Barbarizmat radikale-vehabiste në literaturën islame shqipe

25589813_323331094848859_1431653262_nSi në çdo vend tjetër të dalur nga lufta, edhe Kosova pati një periudhë tranzicioni që qe shumë i vështirë dhe sfidues, si për institucionet, një ashtu edhe për shoqërinë. Kjo periudhë tranzicioni e karkterizuar me defekte institucionale, mangësi dhe probleme nga më të ndryshmet, bëri që Kosova të shihej si oazë e mundësive nga ana e organizatave e shoqatave të ndryshme nga lindja. Këto shoqata të kamufluara nën petkun e humanizmit dhe bamirësisë, me vite të tëra zhvilluan propagandimet e tyre ideologjike në emër të fesë islame. Libra, broshura e tekste nga më të ndryshmet, u botuan dhe u shpërndanë në qindra mijëra kopje.

Kështu literatura orientale e ideologjisë radikale-vehabiste u bë pjesë e literaturës islame në gjuhën shqipe. Në këtë mënyrë, ideologjia vehabiste u infiltrua për të shtrirë ndikimin e vet radikal dhe ekstrem në mesin e popullatës myslimane. Tash 19 vjetë pas lufte, jemi duke u përballë me një kaos të vërtet sa i përket literaturës islame në gjuhën shqipe. Aq shumë libra janë botuar pa asnjë kontroll apo recensim, sa që lexuesit nuk dijnë më të dallojnë literaturen e mirëfilltë islame nga ajo ideologjike vehabiste. Katrahura e krijuar me botimet tendencioze ka shkaktuar huti dhe perçarje tek besimtarët. Literatura e cila qe botuar nga financimet e organizatave të dyshimta dhe me motive të errëta, kanë shkaktuar polarizime të theksuara në shoqëri dhe ka rrezikuar tolerancen ndërfetare në Kosovë. Indoktrinimi i imamëve dhe besimtarëve ka ndodhur pikërisht, ngaqë formimi i tyre fetar ka ardhur nga literatura ideologjike e kamufluar me islamin dhe me traditën profetike që është shtrembëruar skajshmërisht. Është domosdoshmëri e menjëherëshme rishikimi dhe pastrimi i literatures islame shqipe nga barbarizmat radikale dhe ekstremiste. Nuk na duhen librat e atyre që interpretojnë islamin me një mendësi mesjetare.

Kjo literaturë ka shkaktuar dëme kolosale deri tani, por dëmet do të jenë edhe më të mëdha nëse vazhdojmë të kemi botim të librave që promovojnë radikalizmin dhe ekstremizmin. Po ashtu duhet të kemi edhe një trajtim të duhur e profesional të literaturës islame ekzistuese që tashmë qe sa vite gjendet në qarkullim. Nuk na nevojitet literatura e cila mëton çkombëtarëzimin e shqiptarëve dhe që rrezikon mirëqenien dhe ardhmërinë e fëmijëve tanë. Modelet, kultura dhe ideologjitë e huaja janë të huaja dhe si të tilla nuk kanë vend në Kosovë, ku me shekuj është praktikuar tradicionalisht islami i mirëfillt e burimor. Islami i shqiptarëve ka qenë gjithmonë islam altruist, përafrues e tolerant, e asnjëherë nuk ka qenë perçarës, dhunues e anti-kombëtar./foltash/

Postime te ngjajshme