fajësinë dhe ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë Speciale, e cila e ngriti këtë aktakuzë dhe në nëntor të vitit të kaluar Gjykata e dënoi Alijajn me dy vjet e gjysmë burg.

Artan Kadriu ngarkohet edhe me një akuzë tjetër nga Prokuroria, në të cilin rast janë të përfshirë një grup prej 10 personave që akuzohen për terrorizëm. Ata janë: Hadi Nura, Besim Shabani, Betim Ibrahimaj, Adil Bushi, Egzon Latifi, Jetmir Bushi, Bekim Halili, Zejadin Berisha dhe Jeton Hajdini. Ata dyshohen për pjesëmarrje në grupet terroriste ISIS e Al Nussra, në Siri e Irak. Gazeta Express ka raportuar për gjyqin ndaj 10 të akuzuarve për terrorizëm që u mbajt javë me parë.

I penduar se shkoi në Siri për të luftuar krahë ISIS, Arian Alijaj u soll të mërkurën në seancë gjyqësore nën pranga, por në cilësinë e dëshmitarit për të dëshmuar ndaj Artan Kadriut, i akuzuar për të njëjtën vepër penale.

Alijaj tregoi se si u takua me Artan Kadriun në Turqi, në qendrën ku i kishin dërguar pasi autoritetet turke i kanë kapur në kufi të Sirisë.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale thotë se Artan Kadriu dhe Arian Alijaj kanë shkuar në Siri nga Turqia dhe më pas janë kthyer sërish në Turqi. Me të hyrë në vendkalimin kufitar Siri-Turqi, ata u arrestuan nga autoritetet turke dhe qëndruan në burg rreth 1 muaj.

I pyetur se a është arrestuar edhe Kadriu bashkë me të në vendkalim kufitar, Alijaj tha se atë ditë nuk ka pasur kosovarë në mesin e të arrestuarve.“S’ka pas kosovarë të tjerë që i kanë arrestu kur m’kanë arrestu mu. Artanin e kam taku në burgun ku qëndroja unë. Atë e kanë sjellë pas 5-6 dite aty”, iu përgjigj Alijaj pyetjes së prokurorit special, Abdurrahim Islamit.

Dëshmitari tregoi edhe rrugëtimin e tij që e kishte bërë nga Kosova për të arritur në Siri. Ai tha se fillimisht kishte shkuar në Shqipëri, e më pas ka vazhduar për në Turqi dhe nga Turqia ka vazhduar për në Siri, ku ka qëndruar 2 muaj, shkruan Gazeta Express.

“Prej Turqisë kam shku në Siri, tani jom kthy apet në Turqi. Në Siri kam nejt 2 muaj përafërsisht”, tregoi Alijaj në cilësinë e dëshmitarit për këtë rast.

“Kur jam kthy në Turqi m’kanë arrestu në kufi Siri-Turqi, tu e kalu kufinin”.

I pyetur se si e njeh Artan Kadriun, Alijaj tha se e ka njohur si figurë, pasi ka jetuar tek Xhamia e Madhe në Prishtinë dhe aty i ka rastisur me pa fytyrën e Artanit.

“E kam njoft si figurë, unë e kom shpinë te Xhamia e Madhe, i njoh njerëzit që vijnë mu falë, po muhabet me të s’kam pas”, tha dëshmitari, ndërsa tregoi se më vonë, në Turqi, ishin takuar me Artanin në burgun ku kanë qëndruar.

“Shqiptarë jem na, kena folë ‘qysh je, a je mirë’, tjetër muhabet s’kemi pas”, tha Alijaj.

I akuzuari për pjesëmarrje në luftërat e jashtme, Artan Kadriu, në këtë rast gjyqësor nuk ka pranuar të ketë avokat mbrojtës, duke pranuar kështu të mbrohet në heshtje ndaj akuzave që Prokuroria Speciale e ngarkon.

“Unë dua të mbrohem në heshtje”, tha Kadriu, derisa bëri një ndarje të deklaratës së parë të dhënë në polici. Ai tha se në atë deklaratë, ka ndërhyrë avokati i caktuar dhe fjalia e fundit e shkruar në atë deklaratë nuk është e tija.

“Pendohna që e kam kalu kufirin e Kosovës, që kam ikë prej arrestit shtëpiak” ishte deklarata e shkuar si deklaratë e të akuzuarit Kadriu, por sot ai tha se nuk qëndron prapa këtij konstatimi, pasi tha se “kjo deklaratë është thënë nga avokati im, e jo nga unë”.

Shqyrtimi gjyqësor i së mërkurës që u mbajt në Gjykatën Themelore në Prishtinë vazhdoi me administrimin e provave materiale të deritanishme, njoftimet dhe komunikimi nga ana e autoritetit të shtetit të Turqisë (01.06.2016), njoftimi i datës (24.05.2016) si dhe njoftimet e datave 14, 18, 19 korrik 2016, leximi i të dhënave në hyrje-dalje të kalimeve kufitare, përmes vendkalimeve të tjera si dhe ato të realizuara përmes kompanisë … në Turqi, dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga Ambasada e Kosovës në Turqi dhe përgjigjja e autoriteteve turke (08.08.2016) drejtuar zyrës ndërlidhëse të Ambasadës së Kosovës në Ankara.

Në seancën e radhës, e cila u caktua për më 12 dhjetor, prokurori special Abdurrahim Islami do të japë fjalën e tij përfundimtare./Gazeta Express/

 

Postime te ngjajshme