Dënohet me burg i akuzuari për shtytje në kryerje të sulmeve terroriste në Kosovë

auto_rakip_avdyli_21492160992-730x440I akuzuari për shtytje në terrorizëm, Rakip Avdyli dhe Kushtrim Podvorica për moslajmërimin e veprës penale, të mërkurën janë dënuar me burgim nga Gjykata Themelore në Pejë.

Në aktgjykim e shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri, Rakip Avdyli u shpall fajtor dhe u dënua me një vit e gjashtë muaj burgim.

Mirëpo, duke qenë se Avdyli ishte në vuajtje të dënimit për të njëjtën vepër penale, gjykatësja bëri unifikimin e dënimit, dhe i shqiptoi dënim me burg në kohëzgjatje prej dy vjetësh e gjashtë muaj.

Kurse, ndaj të akuzuarit Kushtrim Podvorica, për mos lajmërim të veprës penale, u shqiptua dënim prej gjashtë muajsh.

Njëjtë, sikurse Avdyli, i akuzuari Podvorica ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë në janar të këtij viti për vepra terroriste, ku kishte propaganduar në facebook në përkrahjen e organizatës terroristë “ISIS”, mirëpo ndaj tij, nuk u bë unifikimi i dënimit.

Kjo, ngase sipas gjykatëses Muhaxheri, avokatja e të pandehurit Podvorica,  Sabrije Krasniqi nuk ia kishte siguruar aktgjykimin me të cilin ishte dënuar Podvorica, përkundër faktit se e njëjta, i kishte premtuar se do t’ia sillte dhe për këtë arsye nuk kishte mundur të bëjë unifikimin e dënimit.

Ndryshe, në seancën e 14 shtatorit 2018, i akuzuari për shtytje në kryerjen e veprave penale, Rakip Avdyli ishte deklaruar fajtor.

Ai kishte thënë se pendohet dhe se i vjen keq, që në rrjete sociale ka postuar video dhe fotografi, duke shprehur simpati ndaj organizatës terroriste ISIS.

“Ndjej keqardhje për rastin e ndodhur dhe pendohem për veprimet e mija”, kishte thënë Avdyli.

Kurse, i akuzuari Kushtrim Podvorica kishte deklaruar para trupit gjykues se ndihet i penduar për veprën penale duke premtuar se asnjëherë nuk do t’i përsërite veprat e tilla.

“Jam penduar, nuk do të përsërisë veprimet e tilla”, tha i akuzuari Podvorica.

I akuzuari Rakip Avdyli ishte shpallur fajtor dhe dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë, në vitin 2017, me dhjetë muaj burg për të njëjtën vepër penale. Kurse, dënimi ndaj tij ishte rritur nga Gjykata e Apelit, me 18 muaj burgim.

Edhe Kushtrim Podvorica ishte dënuar në janar të këtij viti për vepra terroriste, ku kishte propaganduar në facebook në përkrahjen e organizatës terroristë “ISIS”.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 14 shkurt 2018, Prokuroria Speciale e Kosovës, ngarkon Rakip Avdylin se nga muajit të verës së viti 2017, në vazhdimësi, ka postuar mesazhe për publikun, me qëllim që të shtyjë kryerjen e aktit terrorist.

Në dispozitiv të aktakuzës përshkruhet veprimet inkriminuese të akuzuarit Avdyli, ashtu që në profilin e tij në facebook me emrin Rakip Abdyli, ka postuar video incizime, fotografi duke shprehur haptazi përkrahjen dhe simpatinë ndaj organizatës terroriste, Shtetit Islamik-ISIS.

Në bazë të aktakuzës, përmes këtyre postimeve shpreh urrejtje ndaj pjesëtarëve tjerë të komunitetit dhe propagandon islamizmin, ashtu që fotografitë e publikuara që paraqesin “Xhihadistë” dhe “sulmues vetëvrasës”, ku ka komentuar “për njo qësi lazem, po spo ka ksajde”, dhe komente tjera, me qëllim që të shtyjë kryerjen e aktit terrorist.

Kurse, të pandehurin Kreshnik Podvorica, aktakuza e ngarkon se në periudhë të pacaktuar të vitit 2017, nuk e ka lajmëruar veprën penale dhe kryesin e saj.

Përshkrimi i veprimeve inkriminuese të pandehurit Kreshnik shpjegohen se në atë mënyrë që pasi i njëjti ka pasur kontakte me persona që kanë marrë pjesë në Siri dhe të cilët janë marrë me aktivitete terroriste, ashtu që kur i pandehuri Rakip Avdyli, për të cilin ka qenë në dijeni se merret me aktivitete të tilla, ka kërkuar nga ai që të kryej një sulm vetëvrasës në territorin e Republikës së Kosovës, duke i thënë “se i duheshin të holla për financim dhe disa vëllezër mysliman, për të organizuar një sulm istishadije (vetëvrasës) kundër shtetit, kundër qeverisë, edhe pse nuk ka pranuar, i pandehuri Kreshnik nuk e ka lajmëruar rastin në polici./Betimi për Drejtësi/

Postime te ngjajshme