Deklaratë e besimeve fetare në Shqipëri me rastin e rekomandimit per hapjen e negociatave me BE

30762862_1770625126291573_6162594104808046592_nDeklaratë e besimeve fetare në Shqipëri me rastin e rekomandimit per hapjen e negociatave me BE

Ne, Komunitetet fetare të pranishme në Shqipëri: Komuniteti Mysliman, Kisha Orthodhokse, Kisha Katolike, Komuniteti Bektashi dhe Vëllazëria Ungjillore, shprehim përgëzimet më të përzemërta për popullin tonë shqiptar, me rastin e marrjes së rekomandimit pozitiv nga ana e Komisionit Evropian për çeljen e negociatave me BE.

Rrugëtimi ynë drejt Evropës, aty ku ne përkasim natyrshëm, është tashmë një fakt dhe një dëshirë e popullit tonë. Etërit themelues të shtetit shqiptar, ndër të cilët ishin edhe klerikë të besimeve tona fetare, ishin të bindur për këtë përkatësi. Po ashtu, në kohët më të vona udhëheqësit fetarë të Shqipërisë, nuk kanë dyshuar kurrë për vokacionin evropian të shqiptarëve, vokacionin për një shoqëri të lirë, ku të gjithë të ushtrojnë të drejtat e tyre, përfshi edhe të drejtën themelore të besimit. Ne besojmë se liria e fjalës dhe e besimit, familja, paqja, solidariteti, janë vlera mbi të cilat mbështetet edhe shoqëria jonë, që aspiron të jetë pjesë e familjes evropiane.

Ne Komunitetet fetare në Shqipëri ofrojmë një model të harmonisë dhe të vllazërimit, si një shërbim ndaj njeriut, shoqërisë dhe ndaj aspiratave të ligjshme të popullit tonë, ndër të cilat është edhe hyrja në familjen europiane. Kjo harmoni dhe ky model është një pasuri që ne sjellim dhe mbartim me vete në rrugëtimin tonë drejt Evropës dhe është një e mirë për vetë shtetet që sot përbëjnë këtë organizim politik e shoqëror. Shumë herë është theksuar që kjo është një vlerë e çmuar e jona. Për këtë ne jemi të gëzuar dhe entuziastë dhe jemi gjithashtu të angazhuar ta promovojmë në çdo rast dhe kudo, duke punuar që ajo të mos cënohet, as nga faktorë të brendshëm e as nga nxitje keqdashëse të jashtme.

Me këtë rast ne i bëjmë një thirrje me ngulm dhe vendosmëri ndërgjegjes së të gjithëve, politikës në përgjithësi e qeverisjes në veçanti, që të vazhdohet puna me përkushtim nga ana e të gjithëve për përmbushjen e standardeve që duhen për të qenë pjesë e Evropës. Në mënyrë të veçantë duam të theksojmë përpjekjet për reformën në drejtësi, për të cilën kemi pasur rast të flasim edhe në deklarata tona të mëparshme. Po ashtu lufta ndaj korrupsionit dhe ndaj varfërisë së shqiptarëve. Nuk duhen mbyllur sytë ndaj shtresave në nevojë, ndaj punësimit të të rinjëve dhe subvencionit të familjeve në vështirësi, nëpërmjet skemave të drejta të asistencës sociale. Prosperiteti ndërtohet me punë dhe duhet të intensifikojmë përpjekjet që kreativiteti dhe energjia e rinise shqiptare, si edhe kontributi i sipërmarrësve tanë, të vlerësohen e inkurajohen. Në këtë mënyrë do të ndalet hemorragjia e shumë të rinjëve dhe familjeve drejt vendeve të tjera, por edhe dëshpërimi që kaplon shpesh të rinj e të reja të vendit tonë. Duhet të nxisim e të japim shpresë për të ardhmen në vendin tonë. Duhet të bëjmë detyrat mirë që më pas kryelartë të kërkojmë mbështetje nga të gjitha vendet e Evropës.

Një thirrje e fundit, por shumë e rëndësishme nga të gjithë ne religjonet bashkë, i shkon Kancelarive perëndimore. Nëpërmjet ambasadave të tyre, të akredituara në Tiranë, ne u kërkojmë shteteve anëtare të BE që të mbështesin akoma më fuqishëm këtë proces. Është në të mirën e Evropës që edhe shqiptarët, e pse jo i gjithë Ballkani perëndimor, të jenë pjesë e saj. Ne shqiptarët jemi pjesë e Evropës dhe sigurisht pa njëri-tjetrin jemi mangut: ne pa Evropën dhe Evropa pa ne. Na bashkon një histori më e gjatë se sa e këtyre dekadave të fundit. Është një histori mijëravjeçare dhe janë rrënjët e përbashkëta kulturore e shoqërore që ne kemi e që na lidhin. Ne ju bëjmë thirrje përzemërsisht, por me vendosmëri, që të mbështesni hapjen e negociatave dhe sa më shpejt edhe anëtarsimin në BE të vendit tonë.

Të bindur se fjalët tona nuk do të bien në vesh të shurdhër, ne ripërtërijmë angazhimin tonë që nëpërmjet lutjes drejtuar të madhit Zot dhe fjalës tonë nëpër komunitetet tona, të jemi gjithmonë mbështetës dhe promovues të vendosur të së mirës, të paqes dhe të shpresës për të ardhmen.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe ne të gjithëve.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
Kisha Katolike
Kryegjyshata botërore e bektashinjëve
Vëllazëria Ungjillore

Postime te ngjajshme