Dënohet për terrorizëm kosovari i deportuar nga Gjermania

ardian-gjuraj-kallxo_1518442563-7797168Ardian Gjuraj, i akuzuar për vepra që lidhen me terrorizëm, është shpallur sot fajtor dhe është dënuar me një vit e pesë muaj burgim

Në dënim atij do t’i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim që nga data 5 shtator 2016.

Pasi që i njëjti tashmë ka kaluar një javë më tepër sesa dënimi i paraparë atij pritet që sot t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe të lirohet.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues Shpresa Hasaj – Hyseni tha se trupi gjykues ka konstatuar se vepra penale për të cilën akuzohet Ardian Gjuraj ka mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, Ardian Gjuraj gjatë viteve 2014 – 2015 duke jetuar në Gjermani është bërë përkrahës i ideologjisë së organizatës terroriste-ekstremiste ISIS.

Babai i tij, Kujtim Qerkini, e kishte paraqitur në polici Gjurajn, ndërsa Policia e Gjermanisë e kishte deportuar atë në Kosovë më 18 prill 2015.

Por, gjithnjë sipas aktakuzës, në dhjetor të 2015-ës Gjuraj kishte udhëtuar me grupin e organizatës “Liza-R” drejt Turqisë. Në këtë shtet ai ishte ndarë nga grupi, ndërsa kishte vazhduar rrugën drejt Sirisë, ku u ishte bashkuar grupit të kosovarëve pjesëtarë të ISIS-it.

Në aktakuzë thuhet se Gjuraj ishte arrestuar nga autoritete turke më 25 shkurt 2016, pasi kishte kaluar ilegalisht kufirin Siri-Turqi, duke u futur në territorin e shtetit turk.

Aktakuza sqaron se autoriteteve turke që e arrestuan Gjuraj u ishte paraqitur si shtetas i Rusisë me emrin Ashab Arsayev, ndërsa më 5 shtator 2016 ishte deportuar në Kosovë.

Gjuraj akuzohet për veprën penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës. /kallxo.com/

Postime te ngjajshme