“HUMANIZMI” ME BISHT

25593528_323331051515530_523378498_nLufta e fundit në Kosovë la vendin në gjendje të rëndë, si në atë ekonomike e arsimore, një ashtu edhe në aspektin e sigurisë dhe stabilitetit të gjithëmbarshëm. Brishtësia e vendit bëri që në Kosovë të hynë njerëz, grupe dhe organizata të ndryshme, të cilat pa kurrfarë kontrolli filluan të punojnë dhe shtruan veprimtarinë e tyre pa u penguar nga askush. Organizata të ndryshme nga lindja e afërt dhe e asaj e mesme, erdhën në Kosovë me pretendimin se janë duke vepruar në emër të humanizmit dhe se qëllimi i ardhjes së tyre ishte ndihma ndaj popullit të vuajtur dhe të dërrmuar nga lufta. Megjithatë këto organizata nuk u kufizuan vetëm në aspektin humanitar dhe ndihmës materiale ndaj qytetarëve.

Një numër i madh i këtyre organizatave të ashtuquajtura humanitare, filluan edhe me veprimtari “edukative-fetare”. Në të shumtën e rasteve, çasja ndaj ndihmave prej anës së popullatës së varfër dhe nevojtare, ishte e kushtëzuar edhe me pjesëmarrjen aktive të tyre në ligjerata fetare të organizuara nga shoqatat humanitare. Ligjeratat e mbajtura fetare ishin pa asnjë kontroll apo mbikëqyrje të ndonjë institucioni kompetent, i cili do vlerësonte këto predikime dhe se çfarë realisht synohej me to. Për të shtuar akoma më tepër ndikimin e veprimtarisë së këtyre organizatave, filloi edhe vërshimi me literaturë të ndryshme me karakter fetar islam, të cilat iu dhuroheshin popullit në formë bamirësie. Librat e autorëve nga lindja e afërt dhe e asaj të mesme, filluan të përktheheshin dhe botoheshin pa kurrfarë procedure analizimi apo recensimi.

Përzgjedhja e kësaj literature bëhej në bazë të preferencave të huaja që vepronin në Kosovë. Me kalimin e kohës dhe rritjes së vazhdueshme të botimit të pavarur të librave islam, u vë re se qëllimi i kësaj literature ishte propagandimi ideologjik fetar, me karkter të ngurt, radikal dhe ekstrem. Interpretimet e mësimeve islame në këtë literaturë, kanë patur një interpretim provincial, jashtë kontekstit kohor, si dhe me qëllim të arritjes së synimeve gjeopolitike të vendeve të caktuara. Efekti i kësaj lietrature propaganduese filloi të vërehej shumë shpejt, meqë filluan përçarje të mëdha në mesin e besimtarëve, si dhe u shkaktuan polarizime të theksuara në shoqërinë kosovare. Interpretimet e reja islame që filluan të përhapeshin në vendin tonë, shkaktuan huti dhe çorientim në shoqëri. Literatura propaganduese ideologjike esktreme, jo vetëm që shkaktoi përçarje në shoqëri, por shumë njerëzve u kushtuan edhe me jetë interpretimet ideologjike e radikale fetare.

Andaj si shoqëri kemi nevoj që literatura islame në Kosovë të pastrohet nga barbarizmat ekstremiste, të cilat jo vetëm që shkaktuan përçarje në shoqëri, por shkaktuan përçarje madje edhe në familjet kosovare. Shumë familje që ranë pre e keq-interpretimeve fetare, tani gjenden të pashpresë nëpër shkretëtirat arabe. Rikthimi i besimtarëve në vlerat e mirëfillta islame dhe kombëtare janë domosdoshmëri për një bashkjetesë dhe mirëqenie të shoqërisë sonë në përgjithësi. Urojmë që si shoqëri të këndellemi sa më parë dhe të veprojmë fuqishëm kundër invadimit ideologjik të kamufluar me petkun e fesë. Duhet ta dijmë se vetëm me edukimin dhe arsimimin e brezave të rinjë, mund ta rrisim vetëdijen qytetare dhe të ecim drejt së ardhmes prosperuese të vendit tonë. Njëherit kultivimi i atdhe-dashurisë dhe ruajtja e vlerave kombëtare, duhet jetë gjithmonë prioritet dhe asnjëherë të mos gjunjëzohemi ndaj atyre të cilëve përmes intrigave mundohen që ta përçajnë vëllazërinë dhe unitetin shqiptar.

Editorial – FOLTASH

Postime te ngjajshme