Fillestarët në islam, më të rrezikuarit nga radikalizmi

Logo fol Tash shqipSipas mësimeve fetare çdo kush ka të drejtën e pendimit për mëkatet eventuale që personi ka bërë gjatë jetës së tij.
Megjithatë euforia e disave që me shpejtësi të pastrojnë veten nga e kaluara dhe të shpaguajnë për mënyrën jo aq të ndritshme të jetës që mund ta kenë bërë më heret, i bënë disa të ndërmarrin hapa të ngutshëm e të pa menduar, duke synuar një reformim të shpejtë.
Për këtë arsye fillestarët në islam që sapo kanë nisur praktikimin e fesë, janë shtresa më e rrezikuar nga radikalizmi dhe ekstremizmi.
Një shembull aspak i mirë ishte personi i cili sivjet pati sulmuar dhe mbytur me thikë katër persona afër ndërtesës së parlamentit britanik.
Më vonë ishte vërtetuar se personi ishte një i sapo konvertuar në islam, që më herët kishte qenë mësues i anglishtes.
Personat e këtillë radikalizohen pa e hetuar këtë, ngaqë mendojnë se janë duke mësuar fenë dhe po veprojnë atë që thotë Zoti, a në fakt veprimet e tyre janë në kundërshtim të plotë me parimet islame.
Kjo ndodhë ngaqë këta persona janë fillestar sa i përket praktikimit të fesë dhe si të tillë njohuritë e tyre fetare islame janë shumë të cekëta. Këta persona nuk kanë as njohuri themelore mbi Kur’anin dhe traditën e të dërguarit Muhamed.
Andaj pikërisht kjo shtresë dhe këta individ janë nën thumbin e rekrutuesëve esktremist, të cilët shfrytëzojnë vullnetin e njerëzve për praktikim të fesë dhe mos njohurinë e tyre mbi fenë, në mënyrë që t’i radikalizojnë ata dhe t’i përdorin për sulme dhe terrorizim.
Kjo ndodhë ngaqë rekrutuesit ekstremist nuk shkojnë të vetëvriten dhe ta rrezikojnë veten e tyre, por shfrytëzojnë të tjerët për ta bërë një gjë të tillë, përderisa vetë rrijnë nga larg dhe orkestrojnë terrorizimin e njerëzve të pafajshëm.
Kështu që mund të themi se janë tri arsye përse fillestarët në islam radikalizohen.
E para, për shkak të mos njohurive paraprake islame. Të sapo konvertuarit në islam dhe ata pa të kaluar fetare janë të përshtashëm për indoktrinim dhe radikalizim, andaj edhe ekstremistët e shfrytëzojnë këtë për t’iu bërë shpëlarje truri.
Të sapo konvertuarit, shpesh herë nuk kanë askë që të konsultohen dhe nuk kanë dikë të paanshëm që t’i udhëzoj ata drejtë mësimeve të mirëfillta fetare islame. Kështu që ekstremistët mund t’ua mbushin veshët me çfarë duan ata vetë.
Përderisa myslimanët të cilët janë të lindur të tillë dhe vijnë nga familje myslimane kanë dikë që t’i këshilloj në rast të rrezikut nga radiklaizmi, tek sapo të konvertuarit kjo nuk ekziston.
Po ashtu duke qenë që rrjetet sociale po bëhen burim kryesor i mësimit fetar, shumë mysliman fillestar mund të bien pre e keq-interpretimeve dashakeqe që i bëhen islamit, e cila gjithmonë bëhet për motive të ngushta individuale apo grupore.
Dhe kjo na sjellë deri tek arsyeja e dytë. Fillestarët që sapo kanë nisur të praktikojnë fenë, janë të etur për miratimin e të tjerëve. Ngaqë fillestarët mundohen të integrohen në një komunitet ku nuk kanë qenë pjesë e tij më herët. Andaj edhe mundohen që me bindje dhe dëgjueshmëri të bëhen të pranueshëm dhe besimtarë të dëshmuar. Me fjalë tjera, ata përpjeken të tregojnë se ata e kanë vendin aty.
Kurse në mungesë të diturisë dhe njohurive të tyre fetare, fillestarët mundohen që këtë hendikep ta kompenzojnë me egërsi, andaj edhe përfundojnë si terrorist.
Dhe në fund i kemi ata që janë të sapo konvertuar, dhe myslimanët fillestar në praktikimin e fesë që vijnë nga familje jo fetare.
Këta persona mund ta gjejnë vetën të margjinalizuar në një masë të caktuar dhe atë si nga miqtë, një ashtu edhe nga familja.
Kjo ndodhë kur personi i cili ka hyrë në fe, vendos të bëjë ndryshime të mëdha në jetën e tij dhe të shpreh një këndvështrim shumë më ndryshe se që kishte më parë.
Kësaj pastaj nuk i ndihmon aspak edhe përzgjedhja e fesë islame, e cila nga dashakëqinjtë po paraqitet si feja më kontraverse dhe anti shoqërore në botë.
Ne duhet ta dijmë se ekstremistët do të vazhdojnë propagandimet e tyre të kamufluara me mësime fetare islame dhe nuk do të reshtin deri në realizimin e planeve të tyre djallëzore.
Se si do t’i përgjigjemi ne dhe si do t’i çasemi kësaj problematike, do të ndikoj drejpërdrejt në ardhmërinë e gjeneratave të reja dhe të atyre të cilët janë më të ekspozuarit ndaj këtyre dukurive negative.
Andaj duhet patjetër angazhim institucional shtetëror dhe fetar për të delegjitimuar idetë e propaganduara nga ekstremistët.
Vetëm me përkushtim ndaj demaskimit të këtyre ideologjive të mbrapshta dhe dëmsjellëse, mund të shpresojmë në çrrënjosjen e radikalizmit fetar i cili tashmë sa vite po e cenon mirëqenien e shoqërisë kosovare në përgjithësi, kurse harmoninë ndër fetare në veçanti.

Editorial – FOLTASH

Postime te ngjajshme