“Do të vizitojmë fëmijët refugjatë për mesazhet e paqes dhe përkujdesjes”

Jasmin Rexhepi dhe Dragi Zmijanac informuan se kanë finalizuar një projekt të përbashkët i cili ka filluar dy muaj më parë, dhe se i njëjti përbëhet nga dy pjesë

thumbs_b_c_ccc5f0ec54edc5b76f1f828921446654SHKUP  – Me rastin e 20 Qershorit, Ditës Botërore të Refugjatëve, përfaqësues të ambasadës së parë në botë për fëmijë, Megjashi dhe OJQ-së humanitare Legis, të cilët në mënyrë aktive janë të përfshirë në trajtimin e krizës së refugjatëve, që nga fillimi i saj dy vjet më parë kur refugjatët nga vendet Lindjes së Mesme, shumica e tyre nga Siria, kalonin Maqedoninë si pjesë e “Rrugës Ballkanike të refugjatëve”, sot do të nisen për në Turqi për të realizuar një aksion humanitar.

Përfaqësuesit e këtyre organizatave humanitare do të vizitojnë kampin për fëmijët pa kujdes prindëror në Hatay, në afërsi të kufirit me Sirinë ku janë të vendosur rreth 360 fëmijë, të cilëve do tu jepen pako me ushqim dhe veshmbathje.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Jasmin Rexhepi dhe Dragi Zmijanac informuan se kanë finalizuar një projekt të përbashkët i cili ka filluar dy muaj më parë, dhe se i njëjti përbëhet nga dy pjesë.

Në pjesën e parë të projektit ishin përfshirë subjekte të ndryshme si dhe ishin organizuar ngjarje të ndryshme informative dhe edukative, me qëllim që sa më mirë të kuptohet agonia përmes të cilës kalojnë refugjatët nga Lindja e Mesme, veçanërisht fëmijët, ndërsa në pjesën e dytë, e cila ishte humanitare, u vendos të bëhet diçka për fëmijët refugjatë nga Halepi i Sirisë, ku prej disa vitesh po luftohet.

“Vendosëm se duhet bërë diçka për fëmijët të cilët janë evakuuar nga Halepi dhe janë vendosur në kampet në Turqi. Këtë e bëmë bashkë me partnerët tanë në Turqi dhe e njëjta do të realizohet më 20 qershor. Në cilësi të përfaqësuesve të qytetarëve nga Maqedonia të cilët kanë dhuruar, do të kalojmë një periudhë kohore me ata fëmijë, të cilëve do tu përcjellim mesazhet e paqes dhe përkujdesit”, tha Jasmin Rexhepi nga Legis për të shtuar se përveç pakove ushqimore, atyre do tu jepen edhe rroba, ndërsa qëllimi është që me fëmijët të kalohen ditët e fundit të Ramazanit.

Në vitin 2016 ndodhi një ofensivë e tmerrshme dhe një spastrimin i madh etnik, ku shumë njerëz për shkak të luftës braktisën shtëpitë e tyre, meqë Halepi u rrethua, duke detyruar reagimet ndërkombëtare, veçanërisht Turqisë e cila nxori civilët dhe i strehoi në Turqi.

“Bota duhet të dijë për këtë sepse këta fëmijë nuk meritojnë të vuajnë”, ka shtuar Rexhepi i cili informoi se partner i tyre në këtë projekt është njëra nga organizatat më të mëdha humanitare në Turqi, IHH.

Kryetari i ambasadës së parë në botë për fëmijë, Megjashi, Dragi Zmijanac thotë se mesazhi “Maqedonia me dashuri për Halepin” ka prekur njerëzit të cilët kanë shfaqur solidaritet.

“Përmes programit për arsimim paqësor bëmë përfshirjen e profesorëve të cilët shfaqën dëshirën për të ndihmuar në ngritjen e fondeve. Kishim aktivitete të përbashkëta me Legis, ku personalisht jam shumë i kënaqur nga interesimi i qytetarëve. Do të shkojmë atje për t’ju dhënë mbështetje fëmijëve të cilët u gjetën atje jo për fajin e tyre. Do të dërgojmë një mesazh se viktimat më të mëdha në çdo konflikt janë fëmijët”, tha Zmijanac.

Sipas tij, fëmijëve u duhen njohur të drejtat e tyre, por kur ka luftëra dhe eksode “nuk mund të presim se do të respektohen të drejtat e tyre”.

“Maqedonia është përballur mirë me krizën e refugjatëve duke shfaqur ndjeshmëri dhe dhembshuri me fatet e njerëzve”, kujton Zmijanac.

Pasi të përfundojnë me aktivitetit ata kanë paraparë një ngjarje publike ku do të ndajnë përshtypjet e tyre.

AA-Fol Tash

Postime te ngjajshme