Ashura, dita e Mëshirës së Zotit

12112198_1001169409903819_6835209369632390183_nLidhur me agjërimin e ditës Ashura, citohen hadithe të shumta, ku ndër to është dhe hadithi i transmetuar nga imam Muslimi, sipas të  cilit Katade e ka të dëgjuar të dërguarin e Zotit a.s. të thotë: “Agjërimi i ditës së Arafatit fshin gjynahet e vitit të kaluar dhe të atij që e pason. Sakaq, agjërimi i ditës Ashura, fshin vetëm gjynahet e vitit të kaluar.”

Është vullneti i Zotit të lartësuar që qeniet humane të gabojnë, të kenë të meta. Por sakaq, mëshira dhe dhembshuria e Tij, u ka krijuar atyre hapësira për t’i fshirë këto gjynahe të ndryshme, bashkë me gjurmët e tyre. Këto hapësira, përfshijnë vepra të mira si sadakaja, Haxhi, Umreja etj… Thotë Zoti në Kur’anin Fisnik: “Veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija.” (Hud, 114)

Kurse Profeti a.s. thotë: “Pasoje të keqen me një të mirë që ta fshijë atë.”

Agjërimi konsiderohet ndër veprat më të mira për fshirjen dhe shlyerjen e gjynaheve, pasi në thelb agjërimi është distancim nga gjynahet, luftë me nefsin dhe ngushtim i shtigjeve të shejtanit, i cili lëviz bashkë me gjakun e njeriut. Nuk ka përse të shihet si diçka e madhe dhe e ekzagjeruar, falja e  gjynaheve të një apo dy viteve, nga agjërimi i një dite, pasi e dimë që Zoti është Bujari sublim, bujaria e të Cilit është pa kufij.

Hadithi i përmendur më lart nuk e kufizon fshirjen e gjynaheve vetëm për ato të voglat. Pra, sipas hadithit nuk bëhet asnjë përjashtim, agjërimi i këtyre ditëve i fshin të gjitha gjynahet. Veçse disa dijetarë e kanë kufizuar këtë vetëm për gjynahet e vogla. Mendimin e tyre e mbështesin në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurejre, tek Muslimi, se Profeti a.s ka thënë: “Pesë namazet, e xhumaja deri xhumanë tjetër dhe ramazani deri ramazanin tjetër, shërbejnë për fshirjen e gjynaheve mes tyre, nëse evitohen gjynahet e rënda.”

Nëse për të fituar shpërblimin e këtyre veprave të mira, duhen evituar gjynahet e rënda, atëherë ky kusht manifestohet edhe në rastin e agjërimit të Ashurasë. Imam Neveviu thotë: “Nëse robi nuk ka gjynahe të vogla, i fshihen të mëdhatë. Nëse nuk ka gjynahe të mëdha, i shtohen gradët dhe sevapet”.

Postime te ngjajshme