Bamirësia virtyt i njerëzve që i duan të tjerët

International_Day_Of_Charity_freecomputerdesktopwallpaper_2560
Dihet se një e vërtetë e pakundërshtueshme, e pranuar dhe e pohuar nga të gjithë personalitetet e shquara, është lidhja e fortë që çdo njeri duhet të ketë me të gjithë njerëzit e tjerë dhe se të gjithë njerëzit duhet të jenë të gatshëm për ndihmë ndaj njëri-tjetrit, të jenë një shtyllë e fortë, një trup i përbërë prej shumë gjymtyrësh. Këtë të vërtetë, në mënyrë të saktë e të bukur na e tregon një pjesë e shkurtër e ajetit kuranor: “Ai që shpëton një shpirt është njëlloj si të ngjallë tërë njerëzinë”.
Pra, njerëzit e kanë për detyrë morale e shoqërore që t’i ndodhen në ndihmë e përkrahje njëri-tjetrit, në çfarëdolloj kohe apo rrethane qofshin. Shoqëria njerëzore, në mënyrë të domosdoshme duhet të shpejtojë të interesohet me kënaqësi shpirtërore e të vrapojë në zhdukjen e mjerimit që i ka rënë një pjesëtari të saj, pa ndryshim klase e feje. Po të jepet ndihma e nevojshme e përkrahja e duhur, është e nevojshme që në shpirtin e bamirësit të ekzistojë mëshira dhe bujaria. Nga ajetet e Kur’anit dhe porositë profetike të shumta për këtë temë tregohet se:
– duhet t’i jepet ndihmë e përkrahje kujtdo.
– duhet të jepet përherë.
– duhet të jepen ndihma të ndryshme.
– bamirësi s’duhet të ketë frikë aspak se mos i pakësohet pasuria. Përkundrazi, atij i shtohet e i shumëfishohet.
Në Kur’an thuhet se: “Shembulli i atyre që japin dhe shpërndajnë pasurinë e tyre në rrugën e Zotit, është si një kokërr që mbillet në tokë e prej së cilës dalin shtatë kallinj e në secilin prej tyre ka nga njëqind kokrra. Zoti ia shumëfishon atij që dëshiron.”
Sot, më shumë se kurrë, te ne është vendi dhe koha e përshtatshme për të ndihmuar atë që s’ka, duke mos thënë kurrë jo. Sot është dita e përkrahjes dhe jo e bllokimit të parasë. Është ora e mirëbërësisë për ata që s’kanë të hanë. Është rasti, o sot o kurrë, për të fituar lumturinë në jetën e pasosur. Sot, portat e xhenetit janë hapur për zemrat bujare e fisnike.
A nuk e di myslimani i kamur, i çfarëdo kategorie qoftë, se besimi është jo i plotë, kur ai në shtëpinë e tij gëzon gjithë të mirat, në një kohë kur fqinji i tij ngryset e gdhihet pa bukë? Për këtë Profeti a.s. porosit: “S’është mysliman i vërtetë ai që e mbush barkun e vet e është i ngopur, ndërsa fqinji i tij është i uritur.”
Për njeriun që ka është më e nevojshme të ngrejë pallate shpirtërore sesa pallate materiale.
Pasuria që ai e jep dhe e shpërndan është e tij, ndërsa ajo pasuri që është e tjetërkujt është e trashëgimtarëve. Pra, është shumë më mirë që të japësh e të ndihmosh që të bëhesh zotëri, sesa ta shtrëngosh e ta mbyllësh e të bëhesh bari.
Nuk mund të rrimë pa përmendur edhe diçka të pakëndshme. Shpesh na ka qëlluar që disa persona t’i përgjigjen lypësit nevojtar: “Po dje të kam dhënë” e të tjera shprehje si këto. Çudi! A thua se nevojtari i shkretë, që halli e ka detyruar të shtrijë dorën, vetëm për dje kish nevojë të ushqehej e sot jo?! Po ti pse nuk e sheh veten që dyqanin tënd e hap dhe fiton çdo ditë?!
Njerëz, jepni nga ajo që Zoti ju ka dhënë dhe mos u mërzisni me nevojtarin që vjen t’ju kërkojë. Ai nuk vjen kot. Kërkon të vetën dhe jo tënden, por ju nuk e kuptoni. Ndihmo që të ndihmohesh vazhdimisht. Ja çfarë na lajmëron Pejgamberi ynë i dashur a.s.: “Zoti është në ndihmë të robit përderisa robi është në ndihmë të vëllait të vet.” Në rast se nuk veprohet kështu, del e kundërta: nëse nuk ke për të ndihmuar, edhe ti nuk ke për t’u ndihmuar. Pra, duhet të tregohemi të gatshëm, të mëshirshëm e plot dëshirë në ndihmën ndaj tjetrit nevojtar e sidomos në kohën e mjerimit e të vështirësisë. Asnjëherë të mos jemi indiferentë, se jo më kot thuhet: “Ç’ka të shohësh mbi tokë, prite mbi kokë”. Pra duhet të ndihmojë se e kemi për detyrë.
Për të mençurit dhe të ndërgjegjshmit mjafton hadithi vijues:
“Ndihmo, që të ndihmohesh. Mëshiro, që të mëshirohesh.”
Autor : Alban Islami

Postime te ngjajshme